Të nderuar drejtues dhe staf i gazetës KOHA Më lejoni që në emrin Tim personal dhe në emër të Bashkësisë Fetare Islame t’ju uroj njëmbëdhjetë vjetorin e themelimit të gazetës tuaj dhe tonë, zëri i së cilës gjithmonë ishte në anën e të vërtetës dhe të drejtës. Rrugëtuam bashkë gjatë këtyre viteve, ku në asnjë moment nuk devijuat nga raportimi etik për çdo ngjarje që tangon publikun e gjere. Gjithmonë ishit zëdhënës i të pafuqishmëve dhe i të drejtës. Të parët në çdo sfidë dhe informim. Prandaj u jemi shumë mirënjohës. Në asnjë moment nuk nxitët dallimet dhe ndarjet mes njerëzve, por përkundrazi luajtët rolin e katalizatorit për ngritjen e një dialogu aktiv dhe konstruktiv të udhëhequr nga parimet profesionale të gazetarisë. Ju u bëtë ballë të gjitha sfidave në këto njëmbëdhjetë vite të kaluara. Raportimet e balancuara dhe vërtetësia e dëshmuar, ndikuan që tërë kohën të rrini në majën e besueshmërisë, në një kohë kur shumë gazeta dhe mediume nga kushtet e vështira nëpër të cilat kalon kjo kategori e mas-mediumeve, u detyruan tu shërbejnë qëllimeve të caktuara. Koha edhe në këto kohë të vështira, mbeti në shërbim të lexuesit dhe të së vërtetës. Koha gjatë këtyre viteve asnjëherë nuk u vu në shërbim të ndasive brenda shoqërisë, por gjithmonë luajti rolin e gardianit të principeve themelore të gazetarisë siç janë: vërtetësia, paanshmëria, përgjegjësia, pavarësia, objektiviteti, toleranca, solidarizimi me mediumet e tjera si dhe u bë qendër referimi për lajme, për shumë mediume të tjera në vend dhe jashtë. Andaj, pas gjithë këtyre arritjeve, ne mund vetëm t’ju dëshirojmë jetëgjatësi dhe të vazhdoni me këtë ritëm, sepse publiku ka nevojë për një medium që bazohet në gjitha principet e lartpërmendura. Ju dëshiroj rrugëtim të mbarë.
Me respekt Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në RM