Autoritetet britanike kanë vënë re nivele shqetësuese të lëndëve narkotike Whitelake pas festivalit muzikor të Glastonburyt. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se ka nivele të rrezikshme të drogës MDMA dhe kokainës. Si ka përfunduar në lumë lënda narkotike? Shkencëtarët dyshojnë përmes urinimit të pjesëmarrësve në këtë festival, që në shumicën e rasteve nuk përdorin tualetet e lëvizshme që janë të vendosura nga organizatorët. Studiuesit thonë se nivelet janë aq të larta sa rrezikojnë që të zhdukin ngjalën europiane nga ujërat e këtij lumi, një specie e klasifikuar si në rrezik dhe e mbrojtur prej vitesh.
Shkencëtarët kryen matje në 2019 si në rrjedhën e sipërme ashtu edhe në rrjedhën e poshtme nga zona ku u organizua festivali. Mostrat u morën para, gjatë dhe pas këtij festivali dhe më pas u krahasuan me njëra-tjetrën. Studimi zbuloi se përqendrimet e MDMA u katërfishuan një javë pas festivalit. Dr Christian Dunn, nga Universiteti Bangor, tha për BBC se “Shqetësimi kryesor është ndikimi në mjedis”. “Ky studim identifikon se drogërat po lëshohen në nivele mjaft të larta, aq sa rrezikojnë të prishin ciklin jetësor të ngjalave europiane”, tha ai. Shkencëtarët fajësojnë edhe afërsinë e vendit ku organizohet festivali me lumin për këtë nivel ndotje, pasi sipas tyre kjo bën që mbetjet të përfundojnë direkt në ujë, pa pasur mundësi më parë që të degradohen nga toka.