Shkup, 28 maj- Propozim-Kodi etik i Kuvendit, i cili u harmonizua nga ana e grupeve të deputetëve në takimin e parë në kuadër të procesit Zhan Mone në Ohër, do të vendoset në rend të ditës të caktuar për 11 qershor, njoftoi MIA.
Në vijim është nënshkrimi nga ana e kryetarit, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve të Propozim-Kodit etik, i cili gjatë javës edhe zyrtarisht do të hynte në procedurë të Kuvendit.
Qëllimi i miratimit të këtij dokumenti është respektimi i rregullave themelore etike dhe afirmimi i dinjitetit për ruajtjen e autoritetit të Kuvendit dhe të deputetëve. Kodi etik përmban kapituj me parime, opinion dhe përgjegjësi, për respektimin e ndërsjellë dhe respektimin e integritetit personal të tjerëve, rregullat themelore të sjelljes, rregullat për pengimin e përplasjes së interesave, ndalesë për korrupsion dhe dhurata…
Për ndryshimet e Rregullores së Parlamentit, të cilat ishin po ashtu një nga çështjet kryesore të Procesit Zhan Mone, grupet e punës të partive politike, sipas marrëveshjes, duhet definitivisht të prononcohen deri nga mesi i qershorit. Propozim-ndryshimet e tilla të Rregillores do të vendosen në procedurë të Kuvendit.
Anëtarë të grupeve të punës të partive parlamentare janë të njëjtit të cilët morën pjesë në bisedat në Ohër.
Bisedat në kuadër të Procesit Zhan Mone janë inicuar nga tre eurodeputetët Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn.
Përveç Propozim-Kodit etik në seancën e 47-të në rend të ditës është raporti për përparimin e KE-së për Republikën e Maqedonisë.