Moskë, 28 shtator – Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Henri Kluge, deklaroi sot se OBSH-ja nuk ka ende të dhëna të plota për origjinën e koronavirusit dhe nuk e di nëse ka lindur natyrshëm apo jo, por tha se hulumtimet akoma vazhdojnë.
Në një intervistë për agjencinë ruse Tass, Kluge tha se shkencëtarët kinezë po merren me këtë çështje dhe se OBSH-ja është ftuar vetëm të marrë pjesë në hulumtimin.
“E gjithë kjo është në vijim, natyrisht, dhe se është diçka që është shumë e rëndësishme për ta zbuluar. Por nuk mund të them asgjë më shumë sepse nuk dua ta rrezikoj këtë proces shumë të rëndësishëm. Gjëja më e rëndësishme është që ne jemi pjesë e kësaj”, tha Kluge.
Eksperti i OBSH-së beson se është vetëm çështje kohe kur do të shfaqet një pandemi e re.
“Ne e parashikuam edhe këtë, por përsëri na gjeti të papërgatitur”, tha ai, duke shtuar se sigurisht që do të kishte pandemi të re, por të gjithë duhet të jemi më të përgatitur për të.