Kokrra e djalit që del pastaj kokërr injoranti!

Fillet e sqarimit  do të ngatërroheshin nëse nuk i kemi parasysh shembujt që na bëjnë të brengosemi sa herë që hallexhinjtë shqiptarë nuk gjejnë mbështetjen e duhur nga përfaqësuesit e tyre nëpër institucione. Gojëkqinjtë madje thonë se ndodhë që hallet të zgjidhen për 24 orë, por me kusht që për këtë të jepet ryshfet

Emin AZEMI

Dija nuk konsiderohet dije, nëse ajo nuk transmetohet te të tjerët. Kështu është edhe me gazetarinë. Ajo nuk është tamam gazetari, nëse nuk ka impakt në shoqëri. Çfarë funksioni do të kishte gazetaria, nëse ajo që në mengjes nuk e nxit ndonjë politikan të thras redaksinë për ndonjë tekst që nuk i shkon për shtati. Mirëpo te ne gjithçka po shkon vaj. Gazetarët po shkruajn pa i trazuar askush, kurse politikanët po bëhen sikur s’e kanë me ta. Në fakt, gjithçka lidhet me politikën. Në disa editoriale kemi denoncuar raste drastike të diskriminimt mbi baza etnike. Tash së fundmi vumë në spikamë edhe një shembull mjaft shqetësues se si një kompani shqiptare nga Maqedonia është penguar ti plasojë produktet e veta në tregjet e BE-së, edhe përkundër faktit se ajo i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga inspektorët e Brukselit.   Pritëm ndonjë zyrtarë të na paraqitet dhe të na kërkojë se për cilën kompani bëhej fjalë. Pritëm se ndokush nga institucionet shtetërore do të shqetësohet për këtë  problem. Pritëm se ndonjë lider partie do të tregojë interesim që këtë rast ta  artikulojë në fushatën e tij si shembull i stërkequr i trajtimit të bizneseve nga ana e shtetit. Por, nuk nuk ndodhi asgjë. Mbetëm duke pritur, ndërkohë që politika vazhdon të na tregojë se sa është e rëndësishme si instrument për zgjidhjen e problemeve jetike. Fitohet përshtypja se pa politikë njeriu nuk mund të merr as frymë, sepse ashtu ajo paraqitet nga burokratët e saj, por në praktikë ndodhë që për fatet e një biznesmeni shqiptar të vendos një referent i thjeshtë maqedon. Politikanët nuk do të duhej kuptuar si zjarrfikës që vrapojnë në zonat emergjente për të zgjidhur probleme individuale. Por, në parim kanë të drejtë të ankohen ata që diskrimnimin e kanë përjetuar në lëkurë vetëm për faktin se ata kanë qenë të keqtrajtuar nga zyrtarë maqedonë. Pra, i bie që përfaqësuesit shqiptarë nëpër institucione, përveç rrogave që i marrin për ti çu në shtëpi, ata duhet edhe ti arsyetojnë ato rroga. Dhe a e dijnë ata se si formohen rrogat e tyre? Kush është burimi i rrogave të tyre?  Gjithsesi kjo nuk kërkon shumë sqarime, por ajo që mbetet për tu sqaruar është arsyeja pse një subjekt politik e delegon një përfaqësues të vetin në ndonjë institucion. Fillet e sqarimit  do të ngatërroheshin nëse nuk i kemi parasysh shembujt që na bëjnë të brengosemi sa herë që hallexhinjtë shqiptarë nuk gjejnë mbështetjen e duhur nga përfaqësuesit e tyre nëpër institucione. Gojëkqinjtë madje thonë se ndodhë që hallet të zgjidhen për 24 orë, por me kusht që për këtë të jepet ryshfet. Po, pra. Jepet dhe merret ryshfet nga njerëzit tanë nëpër institucione, kurse liderët tanë partiak djersiten me ditë të tëra para se të vendosin ndonjë kuadër në listen e përfaqësimit nëpër institucione. Ndodhë bile që lideri të informohet gabimisht për ndonjërin se gjoja ai është kokrra e djalit, prandaj edhe hallexhinjtë tanë kot presin mbështetje prej tyre pa dhënë ndonjë ryshfet. Te ne ndodhë që kokra e djalit, të del pastaj kokërr injoranti, sepse rrethi që atë e përmban e motivon të merr rrogë pa meritë. Fundja çka iu duhen rrogat disave, kur ato iu mbesin të paprishura sepse kanë burime alternative të të ardhurave. Kot hallexhinjtë shqiptarë mundohen të tregojnë se kanë të drejtë, kur me hallet e tyre nuk merren ata që ligjërisht e kanë për obligim.