Xherdan Shaqiri sot vendosi derbin më të madh në Angli pasi shënoi dy gola për Liverpoolin në ndeshjen kundër Manchester Unitedit, derisa komentatori i Supersport, Ylli Aga shpërtheu në lot pasi ylli shqiptar shënoi dy gola.
Liverpooli e mposhti Manchester Unitedin me rezultat 3-1 në Anfield Road me Xherdan Shaqirin që ishte heroi i ‘The Reds’ pasi u inkuadra nga banka rezervë për ta vendosur fatin e këtij takimi me dy gola të shënuar brenda 7 minuatve, shkruan GazetaMetro.
Golat e Shaqirit u përjetuan me emocione të papërshkrueshme edhe nga Ylli Aga, komentatori i Supersportit, i cili madje filloi edhe të qante nga emocionet e shumta pas golit të dytë të yllit shqiptar.
“I emocionuar isha qysh në vigjilje të ndeshjes, duke e ditur rëndësinë e saj dhe pritshmërirtë për të. Por te golat e Shaqirit ishte pika më kulmore, sepse nuk ndodh shpesh që fatet e një prej ndeshjeve më të mëdha të globit t’i vendos një shqiptar,” ka thënë Ylli Aga për Indeksonline, transmeton GazetaMetro.
Ai ka thënë se kjo ndeshje ishte nga më të bukurat që vetëm Premierliga di t’i dhuroj.
“Ishte absolutisht një nga më të bukurat, edhe pse Premierliga ka disa elemente unike. Ritëm i lartë, lojë efektive në maksimum, raste të shumta dhe atmosferë festive. E pëlqej shumë këtë kampionat dhe kjo ndeshje ishte një arsye më shumë”, ka shtuar komentatori shqiptar.
Në videon e mëposhtme mund t’i shihni dy golat e Shaqirit nën komentimin drithërues të komentatorit shqiptar.