Shkup, 30 nëntor – Klubi i mundjes “Liria” të mërkurën festoi 40 vjetorin e themelimit të saj. Në një atmosferë të mirë e organizuar në restorantin “Abc”, ku prezent ishin mysafir nga vendi, Kosova e Shqipëria, ish-mundës dhe mundës aktual të këtij klubi, tifoz e sponsor, gazetar, kryetari i Komitetit Olimpik Sasho Popovski, kryetari dhe nënkryetari i Federatës së mundjes të Maqedonisë, Betim Vrenezi dhe Dejan Bogdanov si dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, u shënua ky jubile. Gjithçka filloi me dokumentarin 15 minutash për klubin, për atë se si u themelua, kush janë ata që e themeluan KM “Liria” dhe sukseset që ky klub i ka arritur deri më sot.
Për historinë e klubit foli njëri prej themeluesve dhe trajner i KM “Liria”, Hajrush Sinani, më pas edhe ish-kryetari dhe tani kryetar i Federatës së Mundjes së Maqedonisë Betim Vrenezi, kryetari i ri Imer Kadriu dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“40 vjet suksese të shumta në arenën sportive vendore dhe ndërkombëtare janë rezultat i një pune të palodhshme profesionale për të cilën Klubi i Mundjes ‘Liria’ meriton mirënjohje të thellë dhe përkrahje të pakursyer për vazhdimin e kësaj rruge që nderon një shtet e një komb të tërë. Shpreh gatishmëri të plotë të përkrahjes për të kontribuar në stimulimin e mëtutjeshëm të kreativitetit sportiv e rinor. Afirmimi i vlerave sportive mbetet prioritet dhe falë pasionit që KM “Liria” reflekton kjo rrugë e lavdisë do të vazhdojë”, u shpreh Ganiu.
“Klubi i Mundjes ‘Liria’, tani më është një klub profesionist. Është një klub i cili tani ka të gjitha elementet e një klubi profesionist, me strukturat e tjera udhëheqëse. Me buxhetin e tij vjetor. Do të tentojmë që mundjen ta rikthejmë në shtigjet e vjetra, siç ka qenë më herët”, tha kryetari i klubit Imer Kadriu, i cili falënderoi të gjithë ata që erdhën dhe e nderuan këtë përvjetor.
Ndërkohë, të gjithë mundësit dhe ata që kanë vlerë për klubin, trajnerët, sponsorët, funksionarët dhe gazetarët në mesin të cilëve edhe gazetari i të përditshmes KOHA, Bujar Kurtaj, morën plaketa.