Përse një shqiptar musliman i sotëm të jetë indiferent ndaj kombit kur përmes interesit kombëtar ruhet edhe interesi fetar! Fjala bie, a thua do të kishte ardhur deri te shembja e Xhamisë Burmali në Shkup sikur të ishte realizuar ideja e nacionalistëve shqiptarë për një vilajet autonom shqiptar që në ato kufij do të behej shtet i pavarur shqiptar, ndërsa kjo Shqipëri do ta përfshinte edhe Shkupin?!
Nga Rilind DAUTI
Sipas një ankete të CNN-it nga viti 2007, 59% e respondentëve thonë që së pari janë krishterë pastaj amerikanë. Të njëjtën e thotë edhe senatori konzervator amerikan me ndikim të madh, Ted Kruz. Ndërkaq, dilemës “së pari krishterë apo amerikan” ish zv. presidenti Majk Pens i ikë duke mos e përmendur fenë fare por duke thënë që është “krishter, konservator, republikan, sipas kësaj renditje”, por s’ka nevojë për analizë të thellë të fjalisë që të kuptohet se edhe ai së pari e ndjen veten të krishterë pastaj amerikan.
Populli shqiptar ka ekzistuar me shekuj të tërë, por si konstrukt shoqëror-politik kombi shqiptar lindi gjatë Lidhjes së Prizrenit kur në Xhaminë Bajrakli të Prizrenit u mblodhën elita shqiptare e cila u besatua për luftë të përbashkët në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë, siç njihej në atë kohë territori nga Sanxhaku i Pazarit të Ri deri në Prevezë. Dokumenti i parë i miratuar nga Lidhja e Prizrenit ishte “Kararname”-ja e 18 qershorit 1878. Ky dokument fillestar vetëm kalimthi e përmendte Shqipërinë, sepse përndryshe kishte karakter kryekëput pro-osman. Por vetëm dy javë më vonë, më 2 korrik 1878, miratohet Statuti me qëllimet programore të Lidhjes, e që kishte karakter kombëtar shqiptar. Prandaj, nëse ka një datë që mund të merret si datëlindja e kombit shqiptar si konstrukt shoqëror-politik, ështe pikërisht 2 korriku i vitit 1878.
Në Lidhjen e Prizrenit nuk morrën pjesë shqiptarët orthodoksë që në atë kohë shumica nuk e kishin brengën e Shqipërisë por të Greqisë. Megjithatë, në Lidhjen e Prizrenit morën pjesë edhe shqiptarë katolikë që luftonin bashkë me shqiptarët muslimanë, prandaj me Lidhjen e Prizrenit u krijua kombi multifetar shqiptar si kombi i parë dhe deri tani i vetëm në Ballkan ku marrin pjesë njerëz të dy apo më shumë feve.
Por përveç shqiptarëve orthodoksë grekofilë, me kombin shqiptar i kishin dhe vazhdojnë t’i kenë disa vështirësi edhe shumë shqiptarë muslimanë.
Kombi shqiptar u lind dhe mbi 3 dekadat e para u zhvillua në kohën kur Shqipëria ishte nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, prandaj shumë shqiptarë muslimanë nuk ndjeheshin komod me kombin shqiptar për shkak se lojaliteti i tyre i pakusht qëndronte me Perandorinë Osmane ndërsa për ta ishte e vështirë për tu kapërdirë ideja e autonomisë së Shqipërisë e aq më pak pavarësia e Shqipërisë.
Edhe pse shumica e shqiptarëve ishin dhe vazhdojnë të jenë muslimanë, një pjesë e mirë e shqiptarëve i takojnë fesë krishtere, kështu që elita e shqiptarëve muslimanë e kishte patjetër ta krijojë një komb inkluziv për shqiptarët krishterë. Dhe vendimi i tyre doli të jetë i drejtë sepse prej Lidhjes së Prizrenit e deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës shqiptarët muslimanë dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve krishterë ishin bashkë në përpjekjet e tyre për mbrojtjen dhe lirinë e Shqipërisë!
Por me këtë inkluzivitet fetar nuk mund të pajtohen shumë shqiptarë muslimanë, ashtu siç nuk mund të pajtohen me të pasurit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut si hero kombëtar, dhe si rezultat i kësaj indiference, në rastet ekstreme hasen shqiptarë të tillë që fare s’e çajnë kokën për çështjet që i prekin shqiptarët, si psh: përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve nëpër institucione në Maqedoni të Veriut, që nuk iu intereson barazia zyrtare e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, që fare s’e prishin rehatinë për bisedimet Kosovë-Serbi dhe pasojat që mund të dalin prej saj, por që të njëjtit tërë kohën merren me atë se çka ndodhë me Turqinë, çka ndodhë me islamistët në Egjipt, çfarë po ndodhë me Sirinë, shpërndan propagandë se sa të këqij janë shijat edhe pse asnjëherë s’e ka parë një shija me sytë e tij, tërë kohën merret me debatin midis selefijve dhe vëllazërisë muslimane në botën arabe, e vajton shembjen nga pushteti të Sulltan Abdulhamitit II, e glorifikon Perandorinë Osmane dhe reagon me ashpërsi kur dikush e kritikon atë, më shumë brengoset për ndarjen e Turqisë nga kurdët sesa ndarjes së Kosovës apo rrezikimit nga Greqia të ujërave territorialë të Republikës së Shqipërisë, kurse disa më shumë e dinë gjeografinë e shteteve arabe sesa atë të trojeve shqiptare! Për këta shqiptarë muslimanë, kombi dhe feja janë rivalë të dashurisë së tij, siç janë rivalë nusja dhe vjehrra për dashurinë e një djali.
Por siç kuptohet nga shembulli me krishterët amerikanë që u përmendën në fillim të këtij shkrimi, shqiptarët muslimanë janë larg nga të qenurit të vetmit ku ekziston tension në mes përkatësisë fetare dhe kombëtare. Te kombet ku identiteti kombëtar është ngushtë i lidhur me fenë (si kroatët, serbët, grekët) nuk ekziston dilema “së pari kombi apo feja”, por te kombet me më shumë së një fe (si shqiptarët dhe amerikanët) paraqiten dilema. Edhe te popujt me shumicë muslimane 99%, te muslimanët praktikantë ka vështirësi me kombin dhe shtetin komb. Por në këtë rast bëhet fjalë për mospajtueshmëri jo me vlerat dhe simbolet e caktuara të kombit të tyre por me idenë e nacionalizmit në përgjithësi, sepse për ta një musliman mund të ketë lojalitet vetëm ndaj umetit e jo ndaj kombeve të shpikura. Prandaj, në rastin e nacionalizmit kemalist turk apo nacionalizmit arab, muslimanët jopraktikantë janë më nacionalistë se muslimanët praktikantë.
Kundërshtuesit apo relativizuesit e idesë së kombit kanë të drejtë kur thonë që kombet janë diçka e shpikur pas Revolucionit Borgjez Francez më 1789. Por kombi është vetëm evolucion i mënyrave të shumta se si njerëzit gjatë historisë i takojnë një bashkësie të caktuar: familja, fisi, bajraku, fshati, klani, populli, kurse që mbi dy shekuj e tepër e kemi edhe kombin. Muhamedi a.s. gjithmonë ka qenë krenar që i takon fisit kurejsh në një kohë dhe vend kur i jepej rëndësi e madhe përkatësisë fisnore, kështu që përse për një musliman të sotëm të ketë pengesë që të shprehë krenari që i takon një populli dhe kombi të caktuar?
Përse një shqiptar musliman i sotëm të jetë indiferent ndaj kombit kur përmes interesit kombëtar ruhet edhe interesi fetar! Fjala bie, a thua do të kishte ardhur deri te shembja e Xhamisë Burmali në Shkup sikur të ishte realizuar ideja e nacionalistëve shqiptarë për një vilajet autonom shqiptar që në ato kufij do të behej shtet i pavarur shqiptar, ndërsa kjo Shqipëri do ta përfshinte edhe Shkupin?! Nga mungesa e largpamësisë Perandoria Osmane dhe shumë shqiptarë muslimanë deri në fund e kundërshtuan këtë synim të nacionalistëve shqiptarë, dhe si rezultat i kësaj Serbia e morri Shkupin dhe plot qytete tjera shqiptare, ku bëri kërdi ndaj popullsisë muslimane dhe (siç bëri edhe pushteti i mëvonshëm maqedonas) shembi plot xhami!
Është e kuptueshme të ndjerit jokomod me disa aspekte të nacionalizmit shqiptar, por kjo nuk do të thotë se përkatësia kombëtare duhet injoruar tërësisht. Përse mos të merret shembull nga ideologu i shtetit shqiptar Sami Frashëri me veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet” i cili gjithashtu fliste me plot lavde për Islamin në librat e tij “Qytetërimi Islam” dhe “Përhapja e Islamit”? Përse mos të merret shembull vëllai i Samiut, Naimi, që i thurrte lavde Shqipërisë, por në vargjet e tij e lavdëronte edhe Muhamedin (a.s.)?! Më tej e kemi edhe shembullin e Myderriz Ymer Prizrenit që ishte kryetar i Lidhjes së Prizrenit, Haxhi Zekës në krye të Lidhjes së Pejës, hoxhës Vehbi Dibra që u bë kryetar i Pleqësisë Shqiptare në kohën e Ismail bej Vlorës, i kemi hoxhallarët Mulla Zekë Bërdyna, Asim Luzha, dhe mbi të gjitha Mulla Idriz Gjilanin që luftuan për lirinë e trevave shqiptare që sulmoheshin nga çetnikët serbë apo partizanët jugosllavë.
Për këto figura historike që u përmendën, kombi dhe feja janë si nëna dhe babai, te i njëjti person njëkohësisht mund të bashkëjetojë dashuria e flaktë për të dy! (koha.mk)