A jemi bërë edhe ne shoqëri tribale, apo po duam të xhirojmë filma me reality shows me fabula të huazuara nga tribaliteti i hershëm, ku privilegji për të qenë komandant nuk përputhej me meritat gjatë luftës, por me zhvatjet pas luftës
Nga Emin AZEMI
Pas luftërave të fundit që ndodhën, profesioni më i përhapur ndër shqiptarë ishte ‘komandant’. ‘Po vjen komandant filani’. ‘Ka thënë komandant fisteku’. ‘Mos e prek se është e komandant komandantit’ etj.etj. Një popull me kaq shumë komandanta, dhe me kaq pak beteja të fituara në frontet e luftës, tregon se diçka nuk është në rregull me të kuptuarit drejt të nocionit luftë. Ose nuk është diçka në rregull me ata që përcaktojnë kritere se kush mundet e kush jo të bëhet komandant.
Ata që kanë vdekur në front, askush nuk i quan komandant. A keni dëgjuar ndonjëherë ti thuhet komandant Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit, Agim Ramadanit, veç nëse Ilir Shaqirit a Shkurte Fejzës iu ka dashur për hir të rimës t’i stolisin emrat e tyre me përkëdhelinë semantike që krijon fjala ‘komandant’.
Të jesh luftëtar i UÇK-së nuk është njësoj si të jesh komandant. Sepse, komandantët u prodhuan me shumicë pas luftës, kurse luftëtarët, ose vdiqën, ose vazhduan të bëjnë jetë anonime, të harruar nga ata që ‘frajk e frajk’ veshën kapotat e huazuara të komandantëve.
Kriteret për të qenë komandant pas lufte i monopolizuan ata që nuk kishin mbaruar shkolla fillore dhe ‘frajk e frajk’ u bënë me diploma universiteti. Këta far komandanta pastaj uzurpuan vende ekskluzive të punës, por edhe ndonjë pronë që kurrë s’e kishin pasur më parë. Këta far komandanta erën e barotit e kishin ndjerë vetëm në ndonjë dasëm kur dikush nga gëzimi i tepërt kishte shkrepë ndonjë ‘petarde’, kurse gjatë luftës dihet se si e perceptonin ata erën e gjakut. Në luftë është normale të frikësohesh, por disa edhe kur janë dhier nga tuta, kanë mendu se po derdhin ‘gjak lirie’.
Pas luftës pata taku shumë djem, të cilët asnjëherë nuk tregonin se kanë qenë në luftë. Kjo më pat bërë shumë përshtypje. Por ata sot i ke margjinave të shoqërisë, sepse komandantët ende s’e kanë sosur radhën e punësimit të akrabave të tyre. Ata nuk i kanë ardhur në fund listës së gjatë të kërkesave luksoze për t’ua bërë jetën përrallore. Komandantët janë shumë të uritur për pasuri, për pushtet, për privilegje….
Pangopshmëria si patologji njerëzore i atribuohet vetëm shoqërive që nuk kanë arritur të standardizojnë vlera, ku i padituri merret me punët e të diturit, kurse i dituri e pyet të paditurin se çfarë pozicioni duhet të merr në shoqëri, ku KËRKUSHI i paraluftës bëhet DIKUSHI i pasluftës, ku komandanti i pasluftës ia zë hijen luftëtarit anonim dhe ky i fundit – gjatë gjithë kohës rri i mërdhirë në acarin e pakujdesisë shoqërore…
“Lufto për vendin tënd një vit e pastaj kthehu e plaçkite atë tërë jetën, është njëfarë atdhetarizmi interesant, të cilin fëmijët tanë, as nipat e mbesat nuk mund ta kuptojnë dot”, shkruante një ditë në Facebook, miku im i mirë i ditëve studentore në gazetën ‘Bota e re’, Liri Loshi.
Të mendosh kuturu se pjesëmarrja në luftë, duhet të shpërblehet me privilegje dhe salltanate pas lufte, i takon rezonit tribal kur trofeu i luftës ndahej nga një grup luftëtarësh poteragji, kurse anonimët që kishin marrë plagë nëpër beteja, vazhdonin me parmendat e tyre të nxirrnin bukën e gojës për fëmijët e uritur.
A jemi bërë edhe ne shoqëri tribale, apo po duam të xhirojmë filma me reality shows me fabula të huazuara nga tribaliteti i hershëm, ku privilegji për të qenë komandant nuk përputhej me meritat gjatë luftës, por me zhvatjet pas luftës.
Kësaj ndryshe i thonë patriotizëm i pafiskalizuar në sistemin e (anti)vlerave! (koha.mk)