Vjenë, 8 janar – Ministrja austriake e Punëve të Jashtme, Karin Knajsëll sot theksoi se edhe krahas lodhjes nga zgjerimi i pranishëm në Francë dhe Holandë, Evropa Juglindore nuk duhet të lihet anash në vakum.
Knajsëll në konferencë shtypi, në të cilën e përmblodhi politikën e jashtme të Austrisë vitin e kaluar, shprehu kënaqësi që gjatë kryesimit austriak me BE-në janë hapur kapituj të ri në bisedimet për inkuadrimin e Serbisë dhe Malit të Zi në Union.
Megjithatë, ajo theksoi se nuk është e lehtë të merret mbështetje në Hagë dhe Paris për perspektivën evropiane të vendeve të Evropës Juglindore, siç është Shqipëria apo Serbia.
Ajo theksoi se është shumë vështirë të binden holandezët dhe francezët se Evropa Juglindore është pjesë e Evropës.
“Unë asnjëherë nuk flas për “vende nga Ballkani Perëndimor”, sepse nuk më pëlqen ky term, i cili është term artificial. Krahas kësaj, Ballkani kuptohet negativisht, përveç nëse nuk bëhet fjalë për ushqim. Termi politikisht ka konotacion negativ. Në mënyrë konsekuente flas për Evropën Juglindore dhe për mua Muzeu i artit kontemporan në Beograd është pjesë e Evropës, për mua Filarmonia në Sarajevë është pjesë e Evropës. Ndjehem ndoshta më e lidhur, në bazë të lokalitetit gjeografik, të atij rajoni sesa me dikë për shembull nga Belfasti”, theksoi Knajsëll.
Knajsëll apeloi deri te kolegët nga Franca dhe Holanda që të përkujtohen në të kaluarën.
Ajo theksoi se Evropa duhet të kuptohet si hapësirë kulturore dhe në bazë të kësaj të veprohet.