Koalicionet parazgjedhore shqiptaro-maqedonase nuk janë ndonjë “tradhti” kombëtare, por vetëm një lajthitje, për shkak se tek ne nuk është praktikuar në këtë formë politika. Në fakt, i ngjanë maza pelës, nëse abstenohen koalicionet parazgjedhore shqiptaro-maqedonase, ndërsa pas zgjedhjeve ato koalicione përsëri ndodhin, që ndryshojnë vetëm për nga forma e jo edhe për nga thelbi. Ky është ai rrethi vicioz, por i pashmangshëm…
Destan JONUZI
Shkup, 20 shkurt – Ideja e koalicioneve mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase ende ekziston. Edhe pse plani i parë, siç mëson KOHA nga burime partiake, ka qenë që koalicionit të LSDM-së në zgjedhje ti bashkohet Alternativa e Gashit dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit, ndërsa ASH-ja e Selës dhe BESA të shkojnë në koalicion së bashku me qëllim që të krijohen rrethana politike dhe shoqërore që të sfidohet ose fitohet BDI-ja e Ali Ahmetit, ky plan ka rezultuar i pasuksesshëm, shkruan gazeta KOHA.
Pasi ky plan i hartuar dhe gatuar në selinë e LSDM-së nuk ka rezultuar i suksesshëm, tanimë siç brifojnë burime partiake, po qarkullon plani B i LSDM-së që nënkupton përfshirjen e Lëvizjes BESA dhe PDSH-së nën ombrellën e koalicionit të LSDM-së për zgjedhjet e 12 prillit. Edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev edhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi publikisht kanë lënë të hapur mundësinë e një koalicioni të mundshëm. Në anën tjetër, KOHA mëson se kreu i LSDM-së, Zoran Zaev i ka bërë edhe një ofertë kreut të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Oferta e Zaevit parasheh që bartës liste i koalicionit të LSDM-së në Njësinë zgjedhore numër gjashtë të jetë Kasami, po ashtu kjo parti të ketë kandidatët edhe me numër rendor 3 në listën e deputetëve në këtë njësi. Lëvizjes BESA po ashtu i është ofruar edhe numri 9 në listat e deputetëve në njësinë zgjedhore 1 dhe 2. Por a është i mundur një koalicion i tillë shqiptaro-maqedonas?
Analisti Ismail Arsllani thotë se vetë koalicionet janë të komplikuara dhe shndërrohen në njëfarë rrethi vicioz. Sipas tij, kështu do jetë edhe në zgjedhjet e paralajmëruara të parakohshme parlamentare më 12 prill, për shkak të destrukturimit të elektoratit të partive politike, sidomos në kampin shqiptar. “Të gjitha partitë shqiptare mendojnë se janë të konsoliduar për fitore në zgjedhje, por meqë shtabet e tyre e dinë se nuk është kështu, kërkojnë një zgjidhje të kamufluar në koalicione me një parti politike maqedonase. Kjo nuk është një veprim jonormal e antidemokratik, por tek shqiptarët mendohet që dëmton indin kombëtar, sikundër që koalicionet parazgjedhore nuk japin shansin që partitë ta kuptojnë forcën reale të tyre, gjë që, në disa raste, mbase u shkon edhe për shtat. LSDM-ja maqedonase, parti në pushtet, e vetëdijshme që nuk do ta ketë atë numër të votave të shqiptarëve si në zgjedhjet e fundit, po tenton të bëjë një koalicion të madh parazgjedhor, duke menduar edhe për partitë shqiptare, të cilat mund ta shpëtojnë nga ndonjë dështim të rezultateve zgjedhore. Ajo, në këtë moment, i ka hapur dyert për të gjitha partitë politike shqiptare (BDI, ASH, Alternativa, Lëvizja Besa, PDSH etj.), ndërkohë që kalkulimet e partive shqiptare do të tregojnë shumë shpejt nëse do të realizohet ky projekt parazgjedhor i liderit të partisë, Zoran Zaev”, thekson Arsllani.
Dikush, shprehet më tej ai, ndoshta do t’i kuptojë koalicionet parazgjedhore shqiptaro-maqedonase si ndonjë “tradhti kombëtare”, por kjo është vetëm një lajthitje, për shkak se tek ne nuk është praktikuar në këtë formë. “Në fakt, i ngjanë maza pelës, nëse abstenohen koalicionet parazgjedhore shqiptaro-maqedonase, ndërsa pas zgjedhjeve ato koalicione përsëri ndodhin, që ndryshojnë vetëm për nga forma e jo edhe për nga thelbi. Ky është ai rrethi vicioz, por i pashmangshëm”, nënvizon ai.
Ndërsa, opinionisti Faton Aliti thotë se deri më tani koalicionet parazgjedhore mes partive shqiptare dhe maqedonase nuk kanë ndodhur kryesisht për arsye të këndvështrimeve të ndryshme për avancimin e të drejtave kolektive e në veçanti atyre individuale të shqiptarëve në Maqedoni. Në anën tjetër, sipas Alitit, jemi dëshmitarë se LSDM, por posaçërisht kryetari i tyre Zaev demonstroi gatishmëri dhe sens për domosdoshmërinë e avancimit të zgjidhjes së këtyre sfidave në raport me shqiptarët. “Jemi dëshmitarë se ky entuziazëm i tij pati një zbehje me kalimin e kohës. Besoj se kjo zbehje është rezultat i ndikimit të figurave tjera partiake në LSDM të cilët nuk e ndajnë të njëjtin mendim me Zaevin për këto çështje. Si rezultat i kësaj, sllogani “një shoqëri për të gjithë” pati depopullarizim të dukshëm mes shqiptarëve. Mes tjerash, pati disa procese gjyqësore të cilat përsëri dëshmuan se gjyqësia në Maqedoni ka prejardhje etnike. Dhe kjo nuk do të thotë se Qeveria është fajtori kryesor për gjyqësinë, por është fakt se ata i përcaktojnë rrjedhat e kursit politik dhe shoqërorë. Kjo sigurisht se nuk mbetet e pa notuar nga votuesi shqiptarë. Në rrethanat e sotme, nuk është tabu temë ky lloj koalicionimi, por mendoj se duhet pasur kujdes gjatë hartimit të programit politik zgjedhore, i cili do të ishte edhe platforma e qeverisë së ardhme”, shprehet Aliti.
Sipas tij, nëse kjo nuk definohet paraprakisht, mund të ndodhë që partia shqiptare që do të ishte pjesë e koalicionit parazgjedhorë të rrezikojë ndjeshëm kredibilitetin e saj. Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit tanimë janë shpallur. Partitë politike kanë bërë të ditur se deri ka mesi i muajt Mars, do ti shpallin edhe listat e kandidatëve për deputet, ndërkohë që bartësit e tyre pritet të bëhen të ditur deri më 5 Mars. Nga 20 Marsi fillon fushata zgjedhore, në të cilën partitë politike shpalosin programet e tyre elektorale me të cilat do të tentojnë të joshin sa më shumë vota në konton e tyre. (koha.mk)