Grupi i plotë në dispozicion të trajnerit Christian Panucci. Skuadra Kombëtare dhe stafi kuqezi zhviluan seancën e fundit stërvitore në kompleksin “Tropikal” në Durrës përpara sfidës së fundit eleminatore kundër Italisë në “Loro Boriçi”. Numri 1 i stolit grumbulloi fillimisht rreth vetes skuadrën ku bënin pjesë edhe Xhaka e Lullaku të cilët janë të pezulluar për sfidën me të kaltërit dhe më pas ekipi nisi punën me ushtrimet fizike. Vlera të shtuara të grupit janë Mavraj, Kukeli dhe Roshi të cilët gëzojnë formë mjaft të mirë dhe tashmë janë në dispozicion të trajnerit pasi e kanë kryer ndalesën për shkak të pezullimit.
Të gjithë lojtarët ashtu si edhe trajneri u shfaqën të qetë dhe të përqëndruar në seancën e fundit stërvitore ku Panucci mbajti shënime shumë të rëndësishme për të vendosur formacionin titullar. Pas ushtrimeve të karakterit fizik, larg pranisë së kamerave dhe mediave të shumta të pranishme në kompleksin stërvitor, Panucci punoi i izoluar me skemat taktike duke përgatitur një strategji të detajuar për t’i bërë ballë skuadrës së Gian Piero Venturas. Skuadra Kombëtare është gati për 90 minutëshin e fundit të Eleminatoreve të Botërorit 2018, Italia e etur për pikë duhet të kalojë skuadrën kuqezi që dalëngadalë po merr formën që kërkon t’i japë trajneri Christian Panucci.