Shkup, 15 mars – Shqiptimi i masës së paraburgimit ndaj biznesmenit Sead Koçan nënkupton shkelje të shprehjes së lirë. Ky ishte njëri prej argumenteve me të cilën Nikolla Dodevski, avokat mbrojtës i Sead Koçan, të mërkurën u paraqit para Gjykatës së Apelit, e arsyetonte kërkesën se pse kjo masë duhet të shfuqizohet, shkruan gazeta KOHA. Lidhur me këtë, avokati Dodevski tha se masa e paraburgimit për klientin e tij nuk është i nevojshëm. “Por, qëllimi i vetëm është që përmes kësaj masë të mbyllet dhe të heshtet mediumi të cilin ai e drejton. Nuk e di për cilat arsyet Prokuroria kërkon shqiptimin e masës së paraburgimit, mirëpo mendoj se kjo më tepër ka të bëjë se Sead Koçani, është pronar i televizionit Nova, dhe jo për shkakun se ka marrë pjesë në një tender”, potencoi avokati Dodevski. Duke sqaruar se akuza e Prokurorisë Speciale Publike është e pabazë, ai po ashtu tha se punën e fituar përmes tenderit ndërmarrja e ka realizuar me sukses, përpos për PSP-në, e cila siç tha Dodevski, e sheh s’i të parëndësishme se pajisjet (makineritë) e ofruara nga konzorciumi ka qenë të marrë me lizig, qera apo të blera. Dodevski gjatë prezantimit të mbrojtjes në shkallën e dytë të ankimimit të vendimit të Gjykatës Penale të Shkupit, potencoi se numri i të punësuarve që i ka poseduar kjo kompani ka qenë shumë herë më i lartë se atë që e kanë kërkuar kriteret e tenderit. “Prokuroria Speciale ka pasur një qasje diskriminuese kundër të akuzuarve. Për Koçanin kërkohet paraburgim, ndërsa për të akuzuarin tjetër – vetëm shqiptimin e masës së kujdesit. Megjithatë, arsyet kryesore se pse kjo prokurori kërkoi që Koçan të paraburgoset është lidhja e tij me mediumin. Dhe, në asnjë mënyrë me makinerinë. Në rast se dëshironi në mënyrë ligjore të arrestoni pronarë të një mediumit, ju do e shkelni nenin 10 të lirisë së shprehjes, që e ka miratuar Komisioni Evropian për liritë dhe të drejtat e njeriut”, shtoi avokati Dodevski. Në ndërkohë, gjykatësit Jani Niça, Liljana Shopova dhe Afrim Fidani janë treshi i cili duhet të vendos për ankesën e palës mbrojtëse lidhur me lëndë gjyqësor për rastin “Trust”. Paraburgimin e Koçanit, PSP e kërkoi pasi që ai – si pronar i kompanisë “Transmet”, dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e shteti për 17 milionë euro. Kjo masë nga GJPSH-ja, të akuzuarit të parë në rastin “Trust” iu shqiptuar të enjten e kaluar, ndërsa të njëjtën ditë – disa orë më pas, të akuzuarit i humben gjurmët dhe deri më sot ende nuk është i kapshëm për organet e rendit. Ndaj këtij personi MPB zyrtarisht ka njoftuar se ka lëshuar fletëarrest ndërkombëtar, ndërsa avokati Dodevski, thekson se klienti i tij është në udhëtim zyrtar. (koha.mk)