Bllokadat nuk janë zgjidhje. Maqedonia dhe Kosova duhet ti shqyrtojnë prioritetet dhe nevojat e konsumatorëve të tyre dhe mbi këtë bazë duhet të zhvillojnë edhe politikat tregtare në mes veti. Gjithçka që del jashtë këtyre parimeve e prishë kohezionin rajonal të bashkëpunimit tregtar e ekonomik dhe krijon parakushte për dominim të një vendi mbi tjetrin
Nga Emin AZEMI
Ballkani Perëndimor ka një treg shumë të pa harmonizuar mes veti dhe del që marrëdhëniet ekonomike e tregtare të kalojnë nëpër vështirësi të shumta. Edhe përkundër marrëveshjeve reciproke që obligojnë shtetet nënshkruese t’iu përmbahen rregullave të caktuara, nuk janë të rralla rastet kur prodhuesit dhe subjektet e ndryshme afariste sillen në mënyrë arbitrare.
Ajo që bie në sy është sidomos raporti shpërpjestues në import dhe eksport dhe për pasojë ndodhë që shkëmbimi tregtar të jetë i njëanshëm, gjegjësisht mallrat e njërit shtet të dominojnë në tregun e shtetit tjetër, duke krijuar në këtë mënyrë disballance të panevojshme tregtare ekonomike. Ja disa fakte që e ilustrojnë këtë situatë.
Maqedonia vitin e kaluar ka prodhuar 705 mijë hektolitra birrë. Prej kësaj sasie , shumica e birrës eksportohen në Kosovë. Kështu thuhet në statistikën e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, sipas të cilës, vitin e kaluar, nga Maqedonia u eksportuan 8 milionë e 61 mijë kg birrë dhe u importuan shtatë milionë dhe 307 mijë kg birrë. Shumica e birrës vitin e kaluar u eksportuan në Kosovë, respektivisht 3 milionë e 292 mijë kilogram birrë në shishe dhe 1 milion e 223 mijë kilogram birrë në paketim deri në 10 litra.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë se bizneset e Kosovës po ndeshen me sfida të ndryshme në eksportin e produkteve të tyre në Maqedoni. Bilanci tregtar i Kosovës është negativ dhe shumë i madh. Kosova tani prodhon produkte shumë cilësore dhe mund të eksportojë shumë produkte. Kosova tani më lehtë eksporton në vendet e BE-së sesa në Maqedoni, ku ka barriera të ndryshme, jo të arsyeshme. Këto barriera duhet të hiqen”, tha ai ditë më parë në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas marrëveshjes së CEFTA-s, ku Kosova dhe Shqiprëria janë anëtare dhe nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, e cila i bënë pjesë të një tregu të përbashkët, përveç tjerash vendet nënshkruese nuk do të duhej të përdornin barrierat jo-tarifore për të bllokuar qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.
Mirëpo sa i përket Maqedonisë, siç pretendon edhe Oda e Afarizmit e Kosovës, ajo përherë ka aplikuar forma të ndryshme të barrierave jo-tarifore për të penguar çdo tentim eksporti të mallrave nga Kosova për në Maqedoni, në rastin konkret bëhet fjalë për pengesën që i bënë prodhimeve me prejardhje shtazore duke mos e dërguar inspektoratin ose duke mos i licencuar kompanitë kosovare të eksportojnë në Maqedoni, derisa në anën e kundërt ka me dhjetëra kompani maqedonase të licencuara për eksport të po këtyre prodhimeve për në Kosovë.
Në funksion të ruajtjes së ekonomisë vendore nga invazioni i jashtëm, Kosova më 18 korrik, për të mbrojtur prodhimet bujqësore të vendit, vendosi të rrisë taksën doganore për 30 për qind për produktet bujqësore që futen në tregun e Kosovës, nga të gjitha vendet e rajonit. Si më e goditura nga ky vendim llogaritej Maqedonia, si shtet prej ku është furnizuar një pjesë e madhe e tregut të Kosovës me pemë dhe perime.
Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se përplasjet mes Shkupit dhe Prishtinës rreth mbrojtjes së prodhimeve bujqësore, nuk po shfaqen për herë të parë dhe këto përplasje duhet parë si fotografi më e gjerë, kur edhe Shkupi në vitin 2013 morri vendim që të mbrojë një pjesë të prodhimeve të tij, siç ishte mielli dhe produktet e qumështit.
Bllokadat nuk janë zgjidhje. Maqedonia dhe Kosova duhet ti shqyrtojnë prioritetet dhe nevojat e konsumatorëve të tyre dhe mbi këtë bazë duhet të zhvillojnë edhe politikat tregtare në mes veti. Gjithçka që del jashtë këtyre parimeve e prishë kohezionin rajonal të bashkëpunimit tregtar e ekonomik dhe krijon parakushte për dominim të një vendi mbi tjetrin. (koha.mk)