Koke: Trajneri më i mirë? Për Atleticon, Cholo dhe për Kombëtaren, Luis Enrique

Pjesë e përfaqësueses spanjolle, kapiteni i Atletico Madrid, Koke foli për mediat spanjolle në prag të ndeshjeve të vlefshme për Nations League. 30-vjeçari u pyet fillimisht mbi situatën e skuadrës, që grumbullimi i kombëtares vjen pikërisht pas derbit të Madridit, që si gjithmonë ishte shumë i ashpër dhe i luftuar.

“Kur vijmë këtu, jemi të gjithë bashkë lojtarë dhe ajo që ndodh në kampionat zerohet. Ne jemi profesionist dhe çdo gjë që ndodh në ndeshjet e kampionatit mbetet aty, pasi këtu jemi të gjithë për një arsye. Jemi një grup i mirë, që si gjithmonë do të kujdesemi të japim më të mirën për Spanjën.”-tha ai.

Në Nations League, Spanja kryeson Grupin 2 në Ligën A dhe do të përballet ndaj Zvicrës në shtëpi dhe në transfertë ndaj Portugalisë. Dy sfida shumë të rëndësishme, por ajo përballë Zvicrës mund të jetë përcaktuese dhe Koke e di shumë mirë këtë gjë.

Advertisements

“Për ne është shumë e rëndësishme të kualifikohemi në “Final Four”, ashtu siç bëmë herën e kaluar. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe nga ne kërkohet shumë. Zvicra është një skuadër e kompletuar dhe po ashtu edhe Portugalia. Natyrisht vendi i parë këtu është një bonus dhe një dozë morali shumë i domosdoshëm edhe për Kupën e Botës, Katar 2022. Ne jemi të fokusuar vetëm për këto dy ndeshje dhe për asgjë tjetër, çdo gjë e mirë kërkon kohën e saj, ndaj për Kupën e Botës do të mendojmë kur të jetë momenti.”-theksoi Koke.

Ndërsa në fund, Koke u përball me një pyetje shumë interesante, por mesfushori i Atletico-s u përgjigj me diplomaci. 30-vjeçari u pyet se kush është trajneri më i mirë në botë për momentin dhe ai tha: “Për Atletico-n, “Cholo” dhe për kombëtaren, Luis Enrique”.