Manastir, 7 mars – Huliganë maqedonas sot në orët e hershme të mëngjesit kanë sulmuar dhe demoluar Muzeun e Alfabetit në Manastir, raporton korrespodenti i gazetës KOHA nga ky qytet. Sulmi ndaj Shtëpisë së Alfabetit është kryer me koktej molotovi, ndërsa të gjitha dritaret e muzeut janë thyer, derisa kati i sipërm është përfshirë nga flakët, por pa dëme të konsiderueshme. Vendi i ngjarjes tashmë është rrethuar nga pjesëtarë të policisë, të cilët ndalojnë çdo qasje afër Shtëpisë së Alfabetit. Ndryshe, nuk është hera e parë që huliganë maqedonas sulmojnë dhe demolojnë Shtëpinë e Alfabetit në këtë qytet. Çdo herë kur në Shkup ka protesta, huliganët dëmtojnë muzeun në Manastir, derisa gjithmonë para çdo 22 Nëntori – Ditës së Alfabetit Shqip, po ashtu sulmohet ky objekt. Për të qenë ironia më e madhe, asnjë huliganë deri më sot nuk ka marrë dënimin e merituar, ndërsa përgjigja e kompetentëve është “po vazhdojnë hetimet”. (koha.mk)