Koha për rotacion

Derbi i Milanos u vendos nga një gol i Mauro Icardi-t, por për tifozët e Milanit golin e “shënoi” Gigio Donnarumma. Portieri kuqezi është kthyer tashmë në një çështje madhore, sepse ecuria e tij duket “një hap përpara e dy hapa pas”. Talent i madh, thuhet për të, por gabimet e tij shpesh i kanë kushtuar pikë të çmuara Milanit dhe mbrojtja nuk është aspak e qetë. Ndodhi në Londër, ndodhi edhe në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit, tani vjen humbja në derbi, ku në fakt Interi ishte dukshëm superior, por barazimi dukej i siguruar, në një fundtakimi ku të gjithë dukeshin të lodhur. Në minutën e 92-të portieri që konsiderohet pasardhësi i Gigi Buffon bëri një gafë të pafalshme, duke mos e lexuar si duhej një kros që normalisht nuk duhej të krijonte asnjë shqetësim.

Dukej se kriza kishte kaluar për portierin e ri, pasi Raiola ka bërë paqe me Milanin dhe Mancini i ka dhënë besim në kombëtare. Për një muaj e gjysmë Donnarumma dukej jashtëzakonisht i përqendruar dhe i ftohtë në fushë, por numi 99 kuqezi njollosi mbrëmë një paraqitje mjaft të mirë, sepse të paktën në një rast u bë vendimtar. Ndoshta niveli i këtij djali është pikërisht ky: i mirë, por jo lojtar i klasit superior, ndërsa Milani ka nevojë për një lider.

Në këtë moment, janë shtuar gjithnjë e më shumë mbështetësit e Reina-s, spanjollit të heshtur i cili firmosi për Milanin kur po bëhej realitet largimi i Donnarumma-s, por pranoi qetësisht rolin e rezervës. Megjithatë, rezerva meriton hapësirë kur titullari bën gafa dhe Reina nuk është një fillestar, përkundrazi. Bëhet fjalë për një ndër portierët më të mirë në botë dhe ndoshta pak stol do t’i bënte mirë Donnarumma-s. Zgjedhja i takon Gattuso-s, i cili tashmë duhet të gjejë guxim për një zgjedhje të vështirë.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com