Një angazhim afatgjatë për shëndet të mirë dhe ushtrime është qasja më e mirë për të arritur shëndetin e përgjithshëm të trupit, por edhe nëse dikush fillon të ushtrohet gjatë jetës, kjo do të ndihmojë në vonimin e shfaqjes së dobësisë fizike dhe humbjes së peshës
Sipas një studimi të ri, të moshuarit që nuk kanë bërë kurrë ushtrime në jetën e tyre kanë po aq mundësi të përmirësojnë masën e muskujve dhe shëndetin e përgjithshëm si ata që kanë ushtruar për shumë vite, kurdo që ata zgjedhin të fillojnë të ushtrohen. Studimi i kryer nga Universiteti i Birmigham, tregon se potencial i të moshuarve që nuk kanë marrë pjesë në një program stërvitje është i njëjtë me ata që janë stërvitur për vite me radhë.
Studimi i botuar në Frontiers in Physiology tregon se për të arritur në këtë përfundim, shkencëtarët krahasuan mundësinë e rritjes së masës muskulore në dy grupe të burrave të moshuar. Grupi i parë u karakterizua si “sportistë me përvojë”, të cilët gjithmonë ishin ushtruar dhe ende garonin në një nivel të lartë në sportin e tyre, ndërsa grupi i dytë përbëhej nga individë të shëndetshëm të së njëjtës moshë (midis 70 dhe 80 vjeç), të cilët nuk kishin bërë kurrë program ushtrimesh. Secili pjesëmarrës mori direktivat stërvitore. Studiuesit biopsikuan muskujt e pjesëmarrësve gjatë periudhave 48-orëshe paraprake dhe menjëherë pas stërvitjes në mënyrë që të gjenin shenja se si muskujt iu përgjigjën ushtrimit. Sonda e izotopit tregoi gjithashtu se si proteinat zhvillohen në muskul.
Studiuesit prisnin që atletët me përvojë do të kishin një aftësi të rritur të masës së muskujve për shkak të niveleve të tyre më të larta të fitnesit për një periudhë të zgjatur kohe. Në fakt, rezultatet treguan se të dy grupet kishin të njëjtën aftësi për të rritur masën e tyre të muskujve përmes stërvitjes. “Studimi ynë tregon qartë se nuk ka rëndësi nëse nuk jeni një nga personat që ushtroheni rregullisht gjatë jetës. Ju mund të korrni përfitimet e ushtrimeve sa herë që filloni stërvitjen. Natyrisht, një angazhim afatgjatë për shëndet të mirë dhe ushtrime është qasja më e mirë për të arritur shëndetin e përgjithshëm të trupit, por edhe nëse dikush fillon të ushtrohet gjatë jetës, kjo do të ndihmojë në vonimin e shfaqjes së dobësisë fizike dhe humbjes së peshës”, tregon studiuesi kryesor Dr.Leigh Breen.
“Udhëzimet për forcimin e muskujve për njerëzit e moshuar shpesh janë mjaft të paqarta. Ajo që është e nevojshme është një udhëzim më specifik se si individët mund të përmirësojnë forcën e muskujve të tyre edhe jashtë palestrës, përmes aktiviteteve që të gjithë mund të bëjnë në shtëpi. Aktivitete të tilla përfshijnë kujdesin për kopshtin, ngjitja lart e poshtë shkallëve. Ato janë ushtrime që mund të ndihmojnë, nëse bëhen rregullisht”, është shprehur Dr.Leigh Breen.