Shkup, 11 dhjetor – Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, (KPP) Aco Kolevski, lidhur me vetingun, vlerëson se nuk është problem vetëm numri i vogël i prokurorëve, por edhe fakti se Prokurorisë Publike i është garantuar pavarësia me Kushtetutë dhe duhet të ketë kujdes mos të shkelet, njofton KOHA.
“Prokuroria Publike është organ i pavarur shtetëror dhe si i tillë ka pavarësi të caktuar. Institucionet dhe organet tjera nuk guxojnë të përzihen në punën e tij. Kemi akte nënligjore, në të cilat operacionalizohet kjo pavarësi”, tha Kolevski, sot në përgjigjet e gazetarëve para fillimit të dialogut për politika “Implementimi i Strategjisë për reforma në sistemi gjyqësor 2017-2022”.
Ai vlerëson se Këshilli i Prokurorëve Publikë, do të duhet të merr pjesë në procesin e vetingut dhe kjo të zhvillohet me forca të brendshme.
“Këtu është Qeveria e cila e emërton Prokurorinë Publike dhe mbikëqyrje të punës së prokurorive publike çdoherë bën prokuroria më e lartë publike, gjegjësisht Prokurori Publik. Kështu ai në çdo moment mund të urdhërojë të bëhet kontroll i çrregullt mbi punën e prokurorëve publikë, krahas kontrollit të rregullt, i cili zhvillohet dy herë brenda vitit”, tha Kolevski.
Ai mes tjerash shtoi se në procesin e vetingut mund të përfshihen edhe struktura ndërkombëtare, por vetëm si këshilltarë. I gjithë operacioni rreth punës profesionale të prokurorëve publikë, sipas tij e kryen vetë Prokuroria Publike.
Kryetari i KPP-së, vlerëson se institucionet vendase duhet çdo ditë të zhvillojnë kontrolle, nëse ka dyshime për korrupsion të kryer dhe menjëherë të veprojnë, dhe mos të presin aksion të posaçëm.
“Kjo është punë e tyre dhe autorizim në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet. Nëse ata ngecin, atëherë gabimi është tek ta, gjegjësisht këtu flitet për mosangazhimin e tyre në zbulimin e krimit”, tha Kolevski. (koha.mk)