Fabio Koentrao është padyshim një emër shumë i njohur në futbollin europian, edhe pse në vitet e fundit ka qenë shumë larg formës së periudhës kur luante e shkëlqente me fanellën e Real Madrid dhe të Portugalisë. Mbrojtësi i majtë 31-vjeçar po kërkon të kthehet përsëri protagonist dhe synon një aventurë të re, ndërsa duket i gatshëm që t’i bashkohet një ekipi ku mund të luajë rregullisht në arenën europiane.
Lojtari i cili numëron 52 ndeshje me Portugalinë, ka hyrë në bisedime me klubin e PAOK, ku aktivizohen aktualisht edhe Ergys Kaçe me Enea Mihajn. Koentrao është në bisedime për një kontratë njëvjeçare dhe sipas shtypit grek, palët janë shumë pranë akordit për të finalizuar një marrëveshje.
Koentrao u transferua në vitin 2011 për 30 milionë euro nga Benfika te Real Madrid ku qëndroi deri në vitin 2018, edhe pse në fund u huazua fillimisht te Monako pastaj te Sporting i Lisbonës. Në edicionin e fundit ai ka luajtur te Rio Ave në Portugali, duke arritur që të linte pas problemet fizike që nuk e lejuan të bëhej pjesë e Portugalisë në triumfin në Euro 2016.