Koalicionet parazgjedhore midis partive maqedonase dhe shqiptare kanë një avantazh: partitë nuk do të jenë në gjendje të luajnë me kartën nacionaliste tradicionale, përkatësisht fjalori i tyre gjatë fushatës zgjedhore do të jetë më i kujdesshëm
Xhenur ISENI
Shkup, 6 shtator – Zgjedhjet lokale mobilizuan të gjithë. Nuk ka qytet, fshat, lagje ku nuk ka pushtim nga ekipet partiake që dëgjojnë problemet e qytetarëve dhe premtojnë zgjidhje të të njëjtave. Numri i listave dhe kandidatëve të pavarur është rritur, partitë po konkurrojnë në përzgjedhjen e kandidatëve, ndërsa një lloj para-fushate tashmë është duke u zhvilluar. Por pse këto zgjedhje lokale, në kohë pandemie, janë bërë kaq atraktive? Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Micskoki tha se këto janë zgjedhje vendimtare, në të cilat një fitore e fortë e opozitës do të thotë delegjitimim i qeverisë. Me qëllim që sa më shumë subjekte të bashkohen në atë drejtim, javë më parë VMRO-DPMNE zyrtarizoi bashkëpunimin e parë parazgjedhor me partitë nga blloku shqiptar – Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, si kundërpërgjigje ndaj koalicionit midis partnerëve qeveritarë. Kjo disi i zbehu kritikat e deritanishme se VMRO-DPMNE është një parti pa kapacitet koalicioni kur bëhet fjalë për një partner nga blloku shqiptar.
I SHËNDETSHËM PËR DEMOKRACINË
Çfarë mund të sjellin koalicionet e tilla parazgjedhore? “Koalicionet mbietnike parazgjedhore janë të shëndetshme për demokracinë, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut,” thotë analisti politik, Zudi Xhelili. Ai mes tjerash thotë se është evidente se në vitet e fundit ka ndryshime në raportet mes partive politike, dhe kjo paralajmëron edhe tkurrjen e retorikës nacionaliste në fushata. “Bashkëpunimi i partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase është në rritje. BDI vazhdimisht ka bashkëpunuar ngushtë me dy partitë politike maqedonase, sidomos mbas zgjedhjeve, ndërsa në disa zgjedhje lokale edhe me marrëveshje paraprake. Ndërsa Lëvizja Besa ishte partia e parë shqiptare që arriti marrëveshje me LSDM-në për koalicion parazgjedhor me lista të përbashkëta. Kjo praktikë e bashkëpunimit qoftë para apo pas zgjedhjeve e imponoi nevojën e bashkëpunimit edhe për opozitën maqedonase dhe atë shqiptare, me qëllim për të arritur rezultate më të larta dhe për të ndryshuar situatën e vështir në vend. Nëse për dikë bashkëpunimi me partitë maqedonase ishte normal dhe përdorej si dinakëri për të qeverisur sa më gjatë, në anën tjetër partitë opozitare i donin të përçara, duke i shpifur, të acaruar me qëllim që asnjëherë të mos mund të bashkëpunojnë. Pra,në këto zgjedhe lokale kemi dy blloqe të fuqishme bashkëpunimi dhe besoj karta nacionaliste do të mbetet në plan të dytë, ndërsa në planë të parë është ndryshimi i pushtetit, nëpërmes zgjedhjeve lokale të arrijnë deri te zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka deklaruar për KOHA, Zudi Xhelili, analist.
NEVOJITET SINERGJI MES MBËSHTETËSVE
Këtë herë, koalicioni i VMRO-DPMNE-së me ASH/AAA është i pari që arrihet publikisht mes tyre. Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, para disa ditëve tha se në reagimet e para në rrjetet sociale, përkrahësit e VMRO-DPMNE-së dhe ASH/AAA treguan se nuk janë shumë të lumtur për arritjen e koalicionit, të cilin ai e quajti Koalicioni 27. “Në rrjetet sociale koalicionin e quajtën si ‘Koalicioni 27’, pasi që u arrit më 27 të këtij muaji dhe nga ana tjetër përngjan me një 27-të tjetër famëkeq. I uroj shumë suksese dhe shpresoj se votuesit Aleancës për Shqiptarët me të gjithë entuziazmin do të votojnë për Nikolla Gruevskin, në fakt – Hrisitjan Mickoskin dhe po njëjtë edhe votuesit e VMRO-DPMNE-së me të gjithë entuziazmin do të votojnë për Ziadin Selën në të gjitha komunat ku do të garojnë”, u shpreh Artan Grubi nga BDI. Koalicioni midis VMRO-DPMNE dhe ASH/AAA për zgjedhjet lokale u vlerësua nga LSDM si “një koalicion nga askund, i cili është i dënuar paraprakisht për shkatërrim dhe humbje”. Por blloku opozitar vazhdon të kërkojë mbështetje të re. Edhe pse udhëheqësia e së Majtës refuzoi t’i bashkohet atij blloku, Mickoski tani u është drejtuar mbështetësve të asaj partie. “Pavarësisht vendimit dhe sjelljes së lidershipit, i bëj thirrje mbështetësve të së Majtës të na mbështesin në komunat ku nuk kanë kandidatin e tyre. Në këmbim, në raundin e dytë, ku VMRO-DPMNE nuk do të ketë kandidatin e vet, unë do të bëj thirrje që kandidatët e së Majtës të mbështeten”, ftoi Mickoski.
EDHE NJË JAVË PËR KONTROLLIN NË LISTËN ZGJEDHORE
Në ndërkohë, edhe shtatë ditë kanë mbetur për inspektimin publik të Listës Zgjedhore (9 shtator në mesnatë), ndërsa nëntë ditë (11 shtator në mesnatë) për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarë në Komisionet komunale zgjedhore për zgjedhjet lokale të planifikuara për 17 tetor. Inspektimi publik në Listën zgjedhore mund të bëhet në njësitë rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe në mënyrë elektronike përmes ueb faqes së KSHZ-së. Deri më 1 shtator, gjithsej 10.724 persona janë kontrolluar në Listën Zgjedhore. “Janë paraqitur gjithsej 27 kërkesa për regjistrim në Listën Zgjedhore, 23 kërkesa për fshirjen e të dhënave nga Listën Zgjedhore dhe 15 kërkesa për ndryshimin e të dhënave në Listën Zgjedhore, theksuan nga KSHZ. Gjithashtu, gjithsej 35 kërkesa janë dorëzuar në KSHZ në e-mail adresën [email protected]. Në të njëjtën kohë, përfundon afati i fundit edhe për regjistrimin e vëzhguesve në zgjedhjet lokale. Edhe pse fushata nuk ka filluar, pjesëmarrësit potencialë dhe të paralajmëruar në zgjedhje kanë filluar aktivitetet e tyre si në terren mes qytetarëve ashtu edhe në rrjetet sociale. Partitë këto ditë duhet t’i kumtojnë kandidatët e mbetur për kryetarë të komunave dhe këshilltarë për zgjedhjet lokale. Ata paralajmërojnë fushata pozitive, por akuzat e ndërsjella vazhdojnë. Deri në fund të kësaj jave, pritet të mbërrijnë në vend 200 terminalet e parë nga kompania “Dermalog” për gjurmët e gishtërinjve të votuesve. Terminalet e tillë do të përdoren për herë të parë në këto zgjedhje. (koha.mk)