Frika për të mbetur në opozitë dhe dëshira për të marrë pushtet përbëjnë motivet që i kanë prodhuar dy koalicione më të mëdha në historinë e Kosovës, atë përreth Partisë Demokratike (PDK) dhe koalicionin përreth Lidhjes Demokratike (LDK). Të tilla parime kanë shkrirë vijat e kuqe që partitë kishin për njëra-tjetrën para se të bashkoheshin. Në këtë mandat që po përmbyllet, LDK-ja ka qeverisur me PDK-në. Ajo ka qenë i vetmi subjekt politik që ka votuar kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kreu i saj, Isa Mustafa. Prej tri mandatesh është parti e dytë, për kah fuqia politike në nivel vendi. Dhe, duke parë trendin e tkurrjes dhe pafuqinë për ta marrë primatin, për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit që u shpallën pas mocionit, LDK-ja vendosi të garojë në koalicion me subjekte të tjera. Kësisoj, pos me disa parti fare të vogla, mbërriti marrëveshje partneriteti edhe me Aleancën Kosova e Re (AKR), subjekt politik që në zgjedhjet e fundit nuk kishte mundur të siguronte pragun prej 5 për qind, ndërsa vetëm pak muaj më parë, kreu i saj, Behgjet Pacolli, kishte deklaruar një “jo” për koalicion të mundshëm me LDK-në. Partia e Mustafës bëri marrëveshje edhe me Alternativën, një subjekt i ri politik që për eksponentë kryesorë ka Mimoza Kusarin e Ilir Dedën. PDK-ja, parti që prej tre mandatesh është e para në nivel vendi, është ndier e kërcënuar nga grupimi rreth LDK-së. Kështu, ata krijuan një koalicion që do t’i mbante si kandidat kryesor dhe si fitues potencial të zgjedhjeve, shkruan Koha Ditore. Ndërkaq, përveç këtyre koalicioneve, e vetmja parti që shkon në zgjedhje pa askënd, ani pse kishte disa tentime për t’u bashkuar me parti të tjera, është Lëvizja Vetëvendosje.