KOALICIONET SHQIPTARO-MAQEDONSE. Pas zgjedhjeve, gjithçka e mundur!

Partitë politike shqiptare përveç Alternativës e cila me një këmbë është në koalicion me LSDM-në, nuk janë të gatshme që t’i futen një aventure parazgjedhore duke bërë koalicion parazgjedhor me partitë maqedonase. Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike thonë se meqë partitë politike bëjnë koalicione pas zgjedhore me partitë maqedonase, nuk është turp që të njëjtën ta bëjnë edhe para zgjedhjeve

Destan JONUZI

Shkup, 19 nëntor – Disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për 12 prill të vitit 2020, në bllokun politik shqiptar ka filluar debati për koalicionet e mundshme pas zgjedhore në rast se fiton përsëri LSDM-ja, ose eventualisht VMRO-DPMNE-ja. Liderët e partive politike shqiptare nuk kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit edhe me VMRO-DPMNE-në opozitare, në rast se ajo ka gatishmërinë që ti pranojë programet e tyre elektorale, ani pse kjo parti njihet për qëndrime anti-shqiptare të shfaqura hapur, shkruan gazeta KOHA.
Pasi që zakonisht koalicionet janë të mundshme pas zgjedhjeve, njohësit e zhvillimeve politike në vend, megjithatë, nuk përjashtojnë mundësinë që koalicione të mos mund të bëhen edhe para zgjedhjeve. Ndërkaq, partitë politike shqiptare dhe VMRO-DPMNE opozitare janë kundër kësaj forme të vepruarit.

“Konsideroj se kushtet nuk piqen nëse aktorët politik nuk përpiqen që ti pjekin ato. Aktorët politik shqiptarë i kanë pjekur kushtet deri më tani për të qenë në Qeveri me çdo opsion fitues maqedonas. Fakti që ato në Qeveri janë bashkë për mua nuk do të ishte asnjë befasi që të bëjnë koalicione paraprake para zgjedhor, që më pas mos ndeshën se kush do të jetë në koalicion Qeveritar, me tezat se ne e kemi fituar shumicën. Partitë shqiptare ashtu siç kanë vendosur të hynë në Qeveri, nuk është asnjë farë turpi që të shkojnë edhe në koalicion parazgjedhor, kuptohet nëse programet e tyre i kanë të përbashkëta”, vlerëson në prononcimin e tij për KOHA, Muhamed Halili, ish diplomat.

PËR VMRO-në, PROGRAMI DO TË JETË PRIORITET

Nga VMRO-DPMNE thonë se partia e tyre tanimë e ka finalizuar procesin e koalicionimit parazgjedhor, ku janë të përfshira edhe parti të komuniteteve jo maqedonase.
“Ne e kemi tash më koalicionin parazgjedhor “Për Ripërtritje”, në kuadër të së cilit kemi edhe parti të komunitetit jo maqedonas. Për momentin kështu qëndrojnë punët, ndërsa pas zgjedhjeve do të vlerësojmë se me cilën parti mund të futemi në koalicion. Parimi i fituesit te blloku maqedonase me fituesin te blloku shqiptarë, nuk ka qenë efektiv, kështu që për ne pas zgjedhjeve prioritet do të jetë programi i partisë me të cilën do të hymë në koalicion. Nëse kemi dallime programore atëherë nuk do të kishte kuptim as koalicion. Pra, programi do të jetë prioritet për marrëveshje për koalicion pas zgjedhor, pra për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE”, deklaroi për KOHA, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski.

VOTUESI SHQIPTAR NË FOKUSIN E ASH DHE BESËS

Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës thonë se orientimi i tyre strategjik është angazhimi për realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve si dhe zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.
“Si subjekt politik përfaqësojmë kërkesat politike të etnitetit shqiptar, por angazhohemi për të gjithë qytetarët tjerë të Maqedonisë së Veriut, për shtet të së drejtës, zhvillimin ekonomik, euro-integrime dhe mirëqenie sociale. Megjithatë objektivi ynë politik është i fokusuar për ta fituar legjitimitetin e votuesve shqiptar dhe për ti përfaqësuar ato. Me subjektet politike te bllokut maqedonas koalicioni mund te vije ne shprehje pas zgjedhjeve në bashkëqeverisje, në qoftë se ne fitojmë legjitimitetin e shqiptarëve. Megjithatë për bashkëqeverisje do të duhet të kemi harmonizim të programeve politike. Pra legjitimiteti dhe programi politik janë dy çështje që do ta përcaktojnë por edhe imponojnë koalicionin tonë dhe bashkëqeverisjen pas zgjedhjeve te parakohshme parlamentare”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Ndërkaq nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit vlerësojnë se në Maqedoni ende nuk janë pjekur kushtet për koalicione parazgjedhore të partive shqiptare me ato maqedonase. “Ne Maqedoninë e Veriut ende nuk janë krijuar kushtet për një koalicion parazgjedhor mes partive shqiptare dhe maqedonase. Koncepti i Lëvizjes BESA është që Maqedonia e Veriut mund të funksionojë vetëm mbi bazën e partneritetit politik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, prandaj detyrimisht çdo etnitet duhet të zgjedhë përfaqësuesit e vet. Prandaj, Lëvizja BESA nuk shqyrton asnjë mundësi për koalicion parazgjedhor me ndonjë parti maqedonase”, deklaroi për KOHA, Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Në këtë drejtim duket se më komode është Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila kërkon që opozita shqiptare të bashkohet me qëllim që ti bëjë ballë BDI-së, ndërsa për koalicione parazgjedhore me parti maqedonase edhe pse të provuar në zgjedhjet lokale të vitit 2017 me LSDM-në, kësaj herë nuk shprehen të interesuar.
“Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti u ka bërë ftesë publike partive opozitare që të bashkohen që ta fitojnë BDI-në në zgjedhje. Ne jemi të gatshëm të shkojmë të vetëm në zgjedhje dhe do të dalim fitues, për shkak të koherencës sonë politike dhe angazhimeve permanente për mirëqenie sociale dhe politike të shqiptarëve të Maqedonisë”, thonë nga BDI. Për LSDM-në në pushtet nuk paraqet asnjë problem nëse partia e tyre arrijnë ndonjë koalicion parazgjedhor me partitë shqiptare apo të cilido etnitet tjetër.
“Ne jemi parti që promovojmë koncept qytetarë, kështu që për ne nuk është asnjë problem që të futemi në zgjedhje në koalicion edhe me ndonjë parti shqiptare, ndërkohë që kemi anëtarë tonë shqiptar dhe parti të etnive tjera në koalicion. Për momentin nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim”, thonë për KOHA, nga LSDM-ja.

PIKËPYETJET E ALTERNATIVËS SË GASHIT

Nga ana tjetër, për shkak të një koalicioni të mundshëm të partive opozitare shqiptare ASH-Lëvizja BESA, Alternativa e Gashit e cila kohë më parë u shkëput nga partia e Bilall Kasamit mund të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LSDM-në e Zoaran Zaevit. Siç raportohet nga burime partiake, LSDM-ja tanimë i ka ofruar pozitën e 9 dhe 10 të listës për deputet në zonat zgjedhore një dhe dy për Aleternativën. Sipas projeksioneve të një koalicioni të tillë të mundshëm, nëse LSDM-ja i fiton zgjedhjet, do të tërhiqen nga pozita e deputetit bartësit e listave për pozita të ndryshme në ekzekutiv, ndërsa me këtë lëvizje partia e Gashit do të siguronte katër ulës në Parlament. Megjithatë deri më tani ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje. Ndërkohë, qëndrimi i ASH-së i shfaqur publikisht është se koalicioni ASH-BESA-Alternativa, është e vetmja formulë për rrëzimin e BDI-së nga Qeveria, ide kjo që kundërshtohet fuqishëm nga Lëvizja Besa. Ndërsa Lëvizja BESA është për koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, duke përjashtuar Alternativën nga treshja që kërkon Ziadin Sela. Ndryshe, Alternativa doli si parti e re pas përçarjes së Lëvizjes Besa, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017-të. Koalicioni mes Besës dhe Aleancës dështoi në zgjedhjet e fundit parlamentare. Të dy partitë asokohe mblodhën më shumë se 90 mijë vota, ose rreth 10 mijë vota më shumë se BDI-ja e Ali Ahmetit. Koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Besës mori jetë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2017, nën moton “Aleanca me Besë”, duke arritur që të fitojnë katër komuna. Në zgjedhjet presidenciale, Aleanca dhe BESA mbështetën kandidatin e vetëm shqiptar për president, Blerim Reka, duke grumbulluar më shumë 80 mijë vota. (koha.mk)