Ndryshimet në Kodin Zgjedhor presin dritë jeshile nga VMRO-DPMNE që më pas të miratohen. Kështu thotë ministrja e Drejtësisë, ndërsa siguron se Kodi Zgjedhor nuk mund të pësojë ndryshime pa konsensus të gjerë politik
Destan JONUZI
Shkup, 22 janar – Ndryshimet në Kodin Zgjedhor po zvarriten nga VMRO-DPMNE. Kështu ka thënë në prononcim për gazetën KOHA, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ndërsa ka shtuar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor me rekomandimet e OSBE-ODHIR-it i janë dorëzuar VMRO-DPMNE-së opozitare në shqyrtim, por ende nuk ka përgjigje nga ata. “Ministria e Drejtësisë pret përgjigje nga VMRO-DPMNE për atë që ua ka dërguar grupi i punës për Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor pa pajtueshmëri të partive relevante politike nuk ndryshohet. Teksti i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është hartuar sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it dhe në atë formë i është dërguar edhe VMRO-DPMNE-së për shqyrtim. Presim nga ata përgjigje që të veprojmë sa më parë”, deklaroi për KOHA, ministrja Deskoska.
Nga VMRO thonë se së shpejti do të kthejnë një përgjigje. “Rekomandimet e OSBE-ODHIR-it kanë qenë pjesë edhe e vërejtjeve tona. Gjithçka që është për të mirë të një procesi të drejtë dhe demokratik zgjedhor do të mbështesim. Po ashtu jemi të gatshëm të mbështesim edhe nivelizimin e njësive zgjedhore. Për gjithçka në kohë do të informohet opinioni e me këtë – edhe ministrja e Drejtësisë”, thonë nga VMRO-ja. Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së, thotë se rekomandimet e OSBE-ODHIR-it sa i përket zgjedhjeve dhe mangësive janë çështje që kërkojnë zgjedhje institucionale. “Është normale që organet të cilat propozojnë plotësim ndryshime në Kodin Zgjedhor të tentojnë që sa më shumë rekomandime ti inkorporojnë në ligj. Kodi Zgjedhor duhet të jetë në harmonizim me të gjitha normat juridike në vend”, thekson Shabani.
Një tjetër problem tejet serioz është edhe disbalanci i numrit të votuesve nëpër njësi zgjedhore. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) konfirmojnë se problemi është evident në katër njësi zgjedhore. “Njësia zgjedhore numër dy është ajo e cila e kalon pragun plus 5.49 për qind, njësia zgjedhore numër tre minus 7.31 për qind, njësia zgjedhore numër katër minus 6.16 për qind dhe njësia zgjedhore numër gjashtë me plus 8.32 për qind”, konfirmojnë nga KSHZ për gazetën KOHA. Sipas normave ligjore, ky disbalanc paraqet shkelje të Kodit Zgjedhor. Në nenin 4 të Kodit thuhet se në njësitë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, numri i votuesve mund të lëvizë më së shumti nga minus 5% deri në plus 5% në përputhje me përqindjen e votuesve në njësinë zgjedhore.
Ndryshe, Parlamenti pritet të shpërbëhet më 12 shkurt, ndërsa partive parlamentare dhe Ministrisë së Drejtësisë i ka ngelur edhe shumë pak kohë që të dakordohen për këto ndryshime të rëndësishme për një procesi të lirë dhe demokratik zgjedhor. (koha.mk)