KMC, reperi i suksesshëm shqiptar që duket se po i sjell këngët njërën pas tjetrës pa ndalim, sapo ka publikuar këngën më të re në bashkëpunim me një këngëtar me emër si Aurel Thëllimi. “Tumankuqe” është një këngë e vjetër me motive moderne është trendi më i ri i lancimit të këngëve dhe këtë gjë nuk do e linte pa e praktikuar edhe KMC. Një këngë e punuar në studion e DEVOX dhe me klip të FourInfinit, KMC vjen me një rrëfim për prurjet e tij të fundit dhe në veçanti bashkëpunimin me Aurelin…!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Dy fjalë për lexuesit e gazetës KOHA?
Përshëndetje, faleminderit për ftesën në faqet e gazetës tuaj. KMC është një djalë që i pëlqen muzika shumë, sidomos repi. Kam shumë këngë me klipe në treg, por klipet e fundit janë ato që më kanë sjellë mendoj në formën që kam synuar prej kohësh.
KOHA: Pas bashkëpunimit me Blerina Matrakun dhe Antre, tani vjen me një bashkëpunim me Aurel Thëllimin. Çfarë pati të veçantë ky i fundit? Si u krijua “Tumankuqe” moderne?
“Tumankuqe” është një këngë që mori jetë në studion e DEVOX, producenti edhe këngës time më të fundit, “Profesori” një bashkëpunim me Antre. Aurelin e ftova unë në bashkëpunim, ftesë të cilën e pranoi dhe kështu realizuam këtë bashkëpunim, një risjellje e një këngë të vjetër me ritme moderne.
KOHA: Është një këngë e vjetër e sjellë në trajtë moderne, është e vërtetë që ky trend në muzikë është goxha i suksesshëm?
Trend i ri dhe shumë i suksesshëm do thosha, sepse bëhet një ndërthurje e të vjetrës me të renë dhe del diçka e bukur për veshin e publikut.
KOHA: Ti je i përfshirë totalisht në muzikë, duke qenë se, përveçse këndon, edhe kompozon, pasi ke studion tënde. Vërtet mendon se mund të bëhet shumë me 7 nota në muzikë?
Mund të bëhet mrekulli me ato nota, muzika është ilaçi më i mirë për jetën, përditshmërinë, argëtimin.
KOHA: Gjërat më të mira që ke bërë në jetë?
Përkushtimin që kam ndaj familjes, partneres dhe ndaj muzikës.
KOHA: Pra, le të themi që na zbulove edhe që je tashmë në një lidhje…!
Jam në lidhje prej disa kohësh, por më pëlqen ta mbaj jetën time private larg asaj publike.
KOHA: Ka kohë që flitet e përflitet dhe ka kohë që si këngëtarëve, ashtu edhe publikut i rëndon ky treg i trazuar, i mbingarkuar. Çfarë do të sillte një “rilindje” në muzikë?
Mendoj se seleksionuesi më i mirë është publiku dhe secili do ta gjejë vendin që i takon. Vetëm publiku mund të bëjë “rilindje” në fushën e muzikës.
KOHA: Kur kthen kokën pas, si e shikon krijimtarinë tënde përgjatë këtyre viteve sepse ti ke vite që merresh me muzikë apo jo?
Mendoj se i jam kushtuar me mish e me shpirt muzikës, por ndoshta më ka munguar ajo dora që të ndihmon të ecësh përpara. Tani, e kam gjetur dhe jam shumë mirënjohës.
KOHA: Një këngëtar duhet të dijë të japë vazhdimisht tek publiku apo të dijë të kuptojë kur duhet të tërhiqet e të rikthehet sërish?
Patjetër që duhet të dijë të japë vazhdimisht tek publiku por gjithashtu të komunikojë me të, të dijë kur të sjellë diçka dhe kur të bëjë pauzë.
KOHA: Çfarë i pëlqen të dëgjojë një këngëtari?
Gjithçka, mjafton të jetë muzikë e bukur dhe dashur për veshin.
KOHA: Disa repera shajnë dhe kritikojnë sistemin politik në këngët e tyre. Sa dakord je me këtë taktikë që ka filluar të ndiqet?
Mendoj se temat e repit janë të ndryshme dhe meqë aktualitetit politik tërheq vëmendje kanë gjetur një bosht të ri për t’u mbajtur. Është çështje zgjedhjeje kjo gjë.
KOHA: Çfarë mendojnë njerëzit gabim për ty?
Që jam mendjemadh, nuk jam fare, përkundrazi shoh punën time, ndoshta kjo i bën të mendojnë kështu.
KOHA: Jeton me atë çfarë sjell dita, çasti apo me objektiva dhe plane për të ardhmen?
Edhe me atë që sjell dita por edhe me synime dhe objektiva për të ardhmen.