Ndërtimtarët presin që ndryshimet e reja ligjore në punësim të rregullojnë më shumë çështje si kushtet më fleksibile për punësim, pagesa e orëve shtesë të punës, llojeve të marrëdhënies së punës e kështu me radhë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 shkurt – Kompanitë ndërtimore presin ditë më të mira, rritje të punës dhe tejkalim definitiv të krizës në këtë sektor që e rëndoi punën e tij sidomos në vitin 2018. Mirëpo nga Oda e ndërtimtarëve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë presin nga shteti që të mos zgjidhë në momentin e fundit çështjet e harmonizimit të ligjeve në ndërtimtari me legjislacionin evropian, si dhe të përmirësojë ligjet që kanë të bëjnë me punësimin e punëtorëve, shkruan gazeta KOHA. “Në një vit parazgjedhor vështirë është të parashikohet se si do të lëvizin çmimet e banesave në vend. Mirëpo, si odë mund ti porositim blerësit që më shumë ti kushtojnë vëmendje cilësisë së ndërtimit të banesave në raport me lokacionit ku ndërtohen ndërtesat. Njëherësh presim që ky sektor pas vitit 2018, si më i keqi në periudhën e kaluar, të vazhdojë jo vetëm me stabilizimin e punës së tij por edhe me rritjen e mëtejshme”, thotë Andreja Serafimovski, kryetar i Odës së ndërtimtarëve pranë Odës ekonomike të Maqedonisë.
Sipas tij, në nëntë muajt e parë të viti 2019 është shënuar rritje e sektorit të ndërtimtarisë për 5.63 për qind, ndërsa edhe në vitin 2020 mund të pritet treg stabil, si dhe rritje e ndërtimtarisë. Sipas tij ky optimizëm mbështete edhe në realizimin e 78 për qind të investimeve publike në vitin 2019, si dhe tek 23.4 miliardë denarë të parashikuar për investimet publike në vitin 2020, si dhe 12 miliardë denarë të investimeve që pritet të realizojë ndërmarrja shtetërore e rrugëve. Sfidë për ndërtimtarinë në të ardhmen do të jenë miratimi Kodeve evropiane që do të zëvendësojnë standardet e ndërtimit nga ish Jugosllavia që sidomos trajtojnë fushat e rrezikut të dëmtimeve nga tërmeti thonë ndërtimtarët.
“Në favor të rritjes së këtij sektori është miratimi cilësor dhe me kohë i Euro Kodeve që nuk guxon vetëm të përshkruhet apo huazohet nga ndonjë shtet tjetër siç ka ndodhur në më shumë zgjidhje tjera ligjore që janë miratuar pesë në dymbëdhjetë që më vonë kanë pasur probleme me implementimin në praktikë”, thekson Serafimovski. Sipas tij, një problem tjetër që kërkon zgjidhje është edhe miratimi i një ligji më liberal të punësimit në favor të rregullimit më të mirë të tregut të punës sidomos në ndërtimtari së bashku me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Ndërtimtarët presin që ndryshimet e reja ligjore në punësim të rregullojnë më shumë çështje si kushtet më fleksibile për punësim, pagesa e orëve shtesë të punës, llojeve të marrëdhënies së punës e kështu me radhë. Ai shton më tej se vetëm kompanitë anëtare të kësaj ode dominojnë bizneset me pak të punësuar, apo mbi 80 për qind kompanive kanë të punësuar prej 1-9 punëtorë që si dobësi pritet të përmirësohet në vitet e ardhshme. Ndërtimtarët nuk presin që të shtrenjtohen banesat pasi Komisioni Rregullator për Energjetikë kërkon që të gjithë investitorët që ndërtojnë objekte banimi të kenë obligim që ndërtesat t’i kyçin në sistemin e Ngrohjes qendrore të Qytetit. Sipas ndërtimtarëve një obligim i tillë më shumë paraqet një përgjegjësi shoqërore për bizneset e ndërtimit se sa një mundësi për të rritur fitimin.
Ndryshe, pjesëmarrja e vlerës së shtuar të ndërtimtarisë në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në dhjetë vitet e kaluar lëvizte ndërmjet 5 deri 7 për qind, apo nga 500 deri 700 milionë euro. Në vitin 2018 në ndërtimtari ka pasur 4938 kompani me mbi 56 mijë të punësuar. (koha.mk)