Askush nuk do ta pranojë hapur, por prirja për të nxjerrë kaq shumë kandidatë për kryeministër, në thelb fsheh një sëmundje tipike shqiptare: më mirë bajraktar në katund e të përçarë, se sa të bashkuar dhe me punë ekipore në qytet. Kosova me kaq shumë kandidat për kryeministra e me kaq pak konsensus nacional për temat e mprehta që e presin ardhmërinë e vendit, flet për fukarallëkun e skajshëm të kreativitetit politik.
Nga Emin AZEMI
Kosova me kaq shumë kandidat për kryeministra e me kaq pak konsensus nacional për temat e mprehta që e presin ardhmërinë e vendit, flet për fukarallëkun e skajshëm të kreativitetit politik. Në demokracitë e zhvilluara, madje edhe në disa shtete të lodhta të Ballkanit, siç është bie fjala Maqedonia, në skenë veprojnë jo më shumë se dy opsione politike-ideologjike, të cilat në çdo prag zgjedhjeje në vetvete absorbojnë pastaj një ‘koktej’ grupimesh e formacionesh njerëzish me afinitete pak a shumë të përafërta. Mbi këtë skemë zhvillohet edhe gara e atyre që mendojnë ta udhëheqin qeverinë e ardhshme, kurse garimi më tepër është i karakterit konceptual mbi ekonominë, sistemin pensional e shëndetësor, zhvillimin rural e më së paku i karakterit bajraktarist.
Ideja për të dalë kandidati për kryeministër nga çdo parti, tregon për një lajthitje që klasa politike e Kosovës e ka futur veten dhe mbarë milieun politik e social të vendit. Nëse krejt kësaj avarie konceptuale dikush do t’i atribuonte cilësime që lidhen gjoja me pluralizmin e ideve dhe me demokracinë e përzgjedhjes brendapartiake, atëherë do të thoshim se pikërisht ky vrap kaq i çmendur për të nxjerrë në garën parazgjedhore kaq shumë kandidatë për kryeministra, shkërmoq
madje pluralizmin dhe demokracinë. Nga lodhja irracionale që vjen pas këtij vrapi, pluralizmit dhe demokracisë nuk i mbeten pak brinjë për ta qarkulluar lirshëm frymëmarrjen e ideve dhe platformave zgjedhore.
Askush nuk do ta pranojë hapur, por prirja për të nxjerrë kaq shumë kandidatë për kryeministër, në thelb fsheh një sëmundje tipike shqiptare: më mirë bajraktar në katund e të përçarë, se sa të bashkuar dhe me punë ekipore në qytet. Koalicionet që po bëhen po nxjerrin si nus-produkt rigrupimin e radhës për ta shpëtuar partinë
nga erozioni i mëtutjeshëm, e jo për ta projektuar ardhmërinë e Kosovës mbi parametra evropian të zhvillimit. Këto koalicione nuk i bashkon platforma e përbashkët e ideve, e më së paku disa emra që paraqiten në maratonë kah fundi i vrapit,por më tepër i bashkon thesi i shqyer me cukla për të bërë një topth këmbe që do të kënaqte tifozët e një spektakli sportiv diku në një fshat të braktisur të Kosovës.
Në Kosovë ende ka sasi të mëdha të vullnetit irracional për të formuar parti politike në çdo lagje dhe nahi, dhe për rrjedhojë çdonjëri që merret sot me politikë atje veten nesër e sheh lider. Fundja asgjë s’ka të keqe të kesh ambicie lideriste, por kur kjo bëhet pa e konsoliduar mirë skenën politike me shtyllat kryesore të ‘brumit’ ideologjik-politik, atëherë i bie që në fund të gjithë të ngelin të uritur nga buka e ‘pa ardhur’ që shtrohet në sofrën e vobektë të ideve e koncepteve.
Në fund duhet të pajtohesh me trohat që krijohen nga fërkimet jokonceptuale të lojtarëve të vegjël të cilët veten e paramendojnë yje të mëdhenj të politikës. Për t’i ikur këtij erozioni simbiozash të çuditshme politike, Kosovës i kanë mbetur edhe pak orë për të shpëtuar garën zgjedhore nga fiaskoja morale e përfaqësimit të panatyrshëm të elektoratit, me një kosto që nesër askush nuk do ta merr për sipër ta kalkuloj si dështim personal. Te shqiptarët gjithmonë TË TEJRËT i kanë fajet!