Nuk fakt komandantët e të tashmes do të duhet të jenë të një modeli tjetër. E meqë jemi tek dita e Evropës, më 9 maj, qeveria dhe vetë kryeministri atë që do të duhej të bënte është të shfaqte ushtrinë e komandantët me të cilët do të identifikohej progresi dhe zhvillimi
Nga Nazim RASHIDI
Nuk e di se si do të kalojmë në fazën ku shoqëria do të hyjë në një normalitet dhe ku absurditeti mos të dominojë bisedat e përditshmërisë. Një shprehje thotë, se “janë të mallkuar ata që jetojnë në kohë interesante”, dhe vërtet, asnjë ditë nuk po mbetet që nuk të habit. Dhe tamam sa do thuash, jo, nuk ka ç’të më habisë, s’ka më asnjë ngjarje e zhvillim që do më çudisë, se i kam parë e dëgjuar të tëra, dhe sërish… del diçka që të le gojëhapur.
Ky moment habie, siç edhe ndodh rëndom ka të bëjë me politikën. E cila na shkundi e tundi nga të papriturat që na rezervon. Por sërish, dikush do të thoshte, sa të mërzitshme do ta kishim jetën nëse nuk i kishim këta politikanë dhe vërtetë… do të ngjanim si shumë vende të tjera në Evropë, ku jo që s’ka marrëzi nga politika e politikanë, por të paktën ato janë më të rralla, dhe ku jeta në këto vende është gjithë rend e mirëqenie. Do t’i kthehem Evropës, sepse kur shkruaj këtë tekst, është dita e saj, por fillimisht me marrëzirat tona.
“Bomba” e fundit nga politika quhet Hoxha. Dhe t’i marrim gjërat shtruar.
Nuk ka njeri (shqiptar) që nuk mendon se Xhezair Shaqiri, nuk duhet të marrë mbështetje e vlerësim për gjithë kontributin e sakrificën e tij që shoqëria të arrijë këtu ku jemi sot. Ashtu si ai edhe shumë të tjerë do të duhet të mbështeten e të përkrahen që të vazhdojnë të kontribuojnë me atë që dinë në zhvillimin tonë.
Bindjet e mija politike, janë pranë të majtës, ku mendoj se shteti do të duhet të ndërhyjë në shoqëri që të vë balanca dhe që të sigurojë mirëqenie dhe dinjitet për njerëzit. Si rrjedhojë, po dua të shoh zhvillimin në nivelet e perëndimit, ku shteti i mirëqenies i siguron një jetesë të qëndrueshme qytetarit. Këto në fakt janë dhe bazat e një shteti e shoqërie me vëmendje sociale dhe këtë duhet ta bëjë edhe Maqedonia. Aq më shumë duhet të ketë kujdes dhe vëmendje për ata individë kontributi i të cilëve ka qenë vendimtar për të ardhmen.
Por sinqerisht, le ta bëjmë pyetjen hapur: A mendon dikush që Hoxha do të këshillojë realisht Kryeministrin Zaev?
Rasti në fjalë na sjell përpara dy çështje. E para fare, na pllakos të gjithëve, dhe na përplas rëndë faktin se politika në kontekst të institucioneve vazhdon të bëjë përzgjedhjet e saj pa sistemin e meritokracisë, për pozicionet dhe postet që përhap. Nuk ka njeri që nuk e beson se rasti i fundit nuk ka të bëjë me ndonjë “nder” që Zaev do të lajë ndaj Shaqirit, apo dhe të tjerëve, por çështja është, a është ky nder i kthyer i duhuri? Pa diskutim që të gjithë e dinë përgjigjen.
Por rasti nxjerr në pah edhe faktin tjetër, atë se çështjet e hapura të shoqërisë nuk duhen lënë të kalojnë pa zgjidhje sepse kthehen më pas si bumerang. Nëse për një gjë ka të drejtë Xhezair Shaqiri, është se shteti do të duhej të ishte kujdesur me kohë për të. Ai dhe luftëtarët e tjerë nuk mund të mbesin peng i inateve dhe mosguximit të politikës sidomos maqedonase. Komandanti Hoxha është e njohur se çfarë ka bërë dhe nxehjet apo dhe mospajtimet politike që mund të kishin vijuar më pas, nga rrethanat politike të pas 2001-shës, nuk do të duhej të linin të patrajtuar atë dhe të tjerët si ai.
Politika maqedonase nuk kishte guximin të pranojë zgjidhje të socializimit të shtresës së shoqërisë që është edhe e tyrja (për aq sa e pranojnë këtë) dhe politika shqiptare nuk guxonte që të linte trajtimin e ish luftëtarëve në forma alternative e me forma përzgjedhëse favorizuese për dikë e harresë për dikë tjetër. Jeta do të duhej të kishte ardhur për ta me kohë, por në vendin e duhur.
Duke dhënë modelin se vetëm nëse je në politikë atëherë mund të përfitosh në paqe gjithçka rrëzohet në kontekst të zhvillimit që duam sot. Si rezultat i kësaj logjike ne sot kemi situata të tilla, ku ende flitet për trajtim të një shtrese të shoqërisë që do të duhej të ishte trajtuar e rehatuar.
Nga ana tjetër e gjithë situata është një përgjigje ndaj çështjeve që lihen e shtresohen por që vjen një ditë që edhe do të duan zgjidhje. Kështu Hoxha po bëhet një simbol i mosguximit për të zgjidhur çështjet në kohën e duhur dhe shembull se kur do që të jetë përgjigje politika duhet tu japë situatave që kërkohen prej saj. Por ajo që tashmë Hoxha nuk duhet të jetë simbol është i zgjedhjeve rastësore kadrovike në postet qeveritare. Kjo më nuk është kompatibile as me kërkesat e njerëzve e sidomos të një brezi që kërkon të mbërrijë Evropën sa më parë, e as nuk është në përputhje me gjithë prirjet dhe reformat që qeveritarët do të duhet të ndërmarrin për të arritur drejtë Brukselit.
Nuk fakt komandantët e të tashmes do të duhet të jenë të një modeli tjetër. E meqë jemi tek dita e Evropës, më 9 maj, qeveria dhe vetë kryeministri atë që do të duhej të bënte është të shfaqte ushtrinë e komandantët me të cilët do të indentifikohej progresi dhe zhvillimi. Komandantët që nuk do të tremben të “shtinë” me dije, ligje, veprime përballë burokracisë së Brukselit që do të grijë çdo gjë përpara kur do të skanojë funksionalitetin e qeverisë, ministrave dhe gjithë atyre këshilltarëve, të cilët do të duhet të jenë të përgatitur e veshur me kostume profesionesh, ekspertizash, apo dhe gjuhësh të huaja që të përballojnë dhe t’ia dalin rrugëtimit evropian.
Dhe po, të tillë komandantë ka dhe shqiptarë. Djem dhe vajza që me vite investojnë në dijen e tyre e cila as e si të vlerësohet e ku më shoqëria të përfitojë prej tyre. Por këta do të jenë ata komandantë të brezit të ri, që do të qëndrojnë ballëlartë e krenarë në anijen me detra plot furtunë drejt përparimit.
Patetike është e gjithë kjo retorikë që e shkruaj, sepse është e aq stërpërsëritur, por po aq patetike dhe dëshpëruese është politika në hapat dhe veprimet e saj, saqë ndjesia që të vjen është të hidhesh nga ajo anija që as e si të ecë përpara, në të cilën as kemi hipur e as që përballet me detrat e vështirë.
Jo rastësisht pastaj ata që kanë mbetur në këtë vend duan të ikin, sepse modelet e suksesit dhe meritës vinë nga jashtë. Dhe meqë jemi tek Evropa, po në këtë ditë po bëhet e qartë se në finalen e festivalit të këngës së lehtë, Evrovizionit do të ketë tre shqiptarë: Eugent Bushpepa, që përfaqëson Shqipërinë por edhe Ermal Meta që do përfaqësojë Italinë dhe Eleni Foureira që përfaqëson Qipron. Por këta dy të fundit janë modeli që ndjek brezi i ri. Këta të fundit japin mesazhin se po të vlesh, edhe pse në vend të huaj edhe të huajt të vlerësojnë.
Dhe kë mendoni ju, se do pranojnë si model të arritjes dhe suksesit të rinjtë? Ku do duan ta provojnë veten pa frikën se nëse vlejnë do të kenë sukses? Cila është këshilla që marrin ata dhe krejt të tjerët me rastet e tilla… ahhh po gjithçka këtu kalon nga politika!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)