Ku të gjejmë me logjikën e “gjithëpërfaqësimit”, një figurë e cila njëkohësisht do të ishte edhe mysliman edhe katolik, edhe ortodoks, edhe protestant, edhe bektashian?! Ku t’i gjejmë figurat që në personalitetin e tyre do t’i përmbajnë identitet e dy-tri feve?! … Fundja, me se e meritoi një i krishterë si Skënderbeu, nëse jo me rolin e tij historik, që myslimani Naim Frashëri t’i shkruajë poemë? I njëjti Naim, i cili i kishte thurur lavde edhe profetit Muhamed në një poemë tjetër!
Nga Daut DAUTI
Fjala e ngreh fjalën, thonë në popull… Mendova ta mbyll kapitullin “vitit të Skënderbeut” me kolumnën e kaluar kushtuar filmit që s’po e bëjmë dot. Por, siç mund të pritet, kur ke një temë ose figure frymëzuese, dhe kur ke njerëz që janë të prirë t’i shikojnë gjërat në mënyrë parciale, dalin muhabete të reja. Përkrahja dhe disa kontestime sporadike në debatin rreth dy shkrimeve, sikur hapi horizonte tjera, preku disa çështje që kërkojnë sqarime plotësues. Ka mite e dogma në këto debate, prej të cilave nuk ka dëm nëse çlirohemi, për një kthjelltësi më të madhe në vështrimin e fenomeneve.
BARLETI, LETRAR APO HISTORIAN?: Barleti ka mbetur referenca kryesore për jetëshkrimin e Skënderbeut, por harrojmë faktin se libri “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut” është letrar, dhe nga kjo kohë nuk mund të dimë çka është e bazuar në fakte, e çka është fiksioni artistik. Mund të ketë gjëra të zmadhuara, të zbukuruara, mund të ketë edhe këndvështrime fetare, pasi autori ka qenë prift. Por, edhe sikur të ketë këndvështrime të tilla në përshkrimet e veprimeve të Skënderbeut, nuk duhet harruar se shqiptarët atë kohë ishin kryesisht të krishterë dhe se kishte vetëm një grusht të vogël myslimanë pas marrjes së principatës së Gjon Kastriotit, të cilëve Skënderbeu, kur ishte kthyer në Krujë, u kishte vënë kushtin “Ose, ose”. Ose të ktheheshin në krishterizëm, ose të vdisnin. Këtë e përshkruan edhe Barleti, duke shprehur habinë se si shumica kishin zgjedhur vdekjen. A e ka bërë këtë Skënderbeu, dhe në ç’përmasa ka ndodhur kjo, nga fiksioni artistik Barletit – i cili duke qenë si prift, mund të ketë pasur motiv plotësues që t’i paraqesë ngjarjet në një kontekst të caktuar – nuk mund të nxirret përfundim kategorik. Mund të supozohet se Skënderbeu ka dashur të ketë shpinën e mbrojtur brenda mureve të kalasë së vet dhe mund të mos ketë pasur besim ndaj atyre që ishin vënë në shërbim të pushtuesit, duke e marrë edhe fenë e tij, krejt është e mundur… Dhe e mundur, pra, edhe të ketë ndodhur. Duhet të gjykojmë nga konteksti i kohës, nga rrethanat e atëhershme, nga vetëdija dhe normat e luftimit. Por, ky dimension duhet t’u mbetet historianëve të gjurmojnë. Çkado që të ketë ndodhur në ato kohë, Skënderbeu nuk ka mundur të jetë zhytur në gjak më shumë se pushtuesit që kanë synuar tokat e arbërit. Ata nuk kanë ardhur me degë ulliri në dorë, por me “këllëç”, të gatshëm për qëllimet pushtuese të bëjnë fli si ushtarët e vet, si ata me të cilët janë përballur në fushëbeteja. Barleti sjell shumë fakte për këto beteja, por, në një libër më tepër letrar, mund të ketë edhe ndonjë shpërputhje faktesh me raportin e forcave ushtarake dhe viktimave në fushëbeteja.
Me një fjalë, veprat e tij, japin një pasqyrë dhe atmosferë të ngjarjeve në shekullin 15-të në epokën e Skënderbeut, na sjellin shumë ngjarje e personalitete historike dhe shumë fakte me rëndësi, por, si në çdo vepër me karakter letrar, siç janë ato të tijat( e dyta “Rrethimi i Shkodrës”), mbeten rezervat lidhur me mospërputhjen eventuale të faktografisë me mbindërtimin artistik. Po të kishte pasur Skënderbeu një kronist të angazhuar pranë vetes, sigurisht do të kishim pasur më pak dilema të këtij lloji.
SKËNDERBEU NUK ËSHTË I PAPREKSHËM: Po i rikthehem një qëndrimi që kanë shumica e shqiptarëve: “Skënderbeu është i paprekshëm”. Me këtë qëndrim nuk pajtohem, sepse me atë rast do të kishim pranuar se nuk kemi të bëjmë me figurë historike, por me një shenjtor, ose madje profet. Skënderbeu nuk ka qenë shenjtor, por njeri, ai nuk ka qenë profet, por një komandant ushtarak dhe mbret i një mbretërie që ai e mbajti sa qe gjallë. Si çdo udhëheqës ushtarak e si kryezot i vendit të vet, mund të ketë pasur edhe gabime, vlerësime të gabuara në fushëbetejë ose në sundimin e tij. Kush e ka lexuar librin e Marin Barletit, do të hetojë edhe ndonjë mangësi të këtillë që dëshmon se nuk mund të ketë njeri të përsosur. Ne i dimë betejat e lavdishme ndaj pushtuesve dhe taktikat e shkëlqyeshme ushtarake që i ka përdorur, duke dalë pothuajse përherë fitues, por ai ka luftuar edhe ndaj disa fiseve shqiptare që nuk i janë bindur dhe në përshkrimet e tij Barleti vë në dukje edhe taktika jo aq shembullore , siç është djegia e fushës që kështu t’i gjunjëzojë pasi nuk i janë bashkëngjitur kauzës së tij të bashkimit.
Pra, nuk ka asgjë të parëndomtë që krahas betejave me pushtuesit, të jetë marrë edhe me pabindje nga princër të tjerë ose tradhti nga radhët e veta. Faljet që ua ka bërë nipit të tij, Hamzës dhe njërit prej komandantëve më të mëdhenj, Mojsi Golemit, nuk duhet marrë si gjest humanisti ose zemërgjerësie, por ndoshta të një burrë shteti që di t’i vlerësojë imperativet e momentit. Ka ndonjë histori të mbretërve të Evropës, po edhe të sulltanëve që dikush i sheh si më me vlerë kundrejt tij, që nuk kanë pasur këso situatash dhe që nuk kanë luftuar për të forcuar kauzën e vet sipas mënyrës së tij?
FAKTE DHE MITE: Disa keqkuptime mund të hasen edhe te ata që e mbrojnë figurën e Skënderbeut. Nuk mund të jetë kontestuese, bie fjala, çështja e zhveshjes së Skënderbeut nga mitet. Kur shkruajmë për një figurë duhet ta ulim përtokë si njeri, si udhëheqës, si strateg, si ideator…Skënderbeu nuk ka nevojë të trajtohet me vlerat e një figure mitologjike dhe ta ngremë që të ecë stratosferës. Sepse i ka bërë mjaft duke ecur vetë përtokë. Nuk ka nevojë, psh. të flasim në stilin glorifikues sikur vërtet ka pasur një shpatë të rëndë 48 kilëshe, siç mund të kemi dëgjuar rrëfime, kur dihet se një gjë e tillë është e pamundur. Ai nuk ka qenë div i përrallave që të mbajë shpatë të tillë. Nuk duhet të merret pa rezervë as atë përrallën se çka i ka thënë Skënderbeu sulltanit kur ky gjoja ia paska lypë shpatën. E keni parasysh atë ç’i ka thënë Skënderbeu sulltanit: “ta kam dhënë shpatën, por jo dhe dorën time”. Por, rrëfimet e këtilla duhet kuptuar si metafora.
Por, ku gabojnë “zhveshësit e mitit”? Çka të thuash në pohimin se se mitin e Skënderbeut e ka ngritur regjimi komunist!? A mund të jetë e vërtetë, nëse nuk duam të krijojmë mit të ri rreth kësaj, kur dihet se fama e luftës së Skënderbeut ishte përhapur në Evropë që në shekujt e parë të epopesë së tij! Janë shkruar romane, poema, vepra muzikore, drama…për heroizmin e Skënderbeut. (Lexoni librin me tregimet e Dragi Mihajllovskit “Skënderbeu im”, ku në mënyrë të përmbledhur i gjeni pjesën dërmuese të veprave kushtuar Skënderbeut). Një hero i huaj, aq frymëzues, jo për kot, apo jo? Nuk ishte një figurë kalorësiake e trilluar, si Don Kishoti…. Përgjumja shekullore në Perandorinë Osmane ndoshta e kishte hedhur paksa në harresë, por kohë pas kohe, idealet e tij kanë shpërthyer në formë rebelimi a kryengritjesh. Në kohët vendimtare pastaj, na është dashur heroizmi i tij si ideal lirie, si synim shekullor për të qenë zot i tokave tona dhe këtu nuk ka ndonjë mit. Kur të tjerët e kanë vlerësuar, çka duhet të bëjmë ne si shqiptarë, ta zhvlerësojmë? Por, nuk “na e dhuroi” askush, siç thonë disa, por vetë rezistenca madhështore e tij ka bërë që rilindësit ta marrin figurë frymëzimi, në një kohë shumë delikate për ardhmërinë e popullit shqiptar. Rezistenca që ka bërë Skënderbeu le të mos e ketë “mbrojtur Evropën”(siç thotë Lubonja: mit), mjafton që ta ketë mbrojtur vendin e tij, këtu nuk ka kurrfarë mitologjie. Nuk është personazh nga Iliada ose Odisea, ai nuk ka luftuar me qiklopë me një sy, nuk është ndalur në ishuj sirenash, e as ka lundruar kundrejt vullnetit të perëndive nëpër det të trazuar, por personalitet historik real, i cili është përballur me ushtritë dhe komandantët më të shquar të Perandorisë Osmane për një çerek shekulli, duke i mposhtur me taktikat e tij ushtarake lucide. Kronikat e kohës të vendeve evropiane dhe të vetë Perandorisë Osmane dëshmojnë për këto luftëra, askush nuk i konteston ato, pra, luftërat e tij nuk mund të jenë mit.
KOMBI DHE FEJA TE NJË PERSONALITET HISTORIK: Edhe sikur ta zhveshësh Skënderbeun nga glorifikimet ose mitologjia, nuk zbehet roli i tij historik në kontekstin e epokës së tij. Por disa, nuk duan një Skënderbe të pamitologjizuar, por një Skënderbe në pleh të historisë! Ky është diskursi që duhet të na shtijë të mendojmë lidhur me qëllimet e tyre. Po i kthehem pohimit “gjenial” të një autori i cili përmes një këndvështrimi të ngushtë fetar, thotë se Skënderbeu dhe Nënë Tereza nuk mund t’i përfaqësojnë të gjithë shqiptarët, sepse janë të krishterë! A mund të ketë tezë ose teori më stupide se kjo e “gjithpërfaqësimit”!? Cila figurë historike, dikur, ose dhe sot, ka mundur ose mund t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët? Pse u dashka një figurë e tillë kombëtare, kur dihet se nuk ka logjikë të ketë ose të kërkohet? Gjergj Fishta ka qenë i katolik, Frashërllinjtë bektashianë, Mihal Grameno ortodoks, Mjeda e Shiroka katolikë, Enver Hoxha mysliman që është bërë ateist, Ibrahim Rugova mysliman, por “ka pirë uiski”, Ramushi është mysliman, por bën piknikë në kohë Ramazani, Hashimi falet për bajram, por nuk e dimë a e bën nga bindja apo për markteting, e Edi Rama shkon në bakllava te kryemami, edhe pse vetë është i krishterë… Ku të gjejmë me logjikën e “gjithëpërfaqësimit”, një figurë e cila njëkohësisht do të ishte edhe mysliman edhe katolik, edhe ortodoks, edhe protestant, edhe bektashian?! Ku t’i gjejmë figurat që në personalitetin e tyre do t’i përmbajnë identitet e dy-tre feve?! Po a mund që luftën për kauzë kombëtare, apo çfarëdo kauze politike në kohë të ndryshme, ta kontestojmë për shkak të përkatësisë fetare të ndonjë figure historike? A duhet që një figurë kombëtare, që ka luajtur rol një aspekt tjetër, të shikohet përmes fesë? Çka na shesin dushk për gogla ata meranë me pohimin se Skënderbeu “nuk i përfaqëson të gjithë shqiptarët”, edhe pse pikërisht te ai ndoshta këto identitete në periudha të ndryshme të jetës së tij kanë qenë të pranishme!!! Fundja, me se e meritoi një i krishterë si Skënderbeu, nëse jo me rolin e tij historik, që myslimani Naim Frashëri t’i shkruajë poemë? I njëjti Naim, i cili i kishte thurur lavde edhe profetit Muhamed në një poemë tjetër! Dhe kur, pikërisht në kohën kur ndjenja fetare te shqiptarët myslimanë doemos do të ketë qenë më e fortë se ndjenja kombëtare, në kohën e Perandorisë Osmane. Por, njerëzit me vizion, nuk e kanë shikuar aspektin fetar, por kombëtar, sepse njërën me tjetrën vetëm dashakeqët i venë në kundërshtim.
Gjithë këto logjika të mbrapshta i bëjnë disa duke i shikuar gjërat nga këndvështrim fetar, duke harruar se edhe ato shtete a popuj myslimanë, të cila i marrin si model, nuk janë të pastra në pikëpamje fetare. Në Turqinë myslimane, ke miliona jo-sunitë (rreth 20 milionë alevitë!), në Egjipt koptë të krishterë, që i përkasin të njëjtit popull si vëllezërit e tyre të një gjaku, të krishterët palestinezë bashkë bëjnë rezistencë ndaj okupatorit me vëllezërit e tyre myslimanë, sa popuj në botë ke me katolikë e protestantë në gjirin e tyre: gjermanët janë të ndarë përgjysmë, anglezët me një përpjesëtim tjetër…Por, ka popuj apo shtete, ku ndasitë fetare janë të theksuara deri në konflikte(më së shpeshti te vetë myslimanët e orientimeve të ndryshme!), por këta nuk janë shembuj që duhet ndjekur. Shqiptarët nuk kanë nevojë t’i theksojnë dallimet fetare sot, në kohë lirie e demokracie, në emër të ndonjë doktrine të dyshimtë fetare që plason dikush, kur dihet se në rrethanat ekzistenciale janë shquar si popull me tolerancë fetare. Logjika e kundërt do të na shpinte rrugës që ndoqën sllavët e Ballkanit(kanë një gjuhë, e një origjinë) por kushtet historike dhe në masë ë madhe edhe ndasitë fetare, i bënë pikë e pesë: si serbë, boshnjakë, kroatë, malazezë…Po të kishin tolerancën fetare të shqiptarëve, sot do të ishin populli më i madh në Ballkan dhe ndër më të mëdhenjtë në Evropë, pavarësisht se si do të quheshin.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)