Investitorët e huaj dhe vendor duhet mbështetur për shkak se industria dhe prodhimi janë bazamenti kryesor i zhvillimit të një shteti dhe sidomos atij në zhvillim e sipër, mirëpo nuk duhet lënë pas dore dhe anashkaluar as sektorin e shërbimeve dhe turizmit, industrinë e përpunimit të drurit, prodhimit të ushqimeve bio dhe të shëndetshme, vjeljes dhe kultivimit të çajërave dhe bimëve të tjera mjekësore e kështu me radhë
Nga Fisnik Pasholli
Vështirë apo edhe e pamundur është si shtet të krahasohemi me një Austri apo me Zvicrën që edhe pa dalje në det, nga turizmi fiton më shumë se 28 miliardë franga apo më shumë se tre herë nga një Kroaci me detin Adriatik. Me siguri se është jo falënderuese të krahasohemi me një Zvicër që ka të zhvilluar edhe turizmin masovik edhe atë për klientit me xhep më të thellë dhe ku në mesatare harxhohet bile 240 franga në ditë apo gati një pagë minimale në Maqedoni. Mirëpo nuk ka pse të mos i afrohemi dhe pse jo edhe ti tejkalojmë nesër, qendrat dimërore nga rajoni si si Jahorina me 46 kilometra të shtigjeve alpine dhe 10 kilometra të shtigjeve nordike ku falë edhe sistemeve për borë artificiale, sezoni i skitarisë zgjat 130 ditë apo mbi katër muaj, ndërsa numri i skiatorëve ka arritur në vitet e kaluara edhe në mbi 6000 në ditë.
Mirëpo, lënia pas dore për vite me radhë e Kodrës së Diellit , mungesa e investimeve më serioze në infrastrukturën e saj, problemet me parkingun, ndriçimit, teleferikun, etj bëjnë që ajo të mos jetë interesante për investime serioze në hotele, objekte gastronomike…..
Për çdo vjet flitet për potencialin që ofron Kodra e Diellit për turizëm, mirëpo mundësitë e mëdha sikur mbeten në harresë dhe nuk po shfrytëzohen për investime dhe punësime të reja, për përmirësimin e mirëqenies së popullatës së kësaj ane, apo edhe për mundësinë që mërgimtarët të mos ikin patjetër në kurbet, por të kenë mundësinë që nesër të punojnë dhe fitojnë në vendlindjen e tyre dhe jo në mërgim. Shpresojmë që edhe paralajmërimet qeveritare për revitalizimin e Kodrës së Diellit deri në fund të vitit do të rezultojnë edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve me investitorët serioz që do të kenë dije, traditë, menaxhment dhe të holla që të zgjojnë nga gjumin “bukuroshen e fjetur” të malit Sharr. Nesër nëse ndiqen trendet moderne të turizmit malor që nënkupton një sezon prej 12 muajsh, Kodra e Diellit mund të punësojë me mijëra e mijëra të rinj, dhe atë disa herë më shumë se fabrikat për të cilin po lusim investitorët e huaj dhe i subvencionojnë me stimulime jo të vogla.
Në rast se ofrohen pako të volitshme edhe për investimet në perlën e turizmit dimëror në vend, në Kodrën e Diellit siç janë ndihma shtetërore në vlerë prej 30 për qind të vlerës së investimit të planifikuar , lirimit të caktuar nga pagesa e tatimit në fitim, tatimit personal në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme , kompensimet për trajnime dhe rikualifikimet e punëtorëve, si dhe siguri më të madhe për investime, pse të mos kemi edhe interesimin në rritje për të ndërtuar një hotel modern , një restorant luksoz etj. Pse të mos ofrohet edhe rregullim falas i tokës ndërtimore, lejet falas ndërtimore dhe kyçje pa pagesë të ujit, kanalizimit, me kusht të investimit në limite të caktuara dhe punësimit për çdo vit të numrit të caktuar të punëtorëve.
Ringjallja e saj do të ishte edhe një ndihmesë dhe mbështetje për ringritjen ekonomike të Pollogut, me kusht që të krijohet një ambient për investime në atraksione të ndryshme dimërore dhe verore që do të tërheqin turistë të huaj. Ofertat e ski qendrave në rajon dhe botë përmbajnë edhe vozitje panoramike , me biçikleta nëpër natyrë, përjetimin e aventurave me vozitjen me veturat e terrenit si kvad dhe xraycer, shëtitjen në shtigjet e shënuara malore.
Mund të ofrohen edhe fluturimet paraglajding, peintboll dhe aventura të tjera për dashamirët e aktiviteteve ekstreme përplot me adrenalin. Një problem tjetër që duhet të zgjidhet me rregulla të qarta të lojës është edhe mundësia e ndërtimit të shtëpive vikend që nesër do të zhvillojë edhe tregun e patundshmërive për blerësit vendor dhe të huaj.
Investitorët e huaj dhe vendor duhet mbështetur për shkak se industria dhe prodhimi janë bazamenti kryesor i zhvillimit të një shteti dhe sidomos atij në zhvillim e sipër, mirëpo nuk duhet lënë pas dore dhe anashkaluar as sektorin e shërbimeve dhe turizmit, industrinë e përpunimit të drurit, prodhimit të ushqimeve bio dhe të shëndetshme, vjeljes dhe kultivimit të çajërave dhe bimëve të tjera mjekësore e kështu me radhë. (koha.mk)