Tre premtime madhore janë bërë për Kodrën e Diellit, por se asnjëra nuk u realizua deri më sot. Mungojnë rrugët, ndriçimi publik, ambulanca dhe ski-liftet…
Urim HASIPI
Tetovë, 22 maj – Më shumë se 20 vite në Kodrën e Diellit nuk është bërë asnjë investim. Ndërkaq, që nga koha e monizmit, në këtë pikë turistike mungojnë investimet kapitale. Rruga që çon në këtë qendër turistike në shumë vende është e dëmtuar, shkruan gazeta KOHA. Problem në vete në Kodër të Diellit është edhe ndriçimi publik, infrastruktura rrugore, mbeturinat që hidhen gjithandej. Banorët e vikend-shtëpizave vite me radhë kanë kërkuar të rregullohet çështja e ndriçimit publik dhe rregullimi i infrastrukturës, por kërkesat gjithmonë kanë hasur në vesh të shurdhër. Që nga viti 2001 është jashtë funksionit edhe teleferiku kryesor nga Tetova për në Kodër të Diellit, i cili as që përmendet nëpër investimet kapitale dhe ka ngelur vetëm një relikt nga e kaluara.
Qytetarë të organizuar në një shoqatë “Të shpëtojmë Kodrën e Diellit”, disa herë ka kërkuar që Qeveria të ftojë investitorët e huaj që kanë përvojë në menaxhimin dhe zhvillimin e qendrave turistike. Qeveria ka bërë të ditur se kompania ELEM TURS, e cila menaxhon me Kodrën e Diellit, nga 1999 nuk do të jetë menaxhuese e terreneve për skijatorë. Ndonëse është tërheqëse për dimrit për shkak të terreneve të përshtatshme për skijim, po ashtu gjatë verës karakterizohet me natyrën e bukur, ajrin e pastër dhe shumë bukuri tjera të rralla që janë ideale për turizmin veror, por ky lloj i turizmit është pothuajse i vdekur në këtë pjesë të Tetovës.
Në vitin 2012, Qeveria kishte miratuar një master-plan për Kodrën e Diellit, e cila parashikonte ndërtimin e hoteleve të reja, vendparkime dhe ski lifte. Por edhe përskaj kësaj, asgjë nuk u realizua sot e 6 vite. Para tre vitesh kishte edhe një tentim të pasuksesshëm që të krijohet një liqen artificial në pjesën qendrore të Kodrës së Diellit, i cili do të duhej që të përdorej për rekreim dhe për krijimin e dëborës artificiale, por që nuk u realizua asnjëherë.
Edhe para dy vitesh filloi të ndërtohet një ski-lift me gjashtë ulëse dhe në dy raste, për shkak të mos respektimit të ligjeve, punimet u ndërprenë. Nga Këshilli iniciativ për shpëtimin e Kodrës së Diellit kohë më parë kërkoi nga kompania që menaxhon me Kodrën e Diellit të zgjohet nga gjumi dhe të rregullojë infrastrukturën e kësaj qendre turistike, të riaktivizoj teleferikun Tetovë-Kodra e Diellit, të rregulloj ski liftet, qendra të ketë ambulancën e saj parkingje, infrastrukturë e kështu me radhë.
Rruga që kalon përmes vikend-shtëpizave është e dëmtuar dhe e parregulluar, ndërsa krahas kësaj mungon edhe ndriçimi publik. Banorët e janë ankuar për këtë gjendje duke kërkuar që sa më shpejtë të rregullohet kjo pjesë. “Rruga është e krejt me gropa, pothuajse e pakalueshme. Nëse kjo pjesë është vend turistik, atëherë duhet të rregullohet dhe asfaltohet, sepse kështu nuk i ngjan një vendi turistik. Kështu nuk tërhiqen turistët, por në këtë mënyrë i largojmë ata nga ky vend. Po ashtu, edhe ndriçimi publik nuk funksionon që moti, natën ka qen endacak dhe është frikë për banorët që vijnë gjatë vikendit këtu të pushojnë”, thotë një banor në Kodrën e Diellit. Gjatë periudhës së kaluar, në Kodrën e Diellit mbahej manifestimi “Kupa e Malit Sharr”, Festivali Ndërkombëtar i Çiklizmit malor dhe vrapim malor. Po ashtu edhe universitetet dikur organizonin gara në skijim, por pjesa më e madhe e këtyre aktiviteteve tashmë i kanë mbetur vetëm të kaluarës. (koha.mk)