Një lajm i padëgjuar më parë ka ndodhur në futbollin irlandez. Histori e pabesueshme nga klubi amator irlandez Ballybrack. Ndeshja e fundjavës u shty, ndërsa në fushat e tjera u mbajt një minutë heshtje nga të gjithë futbollistët, të cilët në shenjë solidarizimi, mbajtën në krah shiritin e zi.
Megjithatë, në fund e vërteta u zbulua dhe pasi klubi përfundoi në qendër të kritikave, drejtuesit kërkuan ndjesë, duke larguar nga puna edhe personin përgjegjës për këtë lajm. Fjala ishte për futbollistin spanjoll, Fernando Nuno La Fuente, ku thuhej se humbi jetën pas një aksidenti rrugor, duke u kthyer në shtëpi nga stërvitja.
Sipas Irish Time, futbollisti në fjalë është shëndosh e mirë dhe prej muajit shtator jeton në Galway. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, klubi kërkoi falje të gjithëve dhe në veçanti, ish-futbollistit të skuadrës, i cili e pranoi ndjesën për këtë ngjarje aspak të zakontë.