Dibër, 6 nëntor – Komedia “Kripë deti” tekst i Emil Bonev, në regji të Nehat Mehmetit, realizuar në Teatrin e Tetovës, ka fituar çmimin kryesor në Festivalin e Teatrit Shqiptar që tradicionalisht mbahet në Dibër. Është një çmim më se e merituar nga kjo shfaqje që karakterizohet me një lojë aktoriale kreative, dinamike e mbushur me shumë situata komike të projektuara me sens nga regjisori i shfaqjes, Nehat Memeti. “Unë i përgëzoj të gjithë ata që ishin pjesë e këtij projekti dhe që e dhanë kontributin e tyre për ta arritur një sukses të tillë. Suksesi është i përbashkët, kurse për mua është një motiv shtesë që të vazhdoj me punën time si regjisor”, deklaroi regjisori Mehmeti, duke vendosur theksin për meritat edhe te ekipi i aktorëve Linda Shabani, Azra Sallahi, Burhan Amiti dhe Elmir Sejfullau. Jurisë së festivalit i ka bë përshtypje interaksioni dinamik me publikun, që sjell shfaqja “Kripë deti”, ku publiku bëhej pjesë e situatave të rëndomta po aq magjike për komedinë si zhanër. Një komedi e pranuar mirë nga publiku, e projektuar me kreativitet regjisorial dhe me lojë tipike të mishëruar me gjithë atë që përfaqëson komedia: një shmangie, një situatë aksidentale, një përkim i beftë, një diskurs i sinqertë që prodhon shkëputjen nga normalja dhe futjen në botën e komikës… Juria në përbërje Merita Çoçoli, Mimoza Majanaku dhe Iliriana Arifi, njëziri shpallën këta çmime: Shfaqja me e mire “Kripë deti” Teatri i Tetovës, regjia më e mirë, Ilir Bokshi, aktorja më e mirë, Emine Toska, aktori më i mirë, Bruno Shllaku, aktorja më e mirë joprotagoniste, Anisa Ismajli, aktori më i mirë joprotagonist, Musa Isufi, çmimi i karieres, Muharrem Hoxha dhe Agron Dizdari.