LSDM dhe VMRO-DPMNE janë deklaruar të hapura për bashkëpunim me partitë shqiptare. Ndërkohë, vet partitë shqiptare duket se nuk kanë gatishmëri për një koalicion parazgjedhor me partitë maqedonase, por se të gjitha shqyrtojnë mundësitë të dalin sa më të përgatitur dhe sfidues në zgjedhjet e 12 prillit
Destan JONUZI
Shkup, 10 shkurt – Dy partitë më të mëdha politike maqedonase – LSDM dhe VMRO-DPMNE, së fundmi kanë folur për bashkëpunimin e tyre me partitë shqiptare. Ish-kryeministri Zoran Zaev është deklaruar se partia e tij është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike në vend, përveç VNMRO-DPMNE-së, siç shprehet ai, për shkak të nacionalizmit që mbizotëron te partia e Mickoskit. “Qëllimi i LSDM është ta bëjë koalicionin më të madh në historinë e Maqedonisë së Veriut. Nuk mund të them asgjë, sepse mendoj se mund të bëjmë koalicion me të gjithë, por paraprakisht duhet të marrim përgjigjen dhe vlerësimin e qytetarëve, a është mirë dhe duhet ta shohim nëse na përputhen programet. Mund të merremi vesh për programe dhe vlera të njëjta. Periudhën e bisedimeve e kemi përpara, besoj se do ta bëjmë më të mirën që mundemi”, deklaroi Zaev.
Përderisa në të kaluarën VMRO-DPMNE-ja njihej si parti e cila nuk dëshironte të dëgjonte për koalicione parazgjedhore me partitë shqiptare, ajo tanimë ka ndryshuar kursin politik dhe shprehet e gatshme për një bashkëpunim dhe koalicion të tillë. “Kemi biseduar edhe me parti shqiptare, ende nuk kemi vendim, ende nuk ka rezultat. Kur të arrihet marrëveshja, opinioni do të jetë i njoftuar”, ka theksuar Mickoski. Ndërkohë, të shtunën kreu i LSDM-së, Zoaran Zaev i shoqëruar nga kryeministri teknik Oliver Spasovski, gjatë qëndrimit në Haraçinë është vërejtur se mbështetja e qytetarëve shqiptarë të kësaj komune për partinë e tij po zbehet. Nëse hiqet paralele me mbështetjen nga zgjedhjet e fundit lokale, kur LSDM fitoi Komunën e Haraçinës, si dhe prezencës së qytetarëve të shtunën dhe atëherë, dallimi është i madh.
Në anën tjetër, kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha Sela me Gashin bënë një hap të gabuar që nuk u morën vesh me ta për koalicion trepalësh, por shprehet se janë të gatshëm të ulen në tryezë për të rishikuar mundësitë për t’i bashkuar forcat para zgjedhjeve. “Ne vazhdojmë aktivitet tona opozitare, por sigurisht se atë që e kërkon votuesi opozitar ne asnjëherë nuk do ta dëshpërojmë dhe ne jemi të gatshëm, ashtu si e treguam të tejkalojmë vetveten edhe në këtë rast edhe pse vlerësojmë se kanë bërë një hap të gabuar, ne jemi të gatshëm që edhe me tutje të ulemi mbi parimet e një partneriteti të plotë që të bisedojmë për një bashkëpunim eventual parazgjedhor”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Ndaj kësaj deklarate të Kasamit, përgjigjja e Selës erdhi të shtunën mbrëma nga Gostivari, ku partia e tij mbajti një tubim me qytetar. “Oferta ime është e qartë – do të duhet vetëm të pranohet dhe ne nuk kemi kohë të shohim prapa, ne ecim para”, tha Sela. Ai po ashtu theksoi se ASH nuk është mjet në dorën e cilitdoqoft, por “është mjet i shqiptarëve për ta arritur ndryshimin, fitoren, perspektivën, barazinë dhe dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
Ndërsa nga partia e Vesel Memedit RDK, janë shprehur pro formimit të një blloku opozitar të mirëfilltë, me një platformë të përbashkët që do ta përpilonin përfaqësuesit e të gjitha partive politike opozitare, me të vetmin qëllim rotacionin e pushtetit në të mirë të qytetarëve. “RDK, koalicionin dypalësh mes Alternativës dhe LR-PDSH-së, nuk e njeh dhe nuk e pranon si opozitë reale, rreth së cilës duhet të bashkohen të gjithë partitë opozitare, sepse kjo është vetëm një lojë nga shumë lojërat e mëhershme, për t’u imponua te shqiptarët si opozitë e bashkuar”, thonë nga RDK-ja. Ndryshe, këto reagime vijnë pasi që ditë më parë u arrit një Marrëveshje për zgjedhjet e 12 prillit mes ASH-së dhe AA. Ndërkaq, krerët e partisë më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë, BDI janë deklaruar se në zgjedhje do të garojnë vetëm. Në rast se Parlamenti shpërbëhet me 12 prill ashtu siç është planifikuar, partitë politike do të kenë afat deri më 17 mars që ti përpilojnë listat me kandidaturat e tyre. (koha.mk)