Benjamin Kololli është kthyer në personazhin e natës së mbrëmshme të Ligës së Europës. Thuajse çdo faqe sportive interneti ndërkombëtare ka publikuar golin dhe festimin e lojtarit të përfaqësueses së Kosovës, i cili përfundoi në një grope të madhe ndërsa po shkonte pranë tifozëve të skuadrës së Zyrih.
Kololli u zhduk në atë gropë dhe për pak çaste kishte panik mes shokëve të skuadrës dhe në tribunë. Por fatmirësisht për të, pa pasoja, një situatë të cilën lojtari e ka kaluar me shumë humor pasi shokët e skuadrës e tërhoqën përsëri lart.
“Vetëm pasi kisha kërcyer e pashë gropën, ishte ndoshta tre metra e thellë. Të tjerët u desh të më ndihmonin të dilja, por gjithçka ishte në rregull”, tha ai pas ndeshjes duke konfirmuar se nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim.
Edhe trajneri Ludovik Manjin e ka komentuar me humor këtë moment të mesfushorit kosovar. “Në fakt nuk e pashë, se po merresha me gjëra të tjera në atë moment. Por ne duhet ta falënderojmë atë. Kërcimi i tij me siguri do të na sjellë 3-4 milion klikime në YouTube”, tha tekniku zviceran.