Antitrupat janë mbrojtësit kryesorë të trupit kundër viruseve. Kur një virus i sulmon qelizat dhe shumohet, sistemi i imunitetit mësohet të njohë sulmuesin dhe i lëshon antitrupat për të eliminuar mikrobin. Antitrupat sulmojnë nga kënde të ndryshme, duke u kapur për proteinat nga i cili është i bërë virusi
Shkencëtarët kanë identifikuar një koktej të fuqishëm të antitrupave që mund të ndihmojë në trajtimin e COVID-19 dhe të mbrojë njerëzit, të cilët janë të rrezikuar më së shumti nga kjo sëmundje. Antitrupat janë mbledhur nga pacientët e hospitalizuar që ishin të sëmurë rëndë me COVID-19 dhe të cilat mund të prodhohen në numër të madh nga kompanitë farmaceutike e të jepen si transfuzion në gjak për të luftuar virusin apo për të parandaluar që të marrë hov brenda trupit, shkruan “The Guardian” të mërkurën.
Shkencëtarët në Universitetin Columbia në New York kanë hulumtuar antitrupat e 40 pacientëve me COVID-19 dhe nga pesë individë të ndryshëm kanë identifikuar 61 lloje, të cilat në mënyrë të efektshme e larguan koronavirusin. Në mesin e tyre, ishin nëntë lloje të cilat treguan “potencë të jashtëzakonshme” në neutralizimin e patogjenit, pra virusit. Testimet në qeliza në laborator, treguan se antitrupat e eliminuan virusin, ndërsa eksperimentet në brejtës treguan se një infuzion me një ose më shumë lloje të antitrupave potentë i ka mbrojtur nga sëmundja. “Antitrupat kufizuan virusin në tërësi në qelizat e mushkërive të brejtësve që kemi trajtuar”, tha David Ho, profesor i mjekësisë në Universitetin Columbia, i cili udhëhoqi këtë hulumtim.
Antitrupat janë mbrojtësit kryesorë të trupit kundër viruseve. Kur një virus i sulmon qelizat dhe shumohet, sistemi i imunitetit mësohet të njohë sulmuesin dhe i lëshon antitrupat për të eliminuar mikrobin. Antitrupat sulmojnë nga kënde të ndryshme, duke u kapur për proteinat nga i cili është i bërë virusi. Shkencëtarët shpresojnë të sintetizojnë mjaftë antitrupa sa për të nisur një testim klinik në tetor. Antitrupat mund të krijohen asisoj që të mbesin në gjak prej tre deri në gjashtë muaj. Kjo përzierje e antitrupave është aq e llojllojshme sa që shkencëtarët besojnë edhe variantet e virusit që kanë përjetuar mutacion do ta kenë vështirë që t’iu ikin. “Kokteji i antitrupave të ndryshëm, të cilët sulmojnë vende të ndryshme të virusit do të mundësojnë që virusi të mos bëhet rezistent ndaj këtij trajtimi”, shtoi Ho.