Beograd, 28 janar – Perspektiva Evropiane e Maqedonisë së Veriut është shumë e sigurt në dritë të miratimit të marrëveshjes për emrin nga Athina dhe Shkupi, që në mënyrë të qartë u theksua prej liderëve të BE-së në qershor të vitit të kaluar, edhe pse deklaruan se është e domosdoshme që autoritetet e Maqedonisë të zbatojnë reforma të mëtejme.
Këtë sot në Bruksel e deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Bruksel nëse BE vlerëson se hapja e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut është e sigurt pas miratimit të marrëveshjes për emrin në Parlamentin grek, pasi edhe krahas kësaj, opozita greke me ndikim paralajmëroi se do ta bllokojë rrugën e Shkupit drejt BE-së, transmeton Koha.
Gazeta e Beogradit “Danas” në një analizë në këtë temë, e thekson portalin e Brukselit “Politiko”, në të cilin theksohet deklarata e Kiriakos Micotakis, lider i partisë opozitare greke Demokracia e Re, se rruga e Shkupit drejt BE-së do të ndërpritet “nëse nuk plotësohen interesat greke gjatë negociatave për anëtarësim”.
“Politiko”, e transmeton edhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se sa më shpejtë pritet thirrja që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim në NATO.
“Danas” duke iu referuar burimeve në BE, e transmeton qëndrimin e përgjithshëm të anëtarëve të Unionit, se tani duhet të hapet rruga për negociata për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, si edhe se pjesa më e madhe mediave në BE është i mendimit të tillë, edhe pse ekzistojnë paralajmërime, se ardhja në pushtet e opozitës greke mund ta vë në pikëpyetje rrugën e Shkupit drejt BE-së.
Gazeta franceze “Le Mond” në editorial, vlerëson se “drita e gjelbër” e Athinës për emrin e ri të Maqedonisë është “lajm i mirë për Ballkanin … dhe e hap rrugën e këtij vendi të vogël në Bashkësinë perëndimore”.
“Mond” vlerëson se edhe krahas asaj që për shkak të marrëveshjes me Shkupin “qeveria e kryeministrit grek Aleksis Cipras u shpërbë… ai e ka përforcuar pozitën e tij prej burrështetasi”.
Gazeta greke “Katimerini” thekson se “Greqia tani për herë të parë është pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit” dhe theksoi se Athina duhet të “tërheqë kapital diplomatik… edhe pse e gjithë kjo pati pasoja serioze për shoqërinë, pasi njerëzit e rëndomtë ishin të ndarë deri në nivelin e pafalshëm”.
Gazeta bullgare “Trud”, thekson se “Perëndimi prej kontestit për emrin (të Athinës dhe Shkupit) u paraqit si fitues” dhe se është “e vërtetë se amerikanët dhe evropianët (veçanërisht gjermanët) kanë kryer presion ndaj Greqisë dhe Maqedonisë për të arritur marrëveshje”.
“Betejë e madhe gjeopolitike është duke u zhvilluar në Ballkan”, vlerëson gazeta bullgare, duke shtuar se “interesat e Perëndimit këtu janë në kundërshtim me interesat e Rusisë, të cilën në mënyrë të fshehtë e ndjekin edhe Kina edhe Turqia”.
“Marrëveshja për emrin (e Athinës dhe Shkupit) është pjesë e kësaj loje të rrezikshme”, vlerëson “Trud”. (koha.mk)