S’mund t’i kërkosh një të riu të talentuar, në të gjitha fushat, por po marrim sportin si shembull, që të hyje në treg mbi bazën e cilësisë, kur s’ka pasur as fushë futbolli, e as trajner e as mundësi zhvillimi, e madje t’i kërkohet të kalojë atë tjetrin në garë, i cili është përgatitur me të gjitha kushtet. Një situatë e tillë, veç drejtësi nuk reflekton!
Nga Nazim RASHIDI
Ndeshja e futbollit Maqedonia e Veriut – Kosova më 8 tetor tërhoqi shumë vëmendje. Sigurisht përfundoi ashtu siç përfundoi ku Maqedonia e Veriut doli fituese, por efektet e kësaj ndeshje nuk mbetën veç tek sporti dhe tek futbolli dhe për këtë dua të flas. E para ishte një ndjesi e ndarë në opinionin shqiptar në vend që krijoi ndeshja mbase si asnjëherë më parë, nëse duhej ose jo të mbështetej përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, nga futbolldashësit vendas.
Numri i madh futbollistëve shqiptar aty jepte një imazh krejt tjetër për këtë përfaqësuese në një anë, por nga ana tjetër të gjithë kanë në mendje brohoritjet e tifozëve maqedonas se “shqiptar i mirë është veç kur është i vdekur” që krijon përplasje të madhe në qëndrime. Po le ta shohim këtë fenomen që kalon në social nga dy aspekte.
E para, pikërisht reflektimi që japin futbollistët, një Maqedoni krejt tjetër me djem që reflektojnë realitetin e vendit, siç është dhe vetë Maqedonia me përfaqësues nga grupet e ndryshme etnike. Por kombëtaret zakonisht shihen si përfaqësuese të kombit, e kombi në Maqedoninë e Veriut nuk është një në kontekst etnik, si rrjedhojë këto institucione sportive mbesnin si strehë shprehjes së arrogancës ndëretnike e prandaj kishte dhe ka absurde, ku ndonëse në fushë e me fanellat e Maqedonisë së Veriut ke gjithë ato lojtarë shqiptarë, sërish tifozët që janë veç maqedonas brohoritën shprehjen e tmerrshme se kur është shqiptari më i mirë!
Por kjo përballje, jo mes sportistësh, por mes atyre që ishin në fushën e tifozëve, por dhe publikut të gjerë, për herë të parë solli një realitet të ri. Lexoja në rrjetet sociale komente ku përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut e krahasonin me shtetin dhe si rrjedhojë nuk do duhej të mbështetej sepse shteti kishte sjellë aq diskriminim ndaj shqiptarëve. Apo komente të tjera që ishin aq të moderuara sa që sugjeronin mbështetje apo edhe një neutralizim të pashprehur më parë ndaj përfaqësuesve, sa kush do që të fitonte i rëndësishëm ishte sporti. Kishte edhe “përplasje” qëndrimesh mes të parëve dhe të dytëve se pse duhet ose nuk duhet mbështetur përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, debate që kalonin në terrene tjera duke e lënë fushën e blertë ku edhe ndodhte ndeshja.
Por për mua këtu është çështja, meqë diskutimet kalonin në sfera të tjera, dhe një kombëtare krahasohej me shtetin “diskriminues” atëherë a do t’i shohim sportistët si administratorë, policë të etnisë?
Nëse e shohim edhe shtetin e Maqedonisë së Veriut sot, ai reflekton një shtet krejt tjetër nga ai i disa viteve më parë. Sot Kryetari i Parlamentit është shqiptar, Ministri i Jashtëm gjithashtu, madje edhe i financave. Nëse e sheh si imazh, por edhe si përbërje madje, a nuk është shteti reflektim i realitetit shoqëror. Atëherë pse përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll të mos jetë reflektim i të njëjtit imazh shoqëror? Më dukej një ngarkesë e madhe dhe jashtë “betejave” të tyre, që sportistëve shqiptarë të përfaqësueses së Maqedonisë u vishej dhe u kërkohej të mbrojnë diskriminimet e shtetit, ku ata as kanë pjesë e as mund të bëjnë diçka. Djemtë si të gjithë neve, madje edhe si ata ministra e zyrtarë, jetojnë në këtë vend dhe në fushën e tyre të veprimit përpiqen të arrijnë suksesin e tyre, si të gjithë ne të tjerët. Por jo, ata befas tani duhet të marrin edhe barrën e shtetit, apo dhe të politikës edhe etnisë dhe mos të dalin në fushë. Kjo i bie që të gjithë ne të tjerët, mos veprojmë në fushat tona për të njëjtat arsye, ose imagjinoni zyrtarët të lënë pushtetin dhe përfitimet, mos veprojnë, mos bëhen të drejtë, mos marrin poste, mos marrin zyra, rrogat sepse shteti ka qenë “diskriminues”. Por asnjë nuk niset nga vetja nëse ka qëndrime të tilla, nuk e len shtetin e përfitimet, por këtë ua kërkon sportistëve.
E thashë më sipër, ngase kombëtaret shiheshin e përjetoheshin si strehë e etnisë, e nacionalizmave ekstreme, e ku tifozët janë krejt maqedonas dhe brohorimat i kanë me urrejtje shqiptare, mbështetja e kësaj kombëtareje krijon vështirësi.
Por kjo përfaqësuese po thyen këtë imazh. Në fakt jep leksione. Kombëtarja e Zvicrës ka gjithashtu shumë shqiptarë, dhe ndaj saj shihet me simpati për këtë. Arsyeja, tifozët, media e shoqëria nuk shpreh urrejtje kolektive dhe brohoritma me gjuhë urrejtjeje. Leksioni i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut këtu është. Ata tifozë agresivë me gjuhë urrejtjeje anti shqiptare e kuptojnë, sa do që se duan, se realitetet e vendit janë më të ndryshme se ata të mëhallëve të tyre. Kurse në një kontekst më të gjerë i mëson të gjithë se çështja është tek mundësitë. Nëse krijon mundësi dhe ke mendësi për të krijuar mundësi, atëherë natyrshëm në sipërfaqe do dalin më të mirët, nga të cilët përfitojnë të gjithë. Por kjo është tejet e rëndësishme! Në një nga komentet që lexova një koleg gazetar maqedonas, sigurisht me dashamirësi kishte shkruar: “ky është një shembull se si kualitetit dhe kompetencës nuk i duhet asnjë background…”. Patjetër që pajtohem. Por çështja nuk përfundon këtu. Çështja është edhe tek mundësia.
Imagjinoni të kishte qëndrim që në kombëtaren e Maqedonisë së Veriut mos të lejoheshin të luanin jo maqedonas. Imagjinoni që të kishte mendësi që mos të mbështeten sportistët shqiptarë apo dhe të tjerët nga federata të ndryshme. Siç ka ndodhur më parë, këto gjëra nuk janë bërë me vendime të prera, por heshturazi e si reflektim i një mentaliteti. Ku shteti një herë është i maqedonasve e pastaj i të tjerëve, e nëse kombëtaret përfaqësojnë kombet, atëherë aty s’ka vend për “të tjerët”. Një qasje e tillë ka qëllime të tjera ku nuk bëhet fjalë për kualitet dhe kompetencë, sepse ajo thjesht nuk del dot në sipërfaqe, s’ka ku të shihet.
Prandaj kjo përfaqësuese e Maqedonisë së Veriut, nëse diskutohet, siç u diskutua përtej fushës së blertë, duhet të shihet edhe në këto dimensione: Futbollistët shqiptarë duhet të mbështeten mos u bëhen presione të fushave të tjera, që as u takojnë e as që ata mund t’i zgjedhin. Një kombëtare e tillë me aq sportistë shqiptarë, sigurisht që jep një imazh tjetër për atë vetë, për vendin në përgjithësi dhe e cila edhe mund të mbështetet sepse vetë realitetet po ndryshojnë. Në fund të fundit është përfaqësuesja e një shteti. Ashti siç tha dhe vetë futbollisti i Maqedonisë së Veriut Enis Bardhi, sporti “futbolli është respekt. Nëse kishte fituar Kosova do isha ndjerë mirë dhe do të isha i gëzuar”. Djemtë janë pjesë e realiteteve dhe e dinë gjithë kontekstin e zhvillimeve, por as janë fajtorë që historia ka sjellë realitete që i jetojmë e as munden e as e kanë për detyrë ta ndryshojnë. Me këtë logjikë as Kosova s’do duhej të kishte kombëtare. Por këto janë kombëtare jo tipike në kuptimin e lidhjes së tyre me kombin e etninë. Ajo që duhet të flitet në kontekst politik është veç për mundësitë. Krijimi i kushteve që në sipërfaqe të dalë talenti. E talentet le t’i gëzojnë të gjithë pastaj. Por pikërisht tjetra që na mëson kjo përfaqësuese të gjithëve, dhe sidomos maqedonasve, është që për të dalë në sipërfaqe duhen mundësitë e barabarta, të cilat s’kanë ekzistuar, por nëse janë dhe jepen mundësitë atëherë vetë cilësia përshfaqet natyrshëm. E ky natyralitet pastaj ul të gjitha tensionet. Por kur fokusi është veç tek cilësia e s’ke pasur asnjë mundësi t’i zbulosh e ku më t’i zhvillosh ato cilësi, atëherë veç fuqizon diskriminimin.
S’mund t’i kërkosh një të riu të talentuar, në të gjitha fushat, por po marrin sportin si shembull, që të hyje në treg mbi bazën e cilësisë, kur s’ka pasur as fushë futbolli, e as trajner e as mundësi zhvillimi, e madje t’i kërkohet të kalojë atë tjetrin në garë, i cili është përgatitur me të gjitha kushtet. Një situatë e tillë, veç drejtësi nuk reflekton! Ja një shembull më personal. Në kohën e nacinalizmave të theksuara në fund të viteve ’80 në Strugën time, kishte pishinë të mbyllur, aty bënim stërvitje noti thuajse të gjithë, vinin notarë edhe nga Ohri ku s’kishte pishinë, e ndër ta ishte edhe Aleksandar Malenko, notari kampion i Maqedonisë, i cili kishte fituar disa herë në vend dhe ka marrë pjesë edhe në Lojëra Olimpike. Në stërvitjet që bëheshin, vëllai im ia kalonte shpesh, kishte kohë më të mirë në garat që bënin. Por vëllain tim asnjëherë se morën në gara, as që ia dhanë mundësinë të tregojë talentin. Atë askush se njeh sot si notar, ndërkohë do ishte kampion. Thjeshtë nuk iu dha mundësia!
(Autori është kolunist i rregullt i gazetës KOHA)