Shkup, 11 nëntor – Gazetari i ekonomisë në gazetën “KOHA”, Fisnik Pasholli, ka fituar çmimin “Vangjush Gambeta” për shkrimin më të mirë ekonomik publikuar në mediat elektronike dhe të shkruara në trevat e Maqedonisë, organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Shkrimi analitik i gazetarit Pasholli “25 vjet ngecje ekonomike”, u vlerësua lartë nga juria si raport më i mirë nga sfera ekonomike publikuar në shtypin e shkruar në Maqedoni, raporton gazeta KOHA. Për raportim më të mirë ekonomik në shtypin e shkruar në Kosovë u shpërble edhe gazetari Agron Sinani i gazetës Express dhe Nertila Maho, gazetare e gazetës “Panorama” në Shqipëri. Për kronikë më të mirë ekonomike në televizion çmimin e parë e mori gazetarja Ornella Liperi. Në edicion e shtatë me radhë të çmimit për gazetari ekonomike “Vangjush Gambeta”, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndau edhe dy çmime karriere që shkuan për gazetarin Ahmet Shaqri dhe Thanas Dino. Për herë të parë, këtë vit u ndanë dhe certifikata për fotoreporter më të mirë të vitit, ndërsa fitues ishte Armando Babani, si dhe çmimi për raporti investigativ më i mirë i vitit shkoi për gazetarët Artan Rama ,Endrit Habilja, Jetmir Olldashi dhe Evi Veliu, njëherësh staf i emisionit “Publicus” për kronikën “Kodrina e Vdekjes”. Ndarja e çmimeve fitues për gazetari ekonomike “Vangjush Gambeta” u bë nga kryeparalamentari i Shqipërisë, Ilir Meta. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u organizua nga dy drejtuesit e Organizatës së Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandar Çipa dhe Anila Basha, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Unioneve të Gazetarëve nga Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Gjirokastra. Për herë të parë, ceremonia e ndarjes së çmimeve ekonomike “Vangjush Gambeta” filloi në vitin 2009 dhe mbështetet financiarisht nga kompania “Japan Tobacco International” (JPI). Çmimi i gazetarisë ekonomike “Vangjush Gambeta” është çmimi më i lartë që ndahet në Shqipëri dhe ky është viti i shtatë me radhë ku morën pjesë gazetarë ekonomik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.