Të bëhesh pilot nuk është aspak e lehtë, por të sfidosh stereotipet gjinore dhe të bëhesh një aviatore femër, është akoma më e vështirë, njofton Top-Channel. Por, kjo nuk e ka ndaluar piloten indiane Anny Divya të bëjë përpara e të ngjitet në majë. 30-vjeçarja Divya është tani komandantja më e re femër e një avioni Boeing 777 në botë.
Ajo e mban detyrën e lartë në shërbim të “Air India” dhe qartazi ky është realizimi i një ëndrre të hershme të fëmijërisë për të fluturuar në qiell. “Gjithnjë kam dashur të bëhem pilote, që në fëmijëri. Atë kohë nuk kisha njohur askënd që dinte diçka mbi pilotimin, thjesht doja të fluturoja”, thotë Divya. 30-vjeçarja është udhëhequr nga pasioni dhe vendosmëria dhe ka arritur sukses. Ajo kërkoi njerëz që mund ta drejtonin në rrugën e duhur dhe në moshën 17-vjeçare kishte aplikuar për tu pranuar në një shkollë fluturimi. E atje, vështirësitë nuk ishin të pakta, mbi të gjitha duheshin kapërcyer dallimet kulturore. Ajo i përfundoi trajnimet në moshën 19-vjeçare dhe filloi të punonte për “Air India” dhe prej 10 vjetësh bën fluturime ndërkombëtare.
Pavarësisht eksperiencës, sërish ajo përballet me njerëz që habiten me faktin që ajo është një pilote femër. Tani, ajo do të bëjë akoma më përpara dhe do të pilotojë avionë të rinj me teknologji më të avancuar, dhe pse jo, të japë edhe mësime.