Trajneri Ronald Koeman thumbon Mesin, duke deklaruar se kapiteni i Barçës mund të japë shumë më tepër në fushën e lojës. 57-vjeçari holandez foli gjerë e gjatë për situatën aktuale të Barcelonës, në prag të “El Clasico”-s së parë të sezonit, si dhe impenjimit të skuadrës “blaugrana” në Kupat e Evropës. Pas disfatës së kampionëve në fuqi ndaj Cadizit, për më tepër brenda në stadiumin “Alfredo di Stefano”, ekipi katalanas nuk arriti dot të përfitojë ndaj Getafe-s. Po në rrethinat e kryeqytetit spanjoll, skuadra e Barcelonës doli duarbosh nga “Coliseum Alfonso Perez”, pas 11-metërshit të shndërruar në gol në fillimin e pjesës së dytë nga ana e sulmuesit vendas Jaime Mata. Pas një pjese të parë të mirë Barça vuajti ndjeshëm në fraksionin e dytë të lojës, madje në 45’ e dytë skuadra e drejtuar nga trajneri Ronald Koeman nuk e gjeti asnjëherë portën e Getafe-s. Diçka vërtet tepër e rrallë për një skuadër si Barcelona që ka dominuar ndër vite në Primera Division, duke fituar plot 8 nga 12 edicionet e fundit të kampionatit spanjoll.
Në konferencën e tij për shtyp ish-trajneri i përfaqësueses holandeze pranoi se mund të ketë kritika në adresë të skuadrës, por gjithsesi ai shtoi se nuk është i zhgënjyer me rendimentin e futbollistëve. Ronald Koeman rrëfeu se nuk e konsideron ekipin e Barcelonës si klubin absolutisht favorit për të triumfuar në Champions League dhe ish-mbrojtësi i famshëm i skuadrës “blaugrana” shpjegoi se për të kjo javë nuk është se ka ndonjë diferencë shumë të madhe me javët e tjera. Sipas tij çdo javë është e veçantë, madje Koeman shtoi se kjo javë nuk është më e rëndësishme se javët e tjera.
Koeman deklaroi se përveç suksesit në takimin e mesjavës atij i intereson gjithashtu që skuadra të luajë mirë, për të fituar në këtë mënyrë edhe qetësinë e duhur. Trajneri holandez tha se një klub si Barcelona ka gjithmonë presion për t’i fituar ndeshjet, por sipas tij është po aq e rëndësishme që Barça t’i fitojë përherë të gjitha ndeshjet në shtëpi.
Trajneri Ronald Koeman shpjegoi se ka zhvillime në klub, jashtë fushës së lojës ku skuadra nuk mund të influencojë. Ai pranoi se ekipi ka nevojë për kohë, pasi në gjirin e skuadrës ka lojtarë të rinj që janë afruar, sidoqoftë Koeman shtoi se pavarësisht momenteve të ndërlikuara dhe vështirësive që has në mënyrë të kuptueshme çdo ekip skuadra është optimiste dhe shikon me besim përpara.
57-vjeçari qartësoi se nuk ka ndërmend aspak për ta ruajtur ekipin për sfidën me Realin. Sipas trajnerit aktual të hënën një ditë si e shtuna është krejtësisht e parëndësishme, ngaqë duhet menduar për duelin ku Barcelona do të udhëtojë drejt Torinos, për të matur forcat me Juventusin. Kur u pyet në lidhje me topat e shumtë që humbi Dembele në takimin me Getafen, Koeman e justifikoi 23-vjeçarin francez duke shpjeguar se kjo gjë ndodh për shkak të mënyrës së tij të lojës.
Për Messin, Koeman tha se shihet me kapitenin çdo ditë dhe sipas tij ylli argjentinas është i lumtur dhe dëshiron të luajë përherë. Ronald Koeman deklaroi se nuk ka as dyshimin më të vogël për rendimentin e 33-vjeçarit nga Rosario, por gjithsesi ai është i bindur që në një kohë të tillë Leo mund të japë akoma më shumë. Mungesën e golave të shënuar nga ana e Mesit Koeman e lidhi me fatin e keq, ndërkaq trajneri holandez mbrojti rendimentin e shënimit të golave nga ana e skuadrës, duke kujtuar se ekipi që ai drejton ka realizuar 8 gola në katër ndeshje dhe për hir të së vërtetës vetëm kryesuesit e Real Sociedad-it kanë shënuar më shumë në Primera Division.
Ronald Koeman tha se është i kënaqur nga Pedri dhe Ansu Fati, e ai nuk e përjashtoi mundësinë që këta dy futbollistët të luajnë bashkë, ndërsa për Antoine Griezmann 57-vjeçari shtoi se sulmuesi francez është ndërgjegjshëm për situatën, prandaj sipas tij gjithçka është në dorën e vetë futbollistit, duke lënë të kuptohet se vështirësi të tilla çdo lojtar i kalon vetëm në sajë të punës.
El Clasico me kampionët në fuqi është planifikuar për t’u luajtur të shtunën e ardhshme, në orën 16:00 në stadiumin “Camp Nou” dhe kurioz është fakti që të shtunën e kaluar Barça dhe Reali pësuan humbje në të njëjtën ditë, pa shënuar as gol, diçka që ndodh vetëm për herë të dytë në tre dekadat e fundit, në Primera Division, pas 6 majit të vitit 2000 kur ndodhi ekzaktësisht po e njëjta gjë mes dy klubeve më të rëndësishme të futbollit spanjoll.