Bruksel, 9 qershor – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbgerg në një të ardhme të afërt nuk e ka ndër mend të vizitojë Maqedoninë, por ai të hënën do të takojë në Bruksel kryeministrin Zoran Zaev. Kështu i kanë thënë gazetës KOHA burime nga selia e NATO-s në Bruksel. Ky njoftim vjen pasi një ditë më parë, në mediat vendore u publikua lajmi se deri në mesin e muajit korrik sekretari Stoltenberg do të vizitojë Shkupin, në kuadër të përpjekjeve të shtuara për anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO. “Sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg nuk ka plane të menjëhershme për të vizituar ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, por ai pret me padurim vizitën e Kryeministrit Zoran Zaev në Bruksel të hënën më 12 qershor. Ne do të mbështesim përpjekjet për të adresuar reformat e nevojshme urgjente, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Reformat do ta bëjnë vendin më të fuqishëm dhe më shumë demokratik. Dyert tona mbeten të hapura, dhe vendimi ynë i Bukureshtit mbetet, siç u përsërit në Samitin e Varshavës në qershor 2016”, thonë për gazetën KOHA burime nga selia e NATO-s në Bruksel. Ndryshe, të enjten mediat në Shkup transmetuan lajmin e agjencisë ruse “Sputnik”, e cila duke u thirrur në burime të saja, transmetoi se sekretari i NATO-s Jens Stoletenberg deri në mes të muajit korrik do ta vizitojë Maqedoninë. (koha.mk)