Në funksion të kësaj, të enjten në Parlament, Ferdinand Melen-Sukramanien, profesor i së drejtës dhe ekspert i etikës në Asamblenë Nacionale të Republikës së Francës, mbajti një ligjëratë mbi përvojat që ka kaluar Franca në sanksionimin e sjelljes së deputetëve dhe në përmirësimin e kulturës parlamentare
Fatos RUSHITI
Shkup, 10 maj – Në Parlamentin e Maqedonisë, në prag të fillimit të dialogut Zhan Monet që do të mbahet në Ohër, po bëhen përgatitur për tekstin e Kodit Etik që do ti prezantohet të gjitha partive parlamentare. Pikërisht tejkalimi i sjelljes parlamentare ndër më të theksuarat në vitin 2012 me nxjerrjen e opozitës jashtë nga ana e sigurimit dhe ngjarjet e dhunshme të 27 Prillit të vitit të kaluar, ka bërë që për herë të parë të veprohet seriozisht me nxjerrjen e Kodit të Etikës enkas për sjelljen e deputetëve dhe personave tjerë zyrtarë në Parlamentin e Maqedonisë. Përveç Kodit të Etikës, në kuadër të dialogut Zhan Monet do të prezantohet edhe draft-rregullorja e re Parlamentit, e cila duhet të marrë miratimin e të gjithë deputetëve, përfshirë dhe atyre opozitar. Në funksion të kësaj, të enjten në Parlament, Ferdinand Melen-Sukramanien, profesor i së drejtës dhe ekspert i etikës në Asamblenë Nacionale të Republikës së Francës, mbajti një ligjëratë mbi përvojat që ka kaluar Franca në sanksionimin e sjelljes së deputetëve dhe në përmirësimin e kulturës parlamentare.
Sukramanien si rast tipik përmendi Parlamentin kanadez dhe Parlamentin Evropian, si institucionet më të avancuara në transparencën për sjelljen deputetëve, udhëtimeve të tyre private, harxhimet jo rezidente, dhe veprimet tjera brenda vetë institucionit. “Etika parlamentare është bazë e krijimit të besimit në Parlament. Ajo duhet të përfshijë çdo deklaratë të deputetit, listën anketuese, lidhjet e tij me biznesin, interesat pritave… Në Francë ekziston parimi që për çdo dhuratë mbi 150 euro, deputeti të konsultohet me ekspertin etik të Parlamentit. Harxhimet rrugore për deputetët të paguhen në xhirollogari të pavarur me qëllim që kontrolli i tyre të jetë më i lehtë. Për çdo harxhim, qoftë edhe privat por me interes publik, deputeti duhet të konsultohet me ekspertin e etikës me qëllim që të merren masa preventive për keqpërdorime të mundshme”, tha Sukramanien.
Ambasadori francez në Shkup, Kristian Timonie kujtoi deputetët dhe kreun e Parlamentit se përbërja parlamentare duhet vet ta gjejë mënyrën e sjelljes etike. “Nuk duam t’ju japim mësim. Duhet vet ta gjeni mënyrën e sjelljes etike. Në këtë drejtim, shumica dhe opozita duhet të luajnë rol konstruktiv dhe të hartojnë bashkërisht Kodin Etik parlamentar. Praktika jonë mund të merret për bazë që juve të frymëzoheni”, tha ambasadori Timonie. Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi tha se Kodi Etik që është në fazën e përpilimit do të rrisë besimin në Parlamentin nga ana e qytetarëve.
“Në suaza të proceseve dhe standardeve demokratike është edhe ideja për nxjerrjen e Kodit për sjelljen etike të deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë. Ky Kod, i cili për momentin është në fazën e projekt-dokumentit, ka për qëllim ta rrisë besimin e qytetarëve dhe opinionit në vlerat themelore dhe integritetin e funksionit deputet si individ. Me këtë, do të rritet edhe besimi në Parlamentin si organ përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe bartës i pushtetit legjislativ”, theksoi Xhaferi. Ai vuri në dukje zotimin e tij që kur u zgjodh në krye të Parlamentit se sa të jetë në këtë funksion nuk do të lejojë që ngjarjet negative të përsëriten.
“Ndërtimi i demokracisë parlamentare nuk është detyrë e lehtë asnjëherë. Ndonjëherë ndodhin edhe ngjarje për të cilat dëshirojmë kurrë të mos kishin ndodhur ose po ngjarje për të cilat publiku vendor dhe bashkësia ndërkombëtare do e drejtojnë gishtin kah ne. Unë, në cilësinë e kryetarit ë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, që në fillimin e mandatit tim deklarova se nuk do të lejoj të përsëriten ngjarjet negative nga periudha e kaluar, ngjarje të cilat lanë njollë të errët në historinë e ndërtimit të demokracisë sonë parlamentare të re. Për këtë nevojitej përpjekje mbinjerëzore dhe punë jashtëzakonisht e madhe mirëpo, me angazhimin e pashtershëm të të gjithë aktorëve politikë, sot mund të them se arritëm të kthehemi kah vlerat dhe standardet e vërteta demokratike të cilat nevojiten që të vendoset dialog i vërtetë politik dhe harmonizim i qëndrimeve për bërjen e reformave të duhura për të arritur atje ku e kemi përcaktimin tonë strategjik që nga pavarësimi, dhe kjo është anëtarësimi i plotfuqishëm në BE dhe në NATO.”, theksoi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.