Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) sot e ka vizituar qendrën korrektuese në Dubravë. Në këtë vizitë, ata e kanë takuar edhe Sylejman Selimin, gjendja shëndetësore e të cilit kanë thënë se nuk është e mirë. Po ashtu Selimi ka folur me KMDLNj’në për refuzimin e kërkesës së tij për lirim të përkohshëm.
KDLNj thotë se përkundër gjendjes shëndetësore, Selmi ka thënë se nuk kërkon trajtim të veҫantë shëndetësor.
“Gjendja shëndetësore e të dënuarit Sylejman Selimit nuk është e mirë dhe ajo mbahet nën kontrollë me një terapi të përditshme , për shkak të dhembjeve të mëdha të kokës nga migrena sikur edhe për shkak të problemeve reumatike. Gjatë vizitës së KMDLNj’së , monitorues të kësaj organizate kishin qasje në “arsenalin” e barërave që përdorte Sylejman Selimi sikur që u vërtetuan se vetëm me injeksione të qetësuesve, përkohësisht mbahej nën kontrollë kokëdhembja”, shkruan në komunikatë.
Sylejman Selimi i ka deklaruar KMDLNj’së se është refuzuar kërkesa e tij për lirim të parakohshëm nga Paneli për Lirim me Kusht ndonëse i ka plotësuar kushtet e parapara; ka vuajtur 2/3 të dënimit, më shumë se 1 vit është shfrytëzues i beneficioneve (vikendeve në shtëpi), nuk ka asnjë vërejtje nga stafi dhe ka gjendjen shëndetësore të përkeqësuar.
Gjatë takimit me KMDLNj’në, Sylejman Selimi ka shfaqur pakënaqësi të madhe shkaku se Gjykata Supreme nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila ka gjetur shkelje të procedurës dhe ka kërkuar rishqyrtim të lëndës.
“I dënuari Sylejman Selimi thotë se nëse gjykata përkatëse merr vendim për hetime ndaj atij duhet t’i ndërrohet statusi, nga i dënuar në të paraburgosur dhe jo të mbahet në vuajtje të dënimit , pa vendim të gjykatës , pas një procesi të montuar politik, me vetëm një dëshmitar dhe pa e ditur identitetin e personit se kinse është rrahur, që qenka nga Shipoli por, pa emër dhe mbiemër”, thuhet tutje në komunikatën e KMDLNj’së.
KMDLNj thotë se pasi ta ketë në disponim tërë materialin, gjyqësorë për rastin Sylejman Selimi do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje , nëse ato dëshmohen.(express)