Fatos RUSHTI
Shkup, 6 dhjetor – Gjatë fushatave parazgjedhore, jo vetëm për zgjedhjet lokale, por edhe ato parlamentare – partitë politike premtojnë vazhdimisht rritjen e TVSH-së dhe zhvillim të barabartë rajonal, por kur janë në pushtet – ndryshojnë qëndrimet publike duke mos bërë shumë drejt decentralizmit dhe zhvillimit ekonomik. Partitë që janë në pushtet – LSDM, BDI dhe ASH premtuan rritjen e TVSH-së për komunat deri në 14 për qind dhe njëkohësisht u zotuan për rritjen e tatimit personal dhe se do të zbatojnë si duhet Ligjin për zhvillim të barabartë rajonal, gjegjësisht shpërndarje racionale të 1 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për komunat, shkruan gazeta KOHA. Si rezultat i mos interesimit të vazhdueshëm të Qeverisë që nga ndarja territoriale e vitit 2004 për të ndihmuar komunat, qoftë përmes rritjes së TVSH-së qoftë përmes zhvillimit të barabartë rajonal, ka bërë që shumë komuna të mos mund të ekzistojnë me kapacitetet që kanë, të mos dalin nga borxhet, dhe të ngritin kapacitetet e tyre në sferën urbanizmit, arsimit, kulturës, sportit, qendrave sociale. Perceptimi i vazhdueshëm i shumë ekspertëve të pushtetit lokal ka qenë se duhet një ndarje e re territoriale apo të ndryshojë qasja e Qeverisë ndaj pushtetit lokal për ta ndihmuar direkt me mjete financiare për t’u zhvilluar. Ish-kryetari për dy mandate i Komunës së Gostivarit dhe ish-ministër i Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta, thotë se është koha e duhur të hapet debat për ndryshmin e Ligjit për ndarje territoriale. Në këtë pikë, Bejta propozon që të përgjysmohet numri i komunave dhe të forcohet pushteti i komunës.
“Edhe para ndarjes së fundit territoriale që u bë në 2004-ën, kishte lëshime. Ato bënë që shumë komuna të mos munden të funksionojnë – sidomos komunat rurale. Logjika dhe përvoja ime si ish-kryetar i një komune si Gostivari dhe si ish-ministër i Pushtetit Lokal, thotë se është koha të hapet debat për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjen territoriale. Mendoj se numri i komunave duhet të përgjysmohet – të mos kemi më shumë se 40 komuna, si dhe të punohet në drejtim të forcimit të pozitës së kryetarit të komunës. Qytetarët e dinë që pozitë të lartë ka kryeministri dhe ministri, por ata duhet të lidhen më shumë me pozitën e kryetarit të komunës dhe në zgjedhje do të dinë më shumë të vlerësojnë në përzgjedhjen e kandidatëve ose të vlerësojnë punën apo mospunën e secilit dhe ai që nuk i ka kryer obligimet, të marr dhe përgjegjësi ligjore dhe jo vetëm politike”, thotë për gazetën KOHA, Nevzat Bejta. Në lidhe me rritjen e TVSH-së për komunat, Bejta sugjeron që Qeveria të ndjekë modelet e vendeve perëndimore që, sipas tij, kanë pasur sukses në zhvillimin e barabartë rajonal.
“Është qesharake që në shekullin 21 i kemi ende këto probleme. Edhe atë ligj që e kemi për zhvillim të barabartë rajonal, nuk e zbatojmë, sepse po të shpërndahej qysh duhet 1 përqindëshi i Bruto Prodhimit Vendor, nuk do ti kishim komunat në këtë gjendje ku janë. Që të bëhen punët mirë, duhet vetëm që Qeveria të ketë vullnet për të zbatuar këtë ligj. Sa i përket rritjes së TVSH-së, është e vërtetë se jemi larg me trendet që ndjekin aktualisht vendet tjera. Qeveria e ka lehtë, vetëm duhet të marrë një model nga vendet që kanë pasur sukses me rritjen e TVSH-së”, thotë Bejta. Ndërkaq, deputeti BDI-së, Rexhail Ismaili thotë se në Buxhetin për vitin 2018 janë paraparë rreth 140 milionë denarë, apo 3 milionë euro nga TVSH-ja që t’u kthehet komunave. Ai përmend edhe bllokadotacionet që sipas tij, arrijnë shifrën rreth 700 milionë denarë të destinuara për komunat. Ai madje thptë se TVSH-ja nga 4.5 për qind sa është këtë vit, planifikohet që për katër vite të shkojë në 6.5.
“Me insistimin tonë si parti, TVSH do ketë rritje deri në 2 për qind për vitin tjetër. Në projekt-buxhetin për vitin 2018 kemi paraparë që mbi 140 milionë denarë apo rreth 3 milionë euro të rritet TVSH-ja për komunat – që do të thotë nga 4.5 për qind sa është këtë vit, të shkojë në 6.5. Rritje do të kemi edhe në bllokdotacionet, ku janë paraparë diku mbi 700 milionë denarë për vitin 2018 dhe komunat shqiptare janë ndër që do të përfitojnë më shumë nga bllokdotacionet”, zotohet për KOHA, deputeti Ismaili. Por, as nga Qeveria e as nga Ministria e Pushtetit Lokal nuk përgjigjen në pyetjen sesa është planifikuar rritja e TVSH-së për komunat për vitin 2018. Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, njëkohësisht dhe njohës i pushtetit lokal, mendon se me ndarjen territoriale të vitit 2004, i janë bërë padrejtësi vendbanimeve shqiptare. Ai thotë se shumë komuna është tepër e qartë se nuk kanë kapacitete të funksionojnë, duke mos ushtruar edhe kompetencat ligjore. Sipas tij, për të ndryshuar ndarjen territoriale – duhet bërë një analizë profesionale për të parë, siç thotë Zendeli, se cilat komuna nuk mund të ekzistojnë dhe cilat mund të funksionalizohen pas 5 viteve. Deputeti i BESËS gjithashtu shprehet se decentralizimi i plotë ishte kompromis i arritjes së Marrëveshjes së Ohrit “për të ruajtur unitaritetin e shtetit”, por që sipas tij, ende nuk po realizohet ai qëllim.
“Në vitin 2004 kur u bë ndarja e re territoriale, kishte padrejtësi si në Mavrovë, e cila nuk iu bashkëngjit Gostivarit, por Rastushës. Apo Vevçani që u nda nga Struga, por dhe disa komuna tjera. Mendoj se duhet bërë një analizë e thuktë profesionale pse jo dhe shkencore e inicuar nga Qeveria, për të parë se cilat komuna realisht nuk kanë kapacitete të ekzistojnë dhe cilat me ndihmën e Qeverisë edhe mund të funksionalizohen, për shembull – pas 5 viteve. Tek e fundit, decentralizimi i plotë me ruajtjen e unitaritit të shtetit ishte dhe kompromis i Marrëveshjes së Ohrit, por që nuk realizohet kjo. Psenë duhet ta thonë partitë që janë dhe ishin në pushtet. Ende kemi komuna që nuk kanë as një çerdhe e as qendra kulturore, as rrugë lokale… plus dhe janë në borxhe ose nuk kanë resurse për tu zhvilluar. Këto komuna mendoj se duhet bashkangjitur komunave që kanë si qendër qytetet”, thekson Zendeli. (koha.mk)