Eurointegrimet janë pranuar nga të gjitha partitë politike si qëllimi strategjik nacional, që duhet të jetë forcë bashkimi si për vetë partitë, ashtu edhe për opinionin në vend, deklaroi sot ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar në seancën e parë të Këshillit nacional të eurointegrimeve (KNE). “Hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE është objektiv i të gjitha partive në Kuvendin e RM-së dhe nga atje duhet ta shfrytëzojnë këtë axhendë për progres më të shpejtë me qëllim që të tejkalohet polarizimi në shoqëri”, tha Zhbogar. Ai përkujtoi në deklaratën e kryetarit të KE-së Zhan Klod Junker se Unioni do të jetë më i madh se 27-të vende-anëtare deri në vitin 2025, dhe theksoi se BE-ja krijon moment të ri dhe kështu çdo vend kandidat duhet të tregojë se ekziston ndryshim i vërtetë në të gjitha vendet.
“Prioritete kyçe janë reformat në gjyqësi, reformat në shërbimet e inteligjencës, arritjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, nevoja që të ndërtohet unazë e miqve rreth jush dhe kjo do të kërkojë bashkëpunim ndërpartiak dhe marrëveshje ndërpartiake”, theksoi Zhbogar. Sipas tij, para se të vazhdohet me reformat e nevojshme janë të nevojshme zgjedhje kredibile, të liruara nga dhuna, parregullsitë, që është parakusht që të shkohet përpara. “Nga ky këndvështrim koalicioni qeveritar ka përgjegjësi të madhe dhe është me rëndësi që të mos përqendrohet në praktikat e këqija të shfrytëzimit të resurseve shtetërore dhe zero tolerancës në raport me këtë çështje”, tha Zhbogar.
Kryetari i Këshillit nacional për eurointegrime, Nikolla Poposki, tha se mbajtja e seancës së parë të Këshillit nacional për eurointegrime, vjen në momentin kur e kemi raportin e dytë të Rajnhard Pribe. “Ajo që është kyçe për raportin e këtij viti është se gjithçka që duhet të bëhet duhet të niset nga baza e konsensusit më të gjerë nacional, që nuk i përket vetëm shumicës së ngushtë të deputetëve të Kuvendit, por duhet të shkojë përmes kufijve të pozitës dhe opozitës”, tha Poposki. Sipas tij, reformat në vend duhet të bëhet për periudhë më të gjatë dhe nuk do të jenë lëndë e tregtimit të brendshëm politik.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani i prezantoi realizimet kyçe të Qeverisë për integrime në BE në tremujorin e fundit, duke theksuar se qëllimi i përbashkët i të gjithëve duhet të jetë rruga evropiane. “Rekomandimi i kushtëzuar për fillim të bisedimeve inkuadruese në KE duhet të mbetet i pakushtëzuar, kontributin që e kemi dhënë të gjithë për zgjedhje kredibile kemi plotësuar një nga kushtet, rekomandimi duhet të jetë nxitje që në mënyrë konstruktive të vazhdojmë edhe me aktivitetet vijuese të implementimit të prioriteteve të ardhshme reformuese”, tha Osmani.
Ai u përqendruar edhe në planin e Qeverisë 3-6-9, respektivisht në krijimin e klimës së volitshme për zgjedhje në tre muajt e parë, manifestim i seriozitetit në deklarimin e shoqërisë multietnike, bazë të fuqishme juridike, rezultate konkrete të dukshme nga proceset reformuese, pastaj gjashtë muaj deri në Këshillin e BE-së dhe nëntë muaj deri në raportin e KE-së. Osmani theksoi se është në përgatitje e sipër strategjia për reforma në gjyqësi si dhe në shërbimin e inteligjencës dhe shërbimet e sigurisë. “Edhe një moment plotësues të cilin Maqedonia duhet ta shfrytëzojë në rrugën e saj drejt BE-së është ndërmarrja e presidencës nga ana e anëtareve drejtpërdrejt të interesuara për inkuadrim më të shpejtë të Ballkanit në BE, si Bullgaria dhe Austria në vitin 2018”, tha Osmani.
Sipas tij, nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen evropiane si institucione funksionale demokratike dhe implementimi i mëtutjeshëm i prioriteteve të ardhshme reformuese, plotësim i rekomandimeve të BE-së dhe thellim i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski me kritika ndaj fjalimit të zëvendëskryeministrit Osmani, theksoi se ai është plotësuar vetëm me fraza, pa hapa konkret në të kaluarën, siç tha, 117 ditë. Ai tha se 90 për qind e ligjeve miratohet me procedurë të shkurtuar, nuk ka mundësi për debat, duke theksuar se për planin qeveritar 3-6-9 asnjëherë nuk është konsultuar opozita. Në seancën e Këshillit është parashtruar edhe propozim aktivitetet për tremujorin vijues dhe nevojën për konsensus më të gjerë nacional, ndërsa anëtarët e kanë shqyrtuar dhe miratuar Planin e aktiviteteve të Këshillit nacional për eurointegrime për periudhën shtator-dhjetor të vitit 2017.