Shkup, 1 shkurt – Komandanti i forcave të SHBA-së për Evropë, gjeneral lejtnant Kristofer Kavoli në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Maqedoni sot në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtatmadhorinë e ARM-së, ka realizuar takim me ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe gjeneral majorin Vasko Gjurçinovski.
Në takimin e gjeneralit Kavoli me ministren Shekerinska, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së Xhes Bejli, njofton MB, janë konfirmuar raportet e mira mes dy ushtrive dhe është shprehur kënaqësi e ndërsjellë e bashkëpunimit në planin e mbrojtjes. Ministrja Shekerinska është falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe e ka theksuar rëndësinë e miqësisë strategjike mes dy shteteve dhe vazhdimin e saj në frymën e aleancës në NATO ku Maqedonia së shpejti do të jetë anëtare.
Në takimin mes gjeneralëve Gjurçinovski dhe Kavoli, është biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e ardhshme të ARM-së dhe komandës së forcave të SHBA-së për Evropë.
Pastaj, gjenerali Gjurçinovski ka shprehur falënderim për 25 vitet e bashkëpunimit të ARM-së me Forcat e armatosura të SHBA-së si partner i jonë strategjik, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme në trajnimet e përbashkëta të udhëhequr nga kjo komandë, nivelin e arritur të aftësive të ARM-së sipas standardeve të NATO-s.
Gjenerali Kristofer Kavoli ka theksuar kënaqësinë e realizimit të takimit të sotëm me ministren Shekerinska dhe gjeneralin Gjurçinovski, ku ka potencuar se partneriteti i jashtëzakonshëm mes dy ushtrive zgjat më shumë vjet- duke filluar nga bashkëpunimi në Afganistan dhe Kosovë, përmes Programit për partneritet shtetëror me Gardën nacionale të Vermontit, që daton nga viti 1993.
Kavoli pas takimeve të realizuara, ku ka marrë pjesë personeli kryesor i ARM-së është njohur me procesin aktual të transformimit dhe planit për pajisje të ARM-së, si dhe detajet e pjesëmarrjes së ARM-së në trajnime të përbashkëta gjatë vitit 2019. Në kontekst të bashkëpunimit është theksuar fakti se këtë vit përmes 1000 pjesëtarëve të ARM-së do të marrin pjesë në 10 trajnime ndërkombëtare të udhëhequr nga komanda e forcave të SHBA-së për Evropë.
Si aktivitete më të rëndësishme ku do të merr pjesë personeli i ARM-së me komandën e forcave të SHBA-së për Evropë, krahas trajnimit “Goditje e shkëlqyeshme”, me rëndësi do të jetë edhe pjesëmarrja e personelit të ARM-së në trajnimin “Saber Junction” të Gjermanisë.