“Koka e gjarprit”, shfaqje e Grupit Teatror “Bekim Fehmiu”, në bazë të tekstit të Sabri Dautit dhe regji të Mejdi Alidemit
Nga Daut DAUTI
Të hënën mbrëma, ditë për të filluar një javë të mbarë, isha gjithë në shqetësimin si do të zhvillohet shfaqja “Koka e gjarpërit”, realizuar nga grupi teatror “Bekim Fehmiu”. E kam pritur me shumë druajtje shfaqjen, sepse është teksti i parë i vënë në skenë i autorit Sabri Zirap Dauti(mbiemrat e njëjtë, krejtësisht rastësi), shokut tim të ngushtë të fillores dhe gjimnazit dhe këtu ka një dimension emotiv të paanashkalueshëm, që ndoshta dhe perceptimin e bën më pak objektiv. Duke qenë redaktor i të gjitha dramave të botuara të tij, më mundonte kureshtja si do të duket në skenë një tekst i tij, dhe në fund e pamë, dhe u bindëm se autori, i cili u largua tepër i ri(në moshën 38 vjeçare), para 25 vjetëve, në fushën e dramaturgjisë ka lënë tekste të cilat i përshtaten skenës teatrore në çdo kohë. Ky është njëri aspekt, për çka mund të them se u ndava i kënaqur pasi shikova shfaqjen.
Tjetri aspekt i përket vetë fenomenit të amatorizmit teatror, i cili te ne pothuajse ka vdekur pas periudhave të entuziazmit dekadave të shkuara. Atëherë, dy shoqëritë kulturore artistike të Shkupit, por ndonjë e Tetovës, Strugës apo Dibrës, realizonin shfaqje amatore, duke përmbushur një mision edukimi dhe emancipimi. Njësoj gjendeshin edhe në qytete tjera të Maqedonisë, por sot sikur gjithçka i ka mbetur një emri të përveçëm, aktorit në pension të Teatrit Shqiptar të Shkupit, Mejdi Alidemi, i cili punon me grupe amatore që nga vitet 70-të dhe e mban gjallë ende motivin. Vetëm për disa vite të fundit, ai ka vënë në skenë me grupin teatror amator “Bekim Fehmiu” 5-6 shfaqje, të cilat kanë mbledhë publik po aq sa premierat e teatrove profesionale. Sepse, ka diçka të veçantë, që i bën joshëse për publikun shfaqjet ku hipin në skenë aktorë amatorë, të cilët për një çast përjetojnë shkëlqimin e dritave të skenës, duke ndier veten si yje të skenës.
Sa i përket vetë shfaqjes, regjisori Mejdi Alidemi, në asnjë moment nuk dyshonte se do të realizohet, me të gjitha rrethanat objektive të favorshme ose të pafavorshme. Tekstin dramatik “Kokën e gjarprit”, e kishte adaptuar në mënyrë adekuate për mundësitë e një teatri amator. Ai angazhoi aktorë e aktore të reja në moshë, nxënës, ndonjë të sapodiplomuar dhe disa me përvojë, të cilët me shumë entuziazëm e përkushtim iu qasën roleve të tyre. Me shkurtimet dhe adaptimet skenike, regjisori e kishte “racionalizuar” në masë të madhe tekstin që të mund të luhet sa më lehtë në një skenografi minimaliste, por duke ia ruajtur linjën narrative dhe ideore, bazuar në një këngë popullore dhe në legjendën e njohur për gjarprin e shtëpisë. I pashë këta aktorë njësoj si ne disa shokë të autorit kur ishim studentë, e kishim përjetuar magjinë e skenës të udhëhequr nga Sabri Dauti, si regjisor(edhe ai amator) në përpjekjet tona si studentë, para katër dekadash, që ëndërronim duartrokitjet e publikut. Atëherë, me “Fosilet” që i dhamë tri herë në sallën plot të Teatrit të Kombësive(sot Teatri Shqiptar), i sollëm në teatër baballarë e axhallarë, nëna e teze, madje gjyshër e gjyshe, që kurrë s’kishin qenë në teatër. Ishte një mision, sikundër edhe tash, kur në ulëset e teatrit vijnë edhe ata që asnjëherë mund të mos shkojnë në teatër, por vijnë t’i shohin “aktorët” e tyre!
Pesë minutat e tyre në skenë dhe duartrokitjet kësaj radhe i përjetuan aktorët e rinj pa shumë përvojë skenike. Xhaviti Lovca, në rolin e Hisen Agës, dijti ta përmbushte skenën si figurë qendrore e dramës, duke bërë balanc midis përjetimit të gjendjes së rënduar fizike nga lëngata misterioze dhe presioneve shpirtërore për shkak të mospërmbushjes së premtimit(besës). Tri motrat e tij i luajnë Adisa Ibrahimi, që dinte t’i shprehte bukur ndjesitë e dhembjes si motra më e vogël, Hana, dhe Blerta Demiri dhe Elma Kadrii, si dy motrat më të mëdha, Bilja dhe Fata, si një binom karakterial, pjesë e intrigës brendafamiljare, që me shpërthimet e kohëpaskohshme, merrnin duartrokitje nga publikut. Publiku veçmas e ka përcjellë me vëmendje rolin e Hyrisë, vajzës së “besatuar” për Hisen Agën, e cila për ndonjë arsye që as autori nuk e ka shpjeguar, rri gjithë kohën e mbuluar me vel për të mos ia parë fytyrën askush. Këtë rol, me shumë sens, e luan Vaile Nebi, e cila kulmin e interpretimit e mbërrin kur maskohet në rolin e “haxhuzes”, me transformim të shkëlqyer dhe replika me shumë dozë humori. Këtu nuk bën pa përmendur edhe një rikthim në skenë të Bajram Ramadanit, një aktori që ka hyrë në dekadën e shtatë të moshës, që ka luajtur para shumë dekadash në dramat e Mejdi Alidemit. Në rolin e hyzmeqarit të familjes, ai dëshmon gjithë përparësinë e përvojës që ka në skenë, me lëvizjet dhe me diksionin, që te disa të tjerë hera herës binte.
Vlen për t’u përmendur se me përvojën e tyre, u dhanë kuptim karaktereve që i luanin, edhe rapsodi Tahir Seferi, në rolin e babait të Hyrisë, për aq sa kishte tekst, portretoi një plak “të mbetur” me një këmbë mbi varr, dhe Xhelal Fera, i cili në skenën teatrore vjen pas serialit “Përralla shqiptare” dhe disa filmave të shkurtër. Atij ia mori krahun përvoja para kamerës, ndaj në raste të caktuara, mund të ishte më i gjallë në replikat e tij.
Për shfaqjen “Koka e gjarprit” mund të flitet edhe më shumë, edhe për zellin e regjisorit dhe konceptin e tij skenik, edhe për entuziazmin dhe interpretimin ekzaltues të aktorëve, për ndonjë replikë patetike, ndoshta dhe ndonjë lëshim skenik teknik, ndoshta për nevojën për pak më shumë dinamikë e mizanskenë. Sikundër që për çdo shfaqje profesionale mund të ketë qasje të ndryshme ose shikime tjera, si nga shikuesit, si nga regjisori, mund të ketë edhe për këtë. Por gëzon fakti që shfaqja që regjisori Mejdi Alidemi u ofroi shikuesve, ishte e rrumullakësuar në çdo pikëpamje, ku rol të vetin patën edhe disa efekte skenike e pasazhe të bukura të ilustrimit muzikor.