Themeloi shoqatë kulturore shqiptare, i priti çlirimtarët e Shkupit me grupin muzikor me këngë shqipe, themeloi dhe ndërtoi teatrin e parë shqiptar…fakte të mjaftueshme për një vend të merituar në historinë kombëtare
Nga Daut DAUTI
FIGURË E RËNDËSISHME KOMBËTARE
(Metafora e Tonit…)
Fati i familjes së Kolë Bojaxhiut është njësoj si e shqiptarëve të shpërndarë në të katër anët e botës. Më e njohura, Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, varrin e ka në Kalkutë. Nëna, Dranja dhe motra, Ageja, në Tiranë. Vëllai, Lazri, në Itali dhe babi, Kola, në Shkup.
Kjo ishte metafora që bëri Toni, ndër katolikët e paktë të Shkupit, më 5 shtator, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, me rastin e promovimit të botimit me punime nga konferenca shkencore e para disa muajsh kushtuar Kolë Bojaxhiut. E quajmë Toni Anton Sereçin, ish-gazetarin e Radio Shkupit, veprimtarin entuziast të kauzës së katolikëve shqiptarë të mbetur sa një grusht në Shkupin, ku dikur e bënin historinë tonë, si psh.Kolë Bojaxhiu, para se Gonxhja e tij të bëhej femra më e adhuruar e botës katolike në shekullin e kaluar. Duke folur gjithnjë për famën e Nënë Terezës, kanë ngelur nën hije anëtarët tjerë të familjes(por dhe për hir të saj përmenden), me të drejtë, se nuk mund ta ndajë famën e saj askush.
Por, kjo përmbledhje punimesh (“Kolë Bojaxhiu-atdhetari shkupjan”), e lan borxhin ndaj këtij atdhetari, jo me faktin se ai është i jati i Nënë Terezës, por me biografinë e pasur prej veprimtari, i cili në fillim të shekullit të 20-të, ishte në krye të shumë proceseve emancipuese kombëtare, si në jetën kishtare, si në atë kulturore, si në disa procese të rëndësishme të kohës. Duke mos hyrë në detaje, vetëm dy-tri segmente që flasin se as Kolë Bjaxhiu, e as familja e tij, nuk kanë qenë udhëtarë të rastit në historinë tonë. Ai është personi i cili ato vite që do të sillnin pavarësinë, do të jetë organizator i një grupi muzikor, i cili më 1912 do t’i priste çlirimtarët solemnisht. Po ai, siç shkruajtën shumica e pjesëmarrësve të konferencës shkencore të 1 gushtit 2019, është themelues dhe ndërtues edhe i Teatrit Shqiptar! Në të vërtetë, , siç e thekson autorja e përfshirë në këtë botim, Rozina Kostani, është fjala për shoqëërinë kulturore “Zani i Maleve”, që ka funksionuar që nga viti 1910 e deri diku kah viti 1927, ku, ndër aktivitetet e veta, ka pasur pos reportor muzikor, edhe teatror.
Vetëm ky moment bigrafik, do të mjaftonte të zinte vend në historinë kombëtare, si një njeri me vizion dhe përcaktim të qartë. Kuptohet, studjuesit duhet të shkojnë gjurmëve të këtyre fakteve të mjegullta që na vijnë prej para një shekulli, që të dihet ku ka qenë ai tetatër që ka ndërtuar Kolë Bojaxhiu, çfarë repertori mund të ketë pasur, etj. Aspekti tjetër që duhet veçuar, është edhe në fushën e biznesit, ku ai ka dhënë kontribut për ndërtimin e një hekurudhe Shkup-Kosovë…
(Vdekja e Kolë Bojaxhiut)
Veprimtarë të kauzës kombëtare a fetare nuk e kanë pasur lehtë veprimin. Studjuesit dhe pjesëmarrës të konferencës shkencore, kishin theksuar se Kolë Bojaxhiu është thirrë në Beograd dhe është helmuar. Nuk ka shumë detaje as pse është thirrë dhe si dhe kush e ka helmuar. Por, në këtë beson gruaja e tij, Dranja, që e ka thënëshumë herë. Edhe i biri Lazri e ka përmendur. Më bëri përshtypje një sqarim i biografit të Nënë Terezës, Dom Lush Gjergjit, se ndonëse besohet se është helmuar, këtë fakt në veprat e tij e ka evituar që të mos shkaktojë reagime serbe. Më erdhi paksa çudi që të kesh konsiderata të këtilla, sepse, fundja, nuk është akuzë ndaj një populli, por ndaj një regjimi, i cili, dihet, ka pasur qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve dhe s,ke pse ta kursesh nga bëmat e veta. Por, këto dilema të Dom Lush Gjergjit, paksa më ndryshe i sqaroi një sdutjues tjetër, i cili me gjasë nuk ka arritur ta dorëzojënë kohë punimin për botim, i cili me kujdesin e hulumtuesit, u shpreh se për këtë supozim(helmimin), “nuk ka dëshmi”.
Le të jetëçështje e hapur dhe për hulumtim, por në parim, nuk duhet t’i iket përmendjes së këtij fakti, nëse ai vjen si dyshim i familjes, por natyrisht, nuk duhet të pushohet së kërkuari dëshmitë për të vërtetën e vdekjes së tij.
(Një varr për Kolën…)
Toni Sereçi kujton edhe për varrin e Kolë Bojaxhiut, qëështë një histori në vete. Që nga rivarrimi nga varrezat katolike në Cërniçe, e deri te varrimi kolektiv dhe veçimi i eshtrave të tij, nga varreza masive, përmes procedurave të shumta, dhe ndonjë ngjyrimi me injorancë politike. Por, ai sot është i kënaqur si pjesëtar i komunitetit katolik, që ka kobntribuar sadopak që i ati i Nënë Terezës, të ketë një varr me të gjitha nishanet dhe me të gjitha ceremonitë që i ka merituar si figurë e rëndësishme kombëtare dhe një ndër më emblematikët e komunitetit katolik…
Prej se Nënë Treza u bë e e njohur në mbarë botën si nobeliste, në Shkupin e saj janë bërë shumë gjëra të mira, por dhe manipulime me emrin e saj. Ndoshta edhe varri i Kolë Bojaxhiut, pas shumë peripetish, flet për këto frustracione që bartim në këtë shoqëri jo pak të ndarë. Sepse, kur has në arsyetimin politik “nuk kemi para”, nuk ështëçështje varfërie, por mungesë vullneti, për të afirmuar një figurë e cila është kokëfortë në përcaktimin e saj si shqiptare, ndaj çfarë borxhi mund të ketë shteti ndaj të jatit që ka punuar për kauzë “tjetër”! Absurdet nuk kanë kufij…
(Ku janë katolikët?)
Por, Toni është ngapak zemërplasur që në krye të Kishës Katolike nuk ka mundur të vijë një shqiptar. Thotë se është i lodhur të ndërmarrë për të bërë diçka, kur nuk ka efekt, nuk ka përkrahje. Por, një pyetje është shumë më e dhembshme se kjo. Ku janë katolikët shqiptarë sot në Shkup? Disa dekada më herët kemi mundur të dëgjojmë për familje katolike, sot sikur ka mbetur vetëm Anton Sereçi.
Para disa vitesh kisha në dorë librin monografik të mikut tim, Xheladin Asanit, (i njohur si humoristi më i madh ndër artarët e çarshisë së Shkupit dhe artari më i njohur ndër humoristët!). Më bënte përshtypje se ai kontribues më të mëdhenj të kësaj zeje i konsideronte shumë artarë katolikë, shumë prej të cilëve ua kishin lënë trashëgim gjeneratave më të reja, por të cilët në monografi paraqiteshin me mbiemra sllavë(me mbaresën “ovski”). Shumica tash deklarohen si maqedonas, thoshte autori i monografisë, ndonëse i dinë rrënjët e tyre shqiptare. Tash as nuk flasin shqip në familje. A janë asimiluar vërtetë ata 4-5 mijë sa supozohet se ka pasur katolikë shqiptarë në Shkup, apo dhe janë shpërngulur(ku kanë vajtur?), është një pyetje që s’do të donim ta dimë përgjigjen, ndonëse prej saj dhe s’ke si të ikësh. A janë presionet politike, barrierat ndërfetare, apo çka tjetër…? Kushedi…
Meqë u përmend gazetari Anton Sereçi, para disa vitesh flsinim pikërisht në këtë temë dhe kolegu Agim Memeti, edhe ai nga zemra e plasur, pat thënë: Mund të kuptohet gjer diku një popull të shkrihet te një popull më i madh, por në një popull të vogël, kjo nuk duket e logjikshme… Aq më tepër, kur komuniteti katolik, siç shihet edhe në rastin e Kolë Bojaxhiut, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjen që i kanë paraprirë pavarësisë, pikërisht për të ruajtur identitetin kombëtar.
KATICA FIRMOS DHE NGA BURGU!
Ndoshta dikujt iu duk e çuditshme, por mua jo, që Katica Janeva, edhe nga burgu ta përdorë nënshkrimin, me urdhëresën e saj që lëndët të kalojnë në prokurorinë publike. E çuditshme, por ajo na del si një formaliste që deri në fund i është përkushtuar misionit të saj, edhe kur e di se karriera e saj ka marrë fund. Por, hatri i madh tëmos i lë shoqet e PSP-së ngushtë, më saktë, të evitohet vakumi juridik për lëndët, urdhëroi një gjë të tillë.
Ajo që asaj i jep të drejtë për këtë, edhe pse më nënshkrimi i saj nuk do të përfillet nga askush, është ironia se në krejt akuzën ndaj saj, përmendet një përfitim prej 5 eurosh(a mbahet në paraburgim dikush për kaq pak para!?) dhe për vendim i cili është e drejtë diskrecioni(caktimi i paraburgimit për ndonjë të dyshuar)…Për këto pak gjëra, shumë lehtë mund të dalë e pafajshme? Bile, as që meriton paraburgimin. Në drejtësi vlen parimi i presumpsionit të pafajësisë, sipas të cilit askush nuk është fajtor pa iu shqiptuar dënimi nga gjyqi. Bile ka dhe bartës funksionesh të dyshuar ose në procs gjyqësor, të cilët nëse nuk duan të japin dorëheqje vetë, nuk mund t’i largojë askush. Bie fjala, një deputeti të dyshuar, parlamenti mund t’ia marrë imunitetin, por jo mandatin. Kemi pasur raste kur dikush është gjykuar duke e kryer edhe funksionin publik që ka pasur(kryeministër, ministër, deputet..). Vetëm për disa pozicione, para zgjedhjes a emërimit, kërkohet që kandidati të mos jetë nën hetime, sepse zakonisht pengesë është nëse ka qenë i dënuar. Prandaj, sadoqë duket ironike, apo dhe groteske, situata me ish-Prokuroren Speciale, te ajo drejtësia mund të marrë në thua, pikërisht me shkeljen e presumpsionit të pafajësisë!Çka nëse nga gjykimi del e pafajshme, ndërsa i është marrë mandati i kryeprokurores speciale? Kush do ta kthejë në vendin që ka qenë, sa do të jetë zhdëmtimi material dhe si t’i kompensohet rrënimi i autoritetit profesional dhe dinjitetit moral?
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)