Përderisa lideri i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se çështja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve është punë e kryer, VMRO-DPMNE-ja konsideron se të shkohet në zgjedhje në kohë pandemie është çmenduri. Ata kërkojnë që zgjedhjet të mbahen në gusht ose fillim të shtatorit. Partitë politike shqiptare janë për kompromis, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve është para se gjithash, ndërkaq konsensusi për datën e zgjedhjeve- detyrim
Destan JONUZI
Shkup, 3 qershor – Insistimi i liderit të LSDM-së, Zoran Zaev që zgjedhjet parlamentare të mbahen me çdo kusht me 5 korrik, gjegjësisht 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, në një situatë kur po përkeqësohet situate me krizën shëndetësore, nuk gjen mbështetje e të gjithë aktorëve politik në vend. Në anën tjetër, nga faktor vendor dhe ndërkombëtar kërkohet kompromis për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhje. Ata kërkojnë të arrihet kompromis edhe me VMRO-DPMNE-në opozitare e cila kundërshton pesë korrikun si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Zgjedhjet për mua më nuk janë temë. Qeveria dhe institucionet tona duhet të jenë plotësisht të përqendruara në shëndetësi dhe ekonomi. Zgjedhjet janë caktuar me Kushtetutë dhe ligj 22 ditë pas gjendjes së jashtëzakonshme. Disa herë toleruam. Urdhëroni ata që doni të merrni pjesë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së. Në të njëjtën vijë për zgjedhje të shpejta është edhe kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
“Tani duhet një zgjidhje, ashtu që qytetarët të kenë të zgjedhurit e tyre në institucionet relevante të vendit. Ne me kompromis vendosëm prolongimin e procesit zgjedhor. Tash duhet të marrim një vendim tjetër të rëndësishëm në drejtim të vazhdimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA. Në anën tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) edhe pse janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje kurdo që mbahen ato, megjithatë janë të gatshëm për kompromis. Zëvendëskryeministri dhe zyrtari i lartë I BDI-së, Bujar Osmani ka deklaruar se nëse zgjedhjet nuk mbahen me pesë korrik atëherë të njëjtat do të mbahen në vjeshtë në termin e rregullt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. “Do të orvatemi që të krijojmë kushte, por edhe konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 korrik. Por, nëse nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më këtë datë ato do të mbahen në vjeshtë”, deklaroi Osmani. Ai po ashtu thekson se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha, ndërsa konsensusi politik është i detyrueshëm për datën e zgjedhjeve.
Edhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela vlerëson se në një situatë të përkeqësimit të situatës shëndetësore është absurd të shkohet në zgjedhje të shpejta. Ai kërkon konsensus politik dhe zgjedhje në fund të korrikut. “Nëse themi ne gjithë se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha, atëherë me këto shifra në rritje të të infektuarve nga Kovid19, nuk mund të flasim për zgjedhje. Unë nuk kam ndonjë datë të caktuar. Pra në këtë moment nuk kemi ndonjë datë. Masa restriktive duheshe të vazhdoheshin. Nëse veprohej sipas planit tonë që e propozuam edhe në takim të liderëve te Presidenti Pendarovski, atëherë në fund të korrikut lirisht mund të mbanim zgjedhje. Nëse ne do ti vazhdonim masat restriktive edhe për një muaj ne do ishim edhe më të relaksuar për sa i përket gjendjes me krizën shëndetësore”, thotë Sela. Sipas tij korriku mund të jetë një datë e mundshme kompromisi për mbajtjen e zgjedhjeve, nëse situate përmirësohet në ndërkohë. “Ne i lehtësuam masat për qëllime politike dhe zgjedhore, e jo për qëllime të tjera, dhe tani fatkeqësisht përballime me pasojat”, nënvizon Sela. Nga VMRO-DPMNE-ja e Hristian Mickoskit e kanë quajtur çmenduri dëshirën e Zaevit për zgjedhje në kohë pandemie. Qëndrimi i tyre për zgjedhjet është që ato të mbahen në gusht ose fillim të muajit shtator. “Të kërkohen zgjedhje në këtë situatë është çmenduri e pastër dhe dëshmi se Zaev ka ikur nga realiteti. Se bëhet fjalë për çmenduri e dëshmojnë edhe afishet e shpërndara në të cilat LSDM-ja dhe Zaevi lavdërohen tek qytetarët se e kanë fituar betejën e parë me virusin”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.
Arsim Sinani, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike vlerëson se insistimi i Zavit që zgjedhjet të mbahen me çdo kusht me pesë korrik ka dy prapavija. “Dy prapavija ka ky insistim, e para Zaevi do ti fitoj zgjedhjet shpejtë, dhe e dyta vendi me Qeveri teknike nuk i zgjidh problemet me të cilat përballet ekonomia e Maqedonisë. Për një datë të mundshme është i domosdoshëm konsensusi, por partitë sikur nuk kanë strategji përballë kësaj situate dhe prandaj s’kanë qëndrim të qartë”, shprehet Sinani. Ndryshe, liderët e partive politike së fundmi në dy raste kanë tentuar në një takim të përbashkët te Presidenti Stevo Pendarovski që të arrijnë kompromis për një datë të mundshme për zgjedhjet, por pa rezultat. Në pesë ciklet e fundit zgjedhore në Maqedoni, zgjedhjet kanë qenë të parakohshme. (koha.mk)